Dy rastet e sindromës së të pasmes në ujë

Nga Meri Lika

Kemi një shprehje ne shqiptarët “i ra b*tha në ujë”. Në këtë situatë është sot lideri ynë suprem, pas protestave kundër rritjes pa frena dhe pa asnjë kontroll të çmimeve (jo vetëm të naftës). Metamorfoza e tij në vetëm dy ditë është e njëjtë me atë të kohës së protestave për armët kimike por, edhe të protestave të studentëve. Nga arroganca e këshillave të nikoqirllëkut se si të kursejmë duke ecur në këmbë, Zeusi i ministres së sipërmarrjes kaloi në ekstazën e komunikimit “gju më gju me popullin”. Nga arroganca e një të superpushtetshmi kaloi në një jargavitje “drithëruse” deri në lutje ekstreme për një afat 48 orësh që ne si qytetarë duhet t’ia japim e ky të bëj namin me “spekulantët” e hidrokarbureve.

Unë uroj që ne si popull të mos kemi aspak kohë që t’ia japim këtij karagjozi të pandreqshëm, të mos i japim kohë që ai pastaj të mundet të fikë protestat siç bëri me studentët. Ne si popull duhet të kemi të qartë se roli i shtetit, në kushte të tilla është të marrë masa në mbrojtje të interesave publike. Nuk dua të shkruaj në lidhje me konceptet ekonomike dhe shoqërore të tregëtisë së lirë, por dua të shkruaj për sindromën e metamorfozës së politikanëve tanë pasi iu bie e pasmja në ujë.

Reagimi i parë i kryeministrit tonë, është gjithmonë ai i arrogancës, i injorimit, herë duke na treguar se si duhet të dobësohemi e herë duke na treguar se si të kursejmë. Pjesë e kësaj arrogance bëhet edhe enturazhi i tij që e rrethon, të cilët në delirin e tyre për t’iu servilosur sa më shumë atij pothuaj Zeusit, japin edhe ata këshilla se si të bëjmë një jetë të shëndetëshme, duke menduar se ne i kemi harruar kilet e tyre të tepërta që ua qarkonin gushën. Kjo sindromë nuk është vetëm tek pushteti, çuditërisht ajo ka mbërthyer edhe kryetarin e opozitës së vulosur. Njëjtë edhe ai, në fillim me arrogancë dhe një vetkënaqje budallaqe, brohoriste fitoret e panumërta të jetës së tij e vetëm një ditë më pas u metamorfozua duke na treguar se po reflekton dhe se fatkeqësisht kishte pësuar humbjen e parë.

Gjithmonë e kam ndjekur politikën për arsye se mendoj që ndikimi i saj në jetët tona është shumë i madh. Shpesh jam zemëruar për vendime të këqija, qofshin ato nga e djathta apo nga e majta, kam marrë pjesë në protesta, por që kur në pushtet ka ardhur kjo qeveri, dhe përballë saj kemi këtë opozitë që kemi, e vetmja gjë që mund të bëj është të “tërbohem”. Sot kryeministri dhe opozitari vulëhumbur, po luajnë me mjerimin njerëzor që vetë e kanë krijuar, me injorancën, me padijen, me hakmarrjen, të cilat i vulosin me arrogancën e tyre, a thua se vetëm këta do ta kenë një vend në Diell. Mendoj se fuqia mjegullon gjykimin e tyre dhe shkakton dëm serioz për shumë njerëz. Dhe tamam këtu fillon kthesa, kur dëmi që i shkaktohet masës e detyron këtë të fundit që të ngrihet dhe tua trondisi këmbët e fronit ose siç themi ne, i bën që t’iu bjerë b*tha në ujë.

E kur kjo ndodh këta lloj liderash mendjeshkurtër dhe fjalëgjatë, fillojnë të pësojnë metamorfozën e tyre të përuljes, të gadishmërisë për të rregulluar atë që me vetëdije dhe dëshirë prishën. Takimi i sotëm, i kryeministrit me sipërmarrësit e hidrokarbureve më dha shijen e një torte të prishur e cila më dallgëzoi krejt ditën. Kërcënimet e tij me mbyllje pikash karburanti nëse çmimin e nuk e firmos Denari, Belinda e kompani është një paçavure e keqe, sepse qeveria po përpiqet që me xhepin e biznesit të lajë pisllëqet e saj të konçensioneve, inçenaratorëve dhe PPP-ve.

E ndërkohë që kaposhi i qeverisë ka hipur majë plehut e kakarit, karagjozi i opozitës së shtirur ka vendosur të sakrifikohet për vogëlushët. O Zot, unë kam një vogëlush por, të lutem o Lulëzim mos u lodh të ngjitesh me karrigen për tim bir. Po do t’iu bësh nder fëmijëve tanë, jepu shembullin e atij që humbet dhe e pranon humbjen si pjesë normale të jetës, dhe tërhiqet për t’ia lenë vendin dikujt tjetër që di të fitojë. Vetëm kështu fëmijët tanë do të mësojnë të luftojnë që të mos i humbasin shanset që do t’iu jepen në jetë. Në një anë janë dy palaço të politikës e në anën tjetër jemi ne që duam ti lemë me të pasme në ujë, e që të dy të mos mund të ngrihen dot më e të mundemi të çlirohemi nga autokracia.

Të fundit në përqindje