Në atmosferën solemne të Ditës së Flamurit, Kisha Katolike “Zoja Pajtore” në Michigan organizoi mbrëmjen festive për nder të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve, organizatave shqiptare, klerikë, si dhe qindra bashkatdhetarë.
Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, z. Agron Dedivanaj, mbajti një fjalë përshëndetëse ku theksoi vlerën historike dhe shpirtërore të kësaj dite, duke rikujtuar sakrificat e popullit shqiptar për liri dhe identitet kombëtar.
“Sot nuk festojmë thjesht një datë – sot ringjallim betimin e përjetshëm ndaj Flamurit Kuq e Zi. Ne, shqiptarët e Michiganit, nuk jemi diasporë që tretet, por vazhdim i gjallë i historisë dhe i forcës sonë kombëtare,” u shpreh z. Dedivanaj.
Ai vlerësoi rolin e komunitetit të Malësisë në SHBA, duke theksuar se shqiptarët, kudo që jetojnë, mbeten të lidhur fort me truallin e të parëve dhe kontribuojnë për të ardhmen e kombit.
“Uniteti ynë është mburoja, dija jonë është arma dhe dinjteti ynë është legjenda që nuk shuhet. Le të ecim përpara me krenarinë e flamurit mbi ne dhe amanetin e brezave që na shikojnë,” tha ndër të tjera Dedivanaj, duke përmbyllur fjalimin me thirrjen: “Rroftë Flamuri Kuq e Zi! Rroftë Kombi Shqiptar kudo në botë!”
Mbrëmja vijoi me program kulturor, këngë patriotike dhe momente reflektimi dedikuar figurave të Kombit, nga Skënderbeu te Ismail Qemali, duke përforcuar ndjenjën e unitetit dhe krenarisë shqiptare në zemër të shtetit të Michiganit.
Ja fjalimi i plotë:
Të nderuar zonja dhe zotërinj, të nderuar përfaqësues të institucioneve, miq dhe bashkatdhetarë,
Sot nuk festojmë thjesht një datë.
Sot ringjallim një betim.
Në këtë 28 Nëntor të shenjtë, para Flamurit tonë të pavdekshëm, ne qëndrojmë të drejtë si një komb që ka kaluar nëpër shekuj zjarrin, hekurin dhe furtunat – por nuk u gjunjëzua kurrë.
Ky flamur u ngrit nga Skënderbeu, i cili nuk ishte thjesht hero, por arkitekti i rezistencës shqiptare, zëri që kumboi në oborret e Europës se ky popull është i denjë, është i lirë dhe i pathyeshëm.
Ai na mësoi se liria është e drejtë hyjnore, dhe se kombi që e mbron atë me mençuri e me kurajo, fiton jo vetëm beteja – por pavdekësi.
Shekuj më vonë, Ismail Qemali ngriti i pari flamurin në Vlorë dhe tha para botës:
“Shqipëria është dhe do të jetë.”
Dhe që nga ai çast, çdo shqiptar e ka një detyrë morale: ta mbrojë, ta nderojë dhe ta forcojë këtë të vërtetë.
Të nderuar miq,
Ne këtu në Michigan nuk jemi diaspora – jemi vazhdimi i historisë shqiptare.
Jemi prova se shqiptarët nuk shpërndahen, por shndërrohen në forcë globale;
se amaneti i të parëve nuk tretet, por trashëgohet me nder.
Ne e përmbushim këtë amanet duke u emancipuar, duke u ngritur në arsim, në shkencë, në ekonomi, në art, duke qenë pjesë aktive e proceseve që prekin trojet tona dhe rajonin.
Ne jemi sot fuqi diplomatike, jemi ura që lidh dy brigje – Amerikën dhe Shqipërinë, Michiganin dhe vendlindjen, diasporën dhe identitetin.
Në këtë ditë solemne themi me zë të fortë:
Uniteti ynë është mburoja.
Dija jonë është arma.
Dinjteti ynë është legjenda që nuk shuhet.
Të nderuar bashkatdhetarë,
28 Nëntori nuk është festë – është mision.
Flamuri nuk është simbol – është betim.
Shqiptaria nuk është kujtim – është amanet i pavdekshëm.
Le të ecim përpara me forcën e historisë që kemi pas;
me krenarinë e flamurit që kemi mbi ne;
dhe me ndershmërinë e brezit që do të vijë pas nesh.
Gëzuar 28 Nëntorin!
Rroftë Flamuri Kuq e Zi!
Rroftë Skënderbeu, drita që nuk shuhet!
Rroftë Kombi Shqiptar – në Michigan, në trojet tona dhe në çdo cep të botës!

