Punimet për ndërtimin e ujësjellësit në Luboten dhe Lubancë po avancojnë me dinamikë të shkëlqyer, ka njoftuar kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski. Ai bashkë me ekipin e komunës ka bërë sot inspektimin e punimeve në terren, duke e cilësuar projektin si “historik dhe shumë të rëndësishëm për banorët e këtyre dy vendbanimeve”.
Sipas Kostovskit, pavarësisht dyshimeve dhe kundërshtimeve të vazhdueshme nga oponentët politik, projekti tashmë është realitet. Aktualisht po punohet në vendosjen e gypave në krahun e dytë të ujësjellësit në drejtim të rezervuarit të Lubotenit, ndërsa në një periudhë të shkurtër janë vendosur qindra metra tubacion në dy seksione të ndryshme të kësaj trase.
“Financimi për realizimin e projektit është siguruar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmes Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e cila ka ndarë një shumë të konsiderueshme të mjeteve për këtë investim kapital që do t’u sigurojë banorëve ujë të pastër të pijshëm nga rrjeti i ujësjellësit të Shkupit”, ka thënë Kostovski.
Kostovski gjithashtu ka shprehur falënderime për kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe për zëvendëskryeministrin dhe ministrin e transportit dhe lidhjeve, Aleksandar Nikollovski, për mbështetjen e madhe në realizimin e këtij projekti me rëndësi të jashtëzakonshme për komunën dhe banorët e kësaj zone.

