GazetaMax
Lajme

Forcat ruse e kapën fshatin e parë në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës

Forcat ruse e kanë marrë nën kontroll fshatin e parë në rajonin qendror-lindor të Ukrainës, Dnipropetrovsk, thanë të hënën mediat shtetërore ruse dhe blogerët e luftës, pasi Rusia kapi 950 kilometra katrorë për dy muaj.

Nuk pati konfirmim të menjëhershëm nga burimet ukrainase ose nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Përderisa Moska e Kievi po e përmendin paqen e mundshme, lufta është intensifikuar. Forcat ruse kapën një territor prej 200 kilometrash katrorë në rajonin Sumy dhe hynë në rajonin e Dnipropetrovskit muajin e kaluar.

Harta e blogut të besueshëm ukrainas, “Deep State”, tregon se Rusia tani ka nën kontroll 113 mijë e 588 kilometra katrorë të territorit ukrainas, 943 kilometra katrorë më shumë përgjatë dy muajve të fundit.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA, citoi një zyrtar pro-rus, Vladimir Rogov, të ketë thënë se forcat ruse e kishin marrë nën kontroll fshatin Dachnoye, i cili ndodhet brenda rajonit të Dnipropetrovskit.

Rusia ka thënë se është e gatshme për të bërë paqe, por se Ukraina duhet të tërhiqet nga tërë territori i katër rajoneve që Rusia i ka kryesisht nën kontroll dhe për të cilat presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se tani janë ligjërisht pjesë e Federatës Ruse.

Ukraina dhe aleatët e saj evropianë thonë se këto kushte do të përbënin kapitullim dhe se Rusia nuk është e interesuar për paqe dhe se ata nuk do ta pranojnë kurrë kontrollin e një të pestës së Ukrainës nga Rusia.

Në zonat që janë nën kontrollin rus përfshihen Krimea, më shumë se 99 për qind e Luhanskut, mbi 70 për qind e Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit si dhe disa pjesë të Kharkivit, Sumyt dhe Dnipropetrovskit./Nacionale

Related posts

Zajkova: Qeveria nuk po bën asgjë për reforma në gjyqësi, dikujt i konvenon kjo gjendje

Gazeta Max

UT për maturantët e Tetovës organizoi turnir në disiplina të ndryshme sportive

Gazeta Max

Këto janë vendet europiane që mund të preken nga sulmet bërthamore

Gazeta Max