GazetaMax
Uncategorized

Kategorizimi i mësimdhënësve në Ligjin e pagave – sfidat dhe mundësitë

Ligji i pagave është nevojë imediate në Republikën e Kosovës, sepse edhe pas 14 vitesh nga shpallja e Pavarësisë dhe gati 23 vjet nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, punëtorët e sektorit publik janë akoma pa ligj të pagave.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250

Përtej interesave partiake apo grupore, Ligji i pagave kërkon hartim profesional, qasje racionale dhe ndarje të ekuilibruar të koeficientëve varësisht nga detyrat me të cilat ngarkohet punonjësi, i cili paguhet nga buxheti i shtetit.

Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të jetë shumë e kujdesshme gjatë përpilimit të këtij ligji, në mënyrë që ky ligj të mos kthehet mbrapsht për shkak të diskriminimeve nga institucione që merren me të drejtat e njeriut apo nga Gjykata Kushtetuese.

Pavarësisht rëndësisë së çdo sektori, një vëmendje dhe kujdes i veçantë duhet kushtuar kategorizimit të mësimdhënësve në këtë ligj, pasi nga arsimi përmbushen të gjithë sektorët e shtetit.

Ka ardhur koha që qeveria dhe MASHT-i të gjykojnë arsyeshëm punën e mësimdhënësve që janë të përkushtuar në punën e tyre, e që janë pjesa dërrmuese e këtij sektori dhe jo të merren me 10-15 përqindëshin e tyre, të cilëve aksidentalisht u ka mbetur profesioni i mësimdhënësit në dorë.

Me këta të fundit duhet të merret gjatë vlerësimeve të performancave të tyre, assesi të futen si temë diskutimi gjatë hartimit të Ligjit të pagave. Mësimdhënësit e Arsimit Parauniversitar meritojnë trajtim të dinjitetshëm në këtë ligj, nga edukatorët e deri tek profesorët e shkollave të mesme.

Më shumë se kurrë, tani, në këto rrethana të rritjes së çmimeve, ky ligj duhet të reflektojë barazi sociale, trajtim meritor dhe mundësi përfitimi çdo vit varësisht nga përqindja e rritjes ekonomike vjetore. Sindikatat e sektorëve gjegjës duhet të përfshihen gjatë hartimit të Ligjit të pagave dhe të jenë zë i arsyeshëm, pa ndikime nga grupe të caktuara ose individë të politikës. Sepse shumë herë punën e mësimdhënësve e zënë në gojë, ata, që fare nuk e njohin funksionimin e sistemit arsimor. Ata që realisht e vlerësojnë punën e mësimdhënësve janë ata që kanë qenë nxënës shembullor dhe studentë shembullor, jo ata që mezi e kanë marrë vitin shkollor, të tillë individë gjithmonë do ta fyejnë e shajnë punën e atyre që i kanë mësuar.

Sa për informimin e publikut po i përmendi disa nga obligimet dhe përgjegjësitë e një mësimdhënësi, të cilat dalin nga kontrata e që çdo mësimdhënës i përkushtuar i respekton në përpikëri, e që të njëjtat duhet të analizohen gjatë kalkulimit të koeficientëve në Ligjin e pagave. Ato janë:

– 20 orë mësimore në javë me nxënës

– 20 orë mësimore përgatitore në javë (planifikimi ditor)

– Kujdestaria e klasës

– Kujdestaria ditore

– Mësimi plotësues

– Mësimi shtues

– Aktivitete kulturore e sportive jashtë mësimit të rregullt

– Përgatitja e planeve javore, dymujore dhe vjetore

Duke marrë parasysh të gjitha këto përgjegjësi, mësimdhënësit meritojnë trajtim dhe paga të dinjitetshme karshi punës që bëjnë, as më pak e as më shumë. Një kategorizim meritor do ta shtonte akoma përgjegjësinë dhe cilësinë në arsim dhe po ashtu do të shtohej edhe arsyeja për llogaridhënie nga mësimdhënësit.

E nëse nuk ka paga të dinjitetshme për ata, të cilët e furnizojnë tregun e punës me kuadro, atëherë cili sektor tjetër na qenka më me prioritet?!

(Autori është mësimdhënës)

300x250

Related posts

Google iu bën thirrje përdoruesve që ta përditësojnë Chrome-in

e-max

Rilindja e një krijese të vdekur!

e-max

Mos e përdorni asnjëherë telefonin nëse e ka xhamin e thyer

e-max