Një javë pas plagosjes së rëndë me thikë gjatë një konflikti mes adoleshentësh në Durrës, 15-vjeçari Erjon Boba nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë ditën e djeshme. I mituri do të prehet sot në vendlindjen e tij në Bulqizë, ndërsa familja dhe të afërmit përballen me dhimbjen e humbjes tragjike.
Banorët e lagjes ku familja jetonte me qira, në zonën e ish-Kënetës, shprehen të tronditur nga ngjarja, duke e cilësuar atë një goditje të rëndë. Sipas tyre, institucionet duhet të marrin masa për parandalimin e rasteve të tilla, ndërsa disa theksojnë se përgjegjësia ndahet mes prindërve dhe shkollës.
Familja e tij, e shkatërruar emocionalisht, kërkoi ndihmë përmes JOQ nga çdo shqiptar për të bërë të mundur dërgimin jashtë vendit. Fatkeqësisht, përpjekjet nuk mjaftuan dhe zemra e 15-vjeçarit pushoi së rrahuri dje, duke lënë pas një dhimbje për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që u preken nga historia e tij.
Konflikti mes Erjonit dhe 14-vjeçarit me inicialet M.K. nisi pas komenteve dhe ofendimeve në rrjetet sociale, të cilat vijuan edhe në shkollë. Dy adoleshentët u takuan për t’u sqaruar, por përplasja degradoi në përdorimin e thikës, ku 14-vjeçari goditi disa herë Erjonin në gjoks.

