GazetaMax
Uncategorized

Intervenimi i NATO-s në luftën e Kosovës dhe shënimi i një kaptine të re të sigurisë ndërkombëtare për Ballkanin

Veton Latifi

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250

Intervenimi i NATO-s në Kosovë para së gjithash ishte i një natyre humanitare, por i njëjti duhet shikuar edhe në kontekstin gjeopolitik. Në historikun e NATO-s rasti i intervenimit të Kosovës është i një relevance të jashtëzakonshme si në aspektin dinamik, po ashtu edhe në kuptim të pozicionimeve të reja të sigurisë ndërkombëtare. Ishte intervenim historik për NATO-n edhe për nga forma, natyra dhe gjeografia, si dhe aspekti kohor, meqë ndodhi për herë në parë që nga ekzistimi i Aleancës duke qenë kështu intervenim i parë ushtarak i saj. Ky intervenim ndodhi vetëm disa javë para shënimit të 50 vjetorit të themelimit të Aleancës Veri-Atlantike. Ndërkohë që duke ndodhur në kapërcyell mes dy shekujve shërbeu si rast unik në konceptualizimin e politikave të shekullit XXI të NATO-s.

Atë që nuk e aktivizoi madje as polarizimi i tendosur i Luftës së Ftohtë dhe konfliktet tjera ndërkombëtare që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ndodhi që ta bëjë rasti i Kosovës. Ky fakt, duhet të kontribuojë edhe më tepër që jo vetëm Kosova por mbarë shqiptarët gjithandej t’i obligohen Aleancës Veri Atlantike. Me aktin e sulmeve të 24 marsit të vitit 1999 dhe ndihmës së mëtejshme në vazhdimësi nga ana e vendeve anëtarë të NATO-s, duke marrë parasysh vlerat dhe kulturën politike shqiptare si dhe traditën historike, shqiptarët si komb në Ballkan përfundimisht e kanë afirmuar njëherë e përgjithmonë pozicionimin e tyre strategjik dhe të paluhatshëm pro-perëndimor. Ky nuk ishte thjeshtë një sulm ajror por edhe një sër mesazhesh dhe përcaktimesh të Perëndimit në raport me Ballkanin dhe prioritetet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Intervenimi i NATO-s në Kosovë në esencë ishte edhe një përzgjedhje e partnerit dhe mikut të Aleancës në Ballkan për shekullin XXI, pra popullit shqiptar.

Intervenimi i NATO-s në Kosovë nuk ishte vetëm se i natyrës parandaluese, por është një proces që ende vazhdon edhe pas sulmeve ajrore që filluan më 24 mars 1999. Edhe pas zmbrapsjes së trupave serbe nga Kosova, NATO-ja vazhdoi të luaj rol kyç dhe udhëheqës në procesin e stabilizimit të vendit duke mundësuar kthimin e refugjatëve, në ndërtimin e  institucioneve të para të lira në Kosovë, në rindërtimin e paqes, në stabilizimin e mëtejshëm politik dhe rikthimin e besimit, në ndërtimin e një imazhi pozitiv ndërkombëtar për Kosovën deri në shpalljen e pavarësisë. Rasti i Kosovës përpos që për NATO-n shënon intervenimin e parë në historikun e vet, po ashtu është rasti i parë i Aleancës me një numër të roleve politike në ndërtimin e paqes dhe reformimin institucional. Për herë të parë Aleanca për shkak të Kosovës shkoi përtej misionit të vet, ishte dhe vazhdon të jetë e involvuar edhe në procesin e ndërtimit të shtete-formësisë së një vendi siç është Kosova. Madje, Aleanca Veri-Atlantike u angazhua në mënyrë dhe qasje aq unike dhe përtej misionit të vet në rastin e Kosovës saqë që nga fillimi e deri më sot është e angazhuar në demokratizimin e vendit duke qenë një garantues njëkohësisht, por edhe kontribuues çuditërisht për ndërtimin e një demokracie sa më funksionale- i cili koncept do te mbetet i shënuar në historikun e NATO-s. Tani është çështje tjetër se sa u arrit që të shfrytëzohet dhe lejohet ky angazhim madhor i NATO-s nga elitat politike kosovare në gjithë këto vite në (mos)funksionalizimin e demokracisë dhe shmangien e premisave korruptive nga proceset dhe institucionet e Kosovës?!

Pas 77 ditëve, intervenimi ushtarak i NATO-s përfundoi me rezultat efikas, por efekti pozitiv i intervenimit të 24 marsit të vitit 1999 vazhdoi politikisht edhe gjatë kohë në Kosovë. Procesi për liri dhe shtet-ndërtim i Kosovës është proces unik në historikun e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke marrë parasysh kombinimin e gjithë atyre aktorëve dhe faktorëve të involvuar si gjatë luftës së Kosovës po ashtu edhe në rrugën për pavarësi e pastaj edhe për shtet-ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve demokratike. Kjo më bën edhe më tepër të bindur se Kosova është storje e përbashkët e suksesshme e shqiptarëve dhe Aleancës Veri Atlantike. Ky kombinim është unik dhe jep mesazh edhe gjeo-strategjik përgjatë vijës lindore ndarëse kufitare të Evropës. Misioni i NATO-s në Kosovë i filluar më 24 mars 1999 do të konsiderohet i rrumbullaksuar në dy momente kur Kosova përfundimisht të anëtarësohet në NATO, si dhe i mbarë Ballkani, si dhe kur Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi në Ballkan do të dëshmojnë që substancialisht janë partnerë të paluhatshëm strategjikë në sigurinë rajonale të bërthamës së Aleancës Veri- Atlantike.

Aleanca mund të jetë udhëhequr kohë pas kohe edhe nga interesat e caktuara gjeo-politike apo të vendeve të saja anëtare, por Aleanca gjatë tërë kohës në rastin e shqiptarëve në Ballkan shkoi përtej kësaj konsiderate që nga fillimi duke hapur rrugën për kultivimin e një partneriteti me shqiptarë dhe duke ofruar përpos sigurisë edhe një ndihmë madhore konkrete. Madje, NATO gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 i dha krah edhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kontriboi për faktorizimin e saj dhe artikulimin e drejtë ndërkombëtar të qëllimeve liridashëse të UÇK-së. Edhe pas demilitarizimit të UÇK-së në Kosovë pikërisht NATO ishte garanca për sigurinë, por është njëkohësisht edhe një guidë në procesin e krijimit të ushtrisë modern të Kosovës.

Shqiptarët u janë mirënjohës vendeve anëtare të NATO-s gjithnjë për këtë angazhim historik dhe i obligohen NATO-s për kontributin madhor në rrugën liriadashëse dhe shtet-ndërtuese të Kosovës. Kështu që, NATO është pjesë e historisë modern të shqiptarëve. Por, kjo mirënjohje dhe dashuri ndaj NATO-s duhet të kultivohet më me kujdes dhe më me pasion në kuptim të vazhdimësisë edhe më tej, pa lejuar një rënie.

Në fillim kishte një eufori të pa përshkruar të shqiptarëve në raport me NATO-n. Në vitet e para pas çlirimit të Kosovës u thuren lavde të jashtëzakonshme për NATO-n, por dy dekada më pas që nga intervenimi i NATO-s, njerëzit dhe institucionet në Kosovë (ndoshta të preokupuar me problemet themelore te demokracisë e ekzistencës) disi sikur e harruan periudhën dhe emocionin e lavdeve ndaj rolit historik të NATO-s. Ai intervenim kujtohet akoma, por me kalimin e kohës nuk kujtohet me atë mirënjohje sa e meriton NATO-ja dhe vendet aleate. Ndoshta ndikim këtu ka edhe periudha e rëndë e turbulencave politike në Kosovë vitet e fundit dhe deficiti demokratik bën njerëzit që të jenë të preokopuar me çështje të politikës së brendshme.

Por, sidoqoftë, Kosova dhe në përgjithësi shqiptarët akoma nuk kanë arritur që ta shfrytëzojnë shansin e madh të ofruar nga Perëndimi që në esencë ka për bazë përcaktimin e NATO-s. Ndoshta që pas gjithë këtyre viteve me keqardhje duhet të konstatuar se Kosova dhe shqiptarët pjesërisht akoma mbetet të bëjnë në partneritetin e ofruar nga NATO dhe vendet anëtare. Shqiptarët dhe më konkretisht Kosova do të kishte mund ta shfrytëzonte shumë më mirë këtë periudhë të mbështetjes ndërkombëtare që nga 24 marsi i vitit 1999.

Që atëherë në kuptim të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në raport me shqiptarët kanë evoluar shumë gjëra në favor tonin dhe sikur të ishim më serioz do të kishim pozita edhe më të forta ndërkombëtare dhe rol të pakontestueshëm të një lideri në rajon. Sidomos sikur të ishim më serioz në detyrimet e marra para bashkësisë ndërkombëtare, funksionalizimin e demokracisë, në mënjanimin e dukurive retrograde në shoqëri, në çrrënjosjen e korrupsionit dhe mënjanimin e praktikave të krimit të organizuar, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe një shoqërie të lirë, pra sikur të ishim më të përgjegjshëm ndaj proceseve politike të brendshme, do të arrinim që të arsyetonim më bindshëm intervenimin ushtarak dhe sakrificës të vendeve anëtare të NATO-s në Kosovë.

Sikur të arrinim që të jemi më serioz dhe të shpalosnim platformat tona moderne politike dhe projektet konkrete kombëtare, me siguri që do ta përforconim partneritetin e ofruar nga Perëndimi. Mirëpo, dy dekada vite pas ndërhyrjes së NATO në Kosovë, sikur nuk kemi ecur sa duhet me ritmin e parashikuar. Lejimi i çfarë do qoftë forme të radikalizmit në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve në përgjithësi qoftë i manifestuar nëpërmjet dukurisë së radikalizmit fetar, qoftë përdorimit të dhunës në politikë, përpos që është në kundërshtim me traditat, vlerat dhe përcaktimet historike të shqiptarëve si komb, para së gjithash e dëmton imazhin e intervenimit dhe kontributin e NATO-s në Kosovë, duke e zmbrapsur partneritetin e shqiptarëve me Perëndimin dhe përfundimisht e bën të pajustifikueshëm intervenimin e NATO-s në vitin 1999.

Intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999 ka qenë një fanar dhe njëkohësisht shtytës i procesit të integrimit të vendeve të rajonit në NATO duke ndikuar që vendet e rajonit ballkanik të binden në praktikë se si NATO-ja paraqet një garantues të sigurisë dhe se prandaj është tejet i vlefshme për këto vende orientimi dhe reformat për anëtarësim në NATO. Çdo gjë në kuptim të integrimit të vendeve ballkanike në NATO në esencë filloi nga intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999.

Ndonëse pas intervenimit të NATO-s në Kosovë u paraqitën sfida seriozë të sigurisë në nivel global me luftën kundër terrorizmit dhe në zona jashtë Ballkani, të cilat zhvillimet mundeshin lirisht që t’i lëviznin prioritetet dhe përqendrimin e vendeve anëtare të NATO-s, megjithatë Aleanca Veri-Atlantike i qëndroi besnike miqësisë se me shqiptarët dhe Kosovën dhe vazhdoi pa një shkëputje me ofrimin e asistencës së projektit të Kosovës demokratike. Kjo qasje ishte edhe një konfirmim i përcaktimit të NATO-s për partneritet afatgjatë me shqiptarët në Ballkan, si dhe një pranim i faktit se intervenimi në vitin 1999 ka qenë gjeostrategjik për nga natyra.

Që  të merrej atëbotë vendimi për sulmet ajrore kundër caqeve serbe në Jugosllavinë e mbetur për herë të parë në historikun e NATO-s, kishte qëndrime edhe taktizuese përbrenda Aleancës por edhe qëndrime “për” dhe “kundër”, por nën udhëheqjen e SHBA-ve këto dallime u tejkaluan për një periudhë disa javore. Në të vërtetë, NATO-s në fillim të vitit 1999 iu deshtë kohë që të lansoj operacionin e vet të parë ushtarak intervenues, meqë vendet anëtare të Aleancës janë demokraci liberale dhe rrjedhimisht për vendimet e mëdha në politikat e tyre të jashtme dhe për intervenime ndërkombëtare merret parasysh opinioni i brendshëm publik në ato vende anëtare. Intervenimi ndodhi vetëm pasi që u përgatit opinioni i brendshëm publik i vendeve më të mëdha anëtare ku u siguruan imazhe nëpërmjet mediave ndërkombëtare dhe argumente politike që intervenimi në Kosovë mos të ishte në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare, porse bëhej me kauzën e shpëtimit të një gjenocidi dhe të drejtave njerëzore.

Përpos që të arrijë zgjidhjen paqësore të luftës së Kosovës, duke udhëhequr reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, intervenimi i NATO-s në Kosovë në vitin 1999 paralajmëronte edhe angazhimin e Aleancës në të ardhmen në rolin e promovimit të stabilitetit dhe sigurisë në vendet fqinje të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe më vonë të shërbejë me këtë intervenim si katalizator për vendet aspiruese për integrim në NATO. Pra, me projektin e intervenimit në Kosovë në fakt NATO paralajmëroi edhe fillimin e një roli të vet të ri dhe ambiciet e reja në kuptimin gjeostrategjik. Me intervenimin në Kosovë NATO shkoi përtej misionit të vet të Luftës së Ftohtë. Kështu që intervenimi në fjalë mund të konsiderohet se ka krijuar një profil të ri për NATO-n në kuptim të rolit, kapaciteteve dhe misionit të vet të ardhshëm evolues. Nëpërmjet intervenimit në Kosovë në 50 vjetorin e vet Aleanca ia arriti që të jep një mesazh të fuqishëm në kuptim të natyrës së intervenimit humanitar përballë pengesave të së drejtës ndërkombëtare. Me këtë u dha mesazhi për potencialin e NATO-s në shekullin XXI në kuptim të rreshtimit të forcave në sistemin e sigurisë globale.

Mirëpo, edhe përskaj synimit të dhënies së një mesazhi për qëllime të sistemit të sigurisë globale, duke lëvizur përtej misionit dhe përcaktimeve të veta, prapë së prapë NATO këtë nuk e bëri nga motivi i kalkulimeve të veta, por esnecialisht intervenimin në vitin 1999 e bëri për Kosovën dhe shqiptarët, hap të cilin e bën vetëm për një partner të vlefshëm afatgjatë, apo vend anëtar. Në fakt, për rastin e Kosovës, NATO rrezikoi aq larg madje nuk e priti edhe një aprovim të rezolutës së Këshillit të Sigurisë së OKB-së për filluar intervenimin. Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi i obligohen gjithnjë NATO-s dhe vendeve anëtare, kështu që gjatë dekadave të  ardhshme të proceseve politike të brendshme shqiptare duhet ta arsyetojnë në vazhdimësi aktin e intervenimit dhe ndihmës së NATO-s që nga viti 1999.

(Ky është një fragment nga libri i Prof. dr. Veton Latifit, me titull “Ballkani në Marrëdhëniet Ndërkombëtare bashkëkohore”. Titulli i origjinalit “The Balkans in Contemporary International Relations” botuar nga Universiteti i Varshavës, 2021.)

300x250

Related posts

Roboti Echo që “spiunon” pinguinët në Antarktidë

e-max

Peshqit robotë mund të ndihmojnë në pastrimin e oqeaneve

e-max

Mijëra agjentë sekret, qindra ushtarë dhe miliona informatorë, kush e themeloi KGB-në?

e-max