E mbijetoi tërmetin e Shkupit, por jo edhe “Shkupin 2014” Godina e EMV-së 9 vjet shëmti në zemër të Shkupit

Shkup, 1 Maj – Godina e Elektranave të Maqedonisë së Veriut në sheshin e Shkupit është e para që u ndërtua me fasadë qelqi në vitin 1962. Pa problem e mbijetoi tërmetin e Shkupit, megjithatë ende po mundohet që ta mbijetojë “Shkupin 2014”, por cila është historia e saj?

Në 2013 EVN dhe EMV lidhin marrëveshje me Beton për rikonstruktim dhe ndërtim të fasadës për 4,3 milionë euro.

Në 2016-tën, pas zjarrit, punimet ndërtimore ngecën.

Dy vjet më vonë. EMV e prish marrëveshjen e lidhur paraprakisht. Kërkohet model juridik për arsyetimin e prishjes së marrëveshjes me qëllim që EMV-ja të mos paguajë gjobë për këtë anulim.

2020. Me urdhër të Qeverisë, EMV e blen pjesën e cila ishte në pronësi të EVN-së, për 2,3 milionë euro.

Ndërkohë, EMV e shqyrton mundësinë që të zhvendoset në ndërtesë, kurse ndërtesën aktuale ta marrë një institucion tjetër, por pa sukses.

 “Ndryshimet e bëra në ndërtimin e godinës së re për të cilat nuk u sigurua me kohë leje me shkrim nga Ministria për transport dhe lidhje, është arsyeja se pse kjo ndërtesë nuk mund të marrë leje për shfrytëzim dhe pranim teknik. Për këto arsye, SHA EMV është ekspozuar në shpenzime për shkak të investimeve në godinën e re që do të mund ta shfrytëzojë dhe ta mirëmbajë, por edhe shpenzime për rikonstruktim dhe rregullim të godinës së vjetër ku nuk ka kushte adekuate për punë brenda, e as fasadë adekuate dhe pamje nga jashtë”, thonë nga EMV për TV21.

Pandemia Kovid-19 dhe kriza ekonomike tani janë vetëm arsye shtesë që këtë shëmti ende ta shohim në zemër të Shkupit. Shpenzimet e EMV-së janë shkurtuar për të gjitha projektet që nuk kanë lidhje me prodhimin e energjisë elektrike.

“Besojmë se pas mbarimit të krizës ku SHA EMV mori obligime shtesë me menaxhimin e ngrohjes qendrore në Shkup, shpejt ta kthejmë në fokus çështjen e cila ka të bëjë me fasadën e godinës në shesh”, shtuan nga EMV.

Pamja e këtillë e godinës tashmë 9 vjet “mirëpret” turistët në Shkup. Kjo ndërtesë ishte një prej më të rëndësishmeve të arkitekturës moderne në vitet 60-ta dhe 70-ta. Shkatërrimi filloi në 2013-tën kur kryeministri i asaj kohe Nikolla Gruevski kërkoi që kjo ndërtesë të përfshihet në projektin kontrovers “Shkupi 2014” duke paraparë një fasadë të re në stilin barok prej stiropori në vlerë prej 4,3 milionë eurove. Rinovimi i fundit i fasadës u bë në vitin 2000 duke shtuar qelq dhe mermer të lëmuar.

Të fundit në përqindje