GazetaMax
Uncategorized

Kriza energjetike, rritja e çmimeve dhe politikat qeveritare: Tajmingu, shtrirja dhe targetimi

Nga fillimi i krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve janë sjellë mbi 30 masa në vlerë mbi 600 milion euro për të mbrojtur amvisëritë dhe ekonominë

Kaluan dy javë të furishme që nga 24 shkurti famëkeq, kur Rusia filloi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës. Goditje e rëndë për njerëzimin, për shkak të mijëra jetëve të humbura dhe tragjedive familjare. Goditje e fuqishme edhe për ekonominë botërore dhe standardin e jetesës së miliona qytetarëve anembanë botës. Pse është goditur popullsia botërore? Sepse kriza ukrainase nuk është vetëm luftë ndërmjet dy vendeve, por luftë midis dy hallkave shumë të rëndësishme në zinxhirët globalë të furnizimit. Rusia është eksportuesi më i madh i gazit, eksportuesi i dytë më i madh i naftës, eksportues i rëndësishëm i metaleve, ndërsa së bashku me Ukrainën janë ndër eksportuesit më të mëdhenj të drithërave në botë.

Gjatë këtyre dy javëve, kur rubla fundosej, çmimi i naftës për barrel (fuçi) arrinte kulmin (për herë të parë që nga viti 2008 arriti mbi 130 dollarë për barrel) dhe komuniteti ndërkombëtar vendosi sanksione për izolimin ekonomik ndaj Rusisë. U bë e qartë se kriza në Ukrainë do të reflektojë në ekonominë globale. FMN-ja njoftoi tashmë se do ta rishikojë projeksionin në rënie për rritjen ekonomike vjetore, pasi që gjatë muajit janar ky projeksion tashmë u zvogëlua për 0.5 pikë përqindjeje në 4.4%. Banka Qendrore Evropiane rishikoi tashmë projeksionin e saj të rritjes për ekonominë e eurozonës nga 4.2% në 3.7%, që deri diku është pozitive, sepse aktualisht ekonomia evropiane nuk pritet që të hyjë në recesion të ri (Ky është lajm i mirë edhe për ne, duke pasur parasysh lidhjen e ekonomisë së brendshme me atë evropiane). Pritshmëria e BQE-së, gjatë mbledhjes në muajin dhjetor për inflacionin në eurozonë u rrit nga projeksioni prej 3.2% në 5.1%. Ata presin që inflacioni të ketë rënie në 2.1% në vitin 2023, ndërsa në vitin 2024 do të bjerë nën 2% gjegjësisht në 1.9%.

Ajo që u spikat si sfida më e madhe për hartuesit e politikave sigurisht është se situata në Ukrainë ka kontribuar për kulminacionin e presioneve të çmimeve mbi produktet primare në bursat botërore. Këto presione të çmimeve filluan në vitin 2021 ose e njohur ndryshe për opinionin publik si kriza energjetike. Në fillim të pandemisë 2019-2020 kishte rënie të madhe të kërkesës së energjisë dhe si rezultat pasoi ulja e prodhimit të naftës. Kur ekonomitë filluan të funksionojnë brenda “normales së re”, prodhuesit reaguan ngadalë ndaj rimëkëmbjes së kërkesës. Njëkohësisht, pati disa zhvillime lokale në drejtim të krizës energjetike. Për shembull, në fund të vitit 2020, Kina bllokoi plotësisht importin e qymyrit nga Australia. Brazili – i cili dy të tretat e energjisë elektrike i merr nga hidrocentralet – u ballafaqua me thatësirën më të madhe të shekullit të kaluar. Njëkohësisht, këtu mund ti cekim edhe përpjekjet për energjinë e gjelbër dhe zvogëlimit të emetimeve të CO2 në Bashkimin Evropian. Rreth një e pesta e rritjes së çmimit të energjisë elektrike mund t’i atribuohet përpjekjeve për zvogëlimin e emetimeve të dioksidit të karbonit. Këtë e theksoi edhe Komisioneri Evropian për aktivitetet klimatike, Frans Timermans.

Rritja e çmimeve të energjisë në bursat botërore, duke përfshirë edhe produktet primare, nxiti presionet e përgjithshme të çmimeve që nëpërmjet tregjeve ndërkombëtare u reflektuan në ekonomitë nacionale. Tani, këto presione, si rezultat i kulminacionit të krizës ruso-ukrainase, po bëhen gjithnjë e më të fuqishme.

Masat e para të miratuara në verë të vitit të kaluar

Si ekonomi e vogël dhe e hapur, si edhe shumica e ekonomive të botës, ndjeu lëvizje në tregjet ndërkombëtare të produkteve parësore (energjia dhe ushqimi). Ashtu siç zhvillohej kriza, lëvizjet e çmimeve të këtyre produkteve ndjeheshin më pak gjatë vitit 2021, por u intensifikuan në fund të vitit dhe arritën kulmin në fillim të vitit 2022. Edhe pse dikush, ndoshta për qëllime politike, mund të thotë se vonë miratojmë masa, e vërteta është se masat e para Qeveria i ndërmori para më shumë se gjysmë viti, me uljen e normës së TVSH-së për energjinë elektrike.

Me ndryshimet në Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, normën e tatimit për qarkullimin e energjisë elektrike për amvisëritë në muajin korrik të vitit të kaluar e ulëm nga 18% në 5%, përfshirë muajin qershor të vitit 2022. Me vendosjen e normës tatimore preferenciale u mundësuam qytetarëve që të mos e ndjejnë ndikimin fillestar të çmimit të energjisë. Gjithashtu, me qëllim të amortizimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe ngrohjes qendrore, Qeveria dy herë (në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022) ka transferuar 5.3 miliardë denarë ose gjithsej rreth 10.6 miliardë denarë për Elektranat e Maqedonisë së Veriut. Kjo rezultoi në korrigjim shumë më të vogël të çmimit të energjisë elektrike dhe termike (ngrohjes qendrore) nga vlera reale e tregut, përkatësisht çmimi është rreth 20% nga ai i tregut. Gjithashtu, në muajin dhjetor u ngrinë çmimet e disa prej produkteve ushqimore bazë, ndërsa pas përfundimit të kësaj mase u miratua masa për kufizimin e marzhit për këto produkte.

Në drejtim të mbrojtjes së standardit jetësor të qytetarëve ishte edhe rritja e pagës minimale dhe pensioneve, për të mbrojtur qytetarët që kanë të ardhura më të ulëta se mesatarja.

Tani, dy javë pas fillimit të krizës ruso-ukrainase, prezantojmë pakon prej 26 masave në drejtim të mbrojtjes së standardit të jetesës së qytetarëve dhe përkrahjes së ekonomisë. Vlera e pakos së fundit të masave u vlerësua me rreth 400 milionë euro, por nëse marrim parasysh masat paraprake të ndërmarra nga Qeveria vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti, vlera që është ndarë deri më tani për zbutjen e goditjeve të çmimeve te qytetarët është rreth 615 milionë euro. Kjo vlerë është afër vlerës që Kroacia ka paraparë për ballafaqim me presionet e çmimeve ose rreth 635 milionë euro. Për krahasim, Greqia parasheh 500 milionë euro, Sllovenia dhe Shqipëria rreth 200 milionë euro etj.

Krahasuar me rajonin, aktualisht kemi çmimet më të ulëta për produktet bazë, si vajin ushqimor, sheqerin, miellin dhe karburantet. Kështu, një litër disel në vendin tonë është rreth 0.3 euro ose rreth 18 denarë më lirë në krahasim me Serbinë, Kroacinë dhe Malin e Zi. Nëse një litër vaj luledielli në vendin tonë kushton 1.5 euro, në Kroaci është 2.2 euro, në Mal të Zi 1.89 euro, në Kosovë 1.77 euro, Bosnje dhe Hercegovinë 1.76 euro dhe Serbi 1.7 euro. Kurse sa i përket çmimeve për një kilogram miell dhe një kilogram sheqer në vendin tonë krahasuar me rajonin janë më të ulëta deri në 20 eurocent.

Kur bëj këto krahasime, nuk do të doja që lexuesi të më keqkuptonte. Askush nuk ngushëllon askënd që fqinjët tanë paguajnë çmime më të shtrenjta. Kryejmë analizë të përshtatshme ekonomike të situatës në mënyrë që të kemi një pasqyrë të plotë rreth situatës. Në këtë drejtim do t’i rikthehem pakove të masave që këto vende zbatojnë dhe planifikojnë, si dhe vendet e tjera evropiane, sepse presionet ndihen kudo dhe të gjithë prezantojnë masat dhe aktivitetet e tyre.

Çfarë ndërmorën fqinjët tanë dhe vendet evropiane?

Nëse analizohen masat që janë planifikuar të zbatohen dhe ato që janë duke u zbatuar në vendet e rajonit dhe në vendet evropiane mund të kategorizohen në transferta për popullatën e kategorisë më të ndjeshme, ulje të tatimeve të energjensave dhe rregullim të çmimeve të shitjes me pakicë.

Kështu, pakoja në Kroaci, zbatimi i së cilës pritet të ulë presionet e inflacionit në gjysmën e dytë të vitit, përbëhet nga masa në drejtim të uljes së TVSH-së dhe masa për ndihmë direkte financiare. Ata parashohin ulje të TVSH-së për gazin nga 25% në 13%, por në vitin e parë në 5%, TVSH-ja sa i përket drurit për ngrohje ulet në 13%, ndërsa produktet ushqimore bazë si mishi dhe peshku i freskët, frutat, perimet, vaji ushqimor dhe ushqimi për fëmijë në 5%, në nivelin e bukës dhe qumështit. Me normë prej 5% do të tatimohen edhe mjetet higjienike dhe biletat sportive e kulturore do të tatimohen gjithashtu me normën 5%. Gjithashtu, parashohin edhe ndihmë direkte financiare për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, si shfrytëzuesit e ndihmës sociale dhe pensionistët, por do të përkrahin edhe sipërmarrësit dhe bujqit.

Masat në Slloveni destinohen në transfertat financiare të targetuara. Ato ofrojnë gjithashtu përkrahje për pensionistët, shfrytëzuesit e ndihmës sociale, shfrytëzuesit e shtesës së invaliditetit dhe të fëmijëve, familjet me shumë fëmijë dhe prindërit kujdestarë. Gjithashtu, parashohin lirimin nga detyrimi në nivel tremujor për pagesë sa i përket përkrahjes së prodhuesve të energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe prodhimtarinë me efikasitet të lartë, si dhe kompensimet për rrjetin e distribuimit dhe transmetimit, për të gjitha amvisëritë.

Serbia miratoi masa për përmirësimin e efikasitetit energjetik përmes përkrahjes financiare për amvisëritë. Për të ulur inflacionin, Serbia vendosi masë për ngrirjen (fiksimin) e çmimeve të miellit, sheqerit, vajit të lulediellit, mishit të derrit dhe qumështit dhe ndalimin e eksportit të disa produkteve bazë.

Mali i Zi, kohëve të fundit miratoi masa për uljen e akcizës së karburantit për 20% dhe ndihmë të njëhershme prej 50 euro për pensionistët, pensionet e të cilëve janë nën mesataren. Gjithashtu u miratua vendimi për rritjen e stoqeve të ushqimit dhe karburanteve, si dhe vendimi për krijimin e rezervave të mallrave (Decision for establishment of commodities’ reserves), pasi Mali i Zi nuk ka rezerva të mallrave që nga viti 2003.

Në Greqi, Bullgari dhe Shqipëri janë vendosur modele për subvencionimin e çmimeve të energjisë elektrike për amvisëritë dhe bizneset, ndërsa në Kosovë janë vendosur kufizime në furnizimin me energji elektrike për dy orë për shkak të rritjes së konsumit, prodhimtarisë së ulët vendase, çmimeve të larta të importit dhe çrregullimeve të shkaktuara nga çekuilibri në rrjetin evropian të transmetimit.

Vendet e BE-së ndërmarrin masa të ngjashme. Gjermania njoftoi lidhur me pagesën e detyrimit të çmimit të energjisë elektrike dhe janë ndërmarrë masa për kategoritë më të ndjeshme të amvisërive që të mbulojnë plotësisht faturat e tyre sa i përket ngrohjes. Gjermania parasheh gjithashtu grante të njëhershme për amvisëritë me të ardhura të ulëta, të cilat do të paguhen gjatë periudhës së verës kur amvisëritë marrin faturat nga furnizuesit e energjisë.

26 masa për çmimet e ushqimeve, karburanteve, përkrahje për kategoritë e ndjeshme dhe kompanitë

Kur Qeveria jonë konceptoi pakon prej 26 masave antikrizë për mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve, sigurisht që i morëm në konsideratë edhe përvojat e vendeve të tjera të Evropës dhe të rajonit. Megjithatë, masat janë hartuar sipas nevojave të ekonomisë dhe qytetarëve tanë. Nëse analizohet pakoja e fundit e masave, mund të grupohen disa kategori të masave. Kështu, sipas llojit, parashikuam masa tatimore, përkrahje financiare, kufizime administrative që do të ndikojnë mbi çmimet dhe masa për kursimin e energjisë. Nëse grupohen sipas drejtimit të veprimit, kemi masa që i referohen amortizimit të rritjes së çmimeve të ushqimeve, çmimeve të karburanteve, efikasitetit energjetik dhe përkrahjes për kompanitë.

Sa i përket masave për uljen e çmimit të ushqimeve, ulëm normën preferenciale të TVSH-së për produktet ushqimore bazë nga 5% në 0%. Kjo vlen për produktet bazë si buka, sheqeri, mielli, vaji i lulediellit, qumështi, mishi i freskët, orizi dhe vezët.

Për efekt më të madh, kjo masë do të zbatohet paralelisht me ngrirjen e marzheve të disa produkteve ushqimore bazë. Kështu, në periudhën prill-qershor të këtij viti, parashihet ngrirja administrative e marzheve, për parandalimin e fitimeve mbi normale, në periudhë të krizës energjetike dhe normë më të lartë inflacioni, kur çmimet e produkteve ushqimore i nënshtrohen korrigjimeve të shpeshta në rritje.

Në kuadër të pakos së masave, parashikuam masën autonome për importin e produkteve ushqimore bazë dhe lëndëve të para që kanë detyrime doganore nga të gjitha vendet, si gruri, mielli – lloji 400 dhe vaji ushqimor i lulediellit.

Për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve parashikuam që në periudhën prill-qershor t’u ofrojmë ndarjen e vauçerëve në vlerë prej 1000 denarëve për çdo muaj, të cilat do të shfrytëzohen për blerjen e produkteve bazë. Për të gjithë pensionistët, duke filluar nga pensioni i muajit mars dhe duke përfunduar me pensionin e majit maj, përveç pensionit janë paraparë subvencione shtesë prej 1.000 denarë.

Lidhur me çmimet e karburanteve, kemi ndërmarrë lehtësime më serioze tatimore përmes përllogaritjes. Një prej tyre është norma preferenciale e TVSH-së prej 5% për energjinë elektrike për amvisëritë deri në fund të vitit. Gjithashtu, rekomanduam vendosjen e bllok-tarifave që për sasi më të vogël të konsumit të energjisë elektrike të tarifohet me çmim më i ulët, me ç’rast do të mbrohen ata që kanë të ardhura më të ulëta, por edhe do të motivohen për kursime shtesë në shfrytëzimin e energjisë elektrike. Njëkohësisht, përmes programit për varfëri energjetike, për amvisëritë me të ardhura të ulëta, fatura mujore për konsumimin e energjisë do të ulet për 600 apo 800 denarë në muaj, varësisht nga vlera e të ardhurave.

Qeveria do vazhdojë të subvencionojë çmimin e energjisë elektrike në tregun e rregulluar, në kushtet e krizës energjetike evropiane dhe rritjes së konsiderueshme të çmimit në bursë lidhur me energjinë elektrike. Do vazhdojë subvencionimi i çmimit të ngrohjes qendrore.

Në drejtim të zbutjes së çmimeve të karburanteve, të cilat gjatë këtyre ditëve arritën nivelin më të lartë në 14 vitet e fundit, ulëm normën e TVSH-së nga 18% në 10% në qarkullimin e benzinës pa plumb, vajit të gazit, gazit të lëngshëm të naftës (GLN) dhe metanit. Masa pritet të ndikojë në mbrojtjen e fuqisë blerëse të konsumatorëve përfundimtarë, përfshirë bujqit që prodhojnë në përmasa të vogla.

Gjithashtu në këtë drejtim ulëm akcizën për karburantet, në bazë të lëvizjeve të çmimeve në bursë. Me ndryshimet në Ligjin për akciza, ajo do të ulet për 1, 2 ose 4 denarë për çdo litër për benzinë ​​pa plumb, disel dhe karburant ekstra të lehtë, në përputhje me çmimin mesatar ditor në bursë të “Mediterranean cargoes FOB (Italy)”.

Gjithashtu, për përkrahjen e importuesve, ata do të lirohen nga pagimi i TVSH-së për importin e gazit natyror dhe energjisë elektrike, energjisë termike ose energjisë për ngrohje apo ftohje. Masa do të ndikojë pozitivisht në likuiditetin e kompanive, për vlerën e tatimit që do të paguanin për importin e tyre.

Tashmë deklarova dhe do ta theksoj edhe këtu, këto pak ditë treguam se si institucionet në sistem veprojnë me efikasitet më të lartë në interes të qytetarëve. Pas shpalljes së masave, Ministria e Financave përmes Qeverisë dorëzoi në Kuvend ndryshime të Ligjit për TVSH-në dhe Ligjit për akciza. Kuvendi i miratoi ndryshimet në orët e vona të mbrëmjes para mesnatës së të premtes, ndërsa Qeveria menjëherë pas kësaj, miratoi vendim me të cilin operacionalizohen lehtësimet tatimore. Komisioni Rregullator i Energjetikës, menjëherë pas publikimit të ligjeve dhe vendimeve në Gazetën Zyrtare, ka thirrur mbledhjen ku përcaktoi çmimet e reja të karburanteve, gjegjësisht uljen e çmimeve të karburanteve për 7%-9%. Jam krenar që kemi treguar një nivel të efikasitetit gjerman në interes të qytetarëve.

Por, t’i referohemi sërish pakos antikrizë. Parashikuam më shumë për rritjen e efikasitetit energjetik. Një prej tyre është rekomandimi për komunat për riorganizimin e transportit publik, por edhe rekomandimi për kursim dhe shfrytëzim të arsyeshëm të energjisë elektrike, sepse ajo që do na ndodhë të gjithëve, varet nga secili prej nesh, si individ. Secili nga ne, qytetarët, duhet të kuptojë se çmimi që paguajnë për energjinë elektrike është vetëm 20% të çmimit real, për shkak të subvencioneve nga qeveria. Kur veproni në mënyrë të paarsyeshme si konsumator, veproni në mënyrë të paarsyeshme edhe ndaj buxhetit të shtetit, përkatësisht ndaj mjeteve të përbashkëta të të gjithë qytetarëve.

Parashikuam disa masa për përkrahjen e kompanive, si instrument financiar përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim që do të sigurojë qasje në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (por edhe amvisëritë) për investime në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe zgjidhjet për efikaseitetin energjetik. Gjithashtu, parashikuam linjën e re kreditore për përkrahjen e kompanive që përballen me krizën energjetike dhe stimulimin e investimeve në burimet e ripërtëritshme të energjisë përmes bankave tregtare. Gjithashtu në dispozicion është edhe Fondi garantues përmes Bankës Zhvillimore për dhënien e portfolio garancive për shoqëritë mikro, të vogla dhe të mesme dhe garancive individuale për tregtarët e mëdhenj që eksportojnë nëpërmjet garantimit të portfolio garancive.

Vazhdojmë me strategjinë për Konsolidim Financiar

Nga vijnë paratë për këtë pako të masave ? Nga këto 400 milionë euro, aq sa vlen pakoja e përgjithshme, rreth 90 milionë euro janë heqje dorë nga të hyrat dhe rreth 310 milionë euro janë shpenzime direkte fiskale. Megjithatë, jo të gjitha masat do të zbatohen njëkohësisht. Një pjesë prej tyre janë afatshkurtra – si lehtësimet tatimore dhe subvencionet për kategoritë e ndjeshme të qytetarëve, ndërsa ka masa afatmesme që lidhen me fondet për përkrahjen e kompanive. Një pjesë e mjeteve do të sigurohen nga organizata financiare ndërkombëtare, si BERZH-i. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, ndikimi ekonomik i masave pritet të jetë mbi 500 milionë euro, duke pasur parasysh efektin multiplifikues të disa masave dhe Planin për rritje të përshpejtuar, sipas të cilit, përveç mjeteve buxhetore, mobilizohen mjete edhe nga sektori privat.

Përkrahja financiare për qytetarët dhe ekonominë është jashtëzakonisht e rëndësishme gjatë viteve të furishme ekonomike. Sipas kësaj, konsolidimi i parakohshëm fiskal (tërheqja e hershme e përkrahjes financiare për ekonominë dhe kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve) do të zgjaste periudhën e rimëkëmbjes dhe në fund, mund të rezultonte në borxh publik më të lartë si përqindje e PBB-së. Në këtë drejtim, mbetet i hapur debati lidhur me solidaritetin ndërmjet gjeneratave, distribuimit të të ardhurave dhe borxhit. Gjatë vitit do të ketë ristrukturim të buxhetit, ashtu si çdo vit, ku do të ridestinohen mjete të caktuara që nuk do të shfrytëzohen realisht për këto pozicione.

Para se ta përfundoj këtë kolumnë, dëshiroj të theksoj se edhe në aspekt të një skenari të zgjatur të krizës në tregun botëror të energjensave dhe produkteve parësore, hapësira fiskale lejon intervenim shtesë, me qëllim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive. Por ajo që është shumë e rëndësishme për të gjithë ne në këtë periudhë krize dhe çmimesh të larta të produkteve ushqimore bazë dhe energjensave është se të gjithë mund të japim kontribut të madh me veprimet tona, nëse kursejmë dhe shfrytëzojmë më racionalisht energjensat në këtë periudhë, në mënyrë që diferencat e çmimeve kanë më pak gjasa të reflektojnë në të ardhurat e tyre, qoftë në nivel të individit, familjes apo ndërmarrjes.

Në fund, do të shtoja se, askush nuk thotë se do të jetë e lehtë, por pohoj se unë si ministër i Financave bashkërisht me kolegët e mi në Qeveri do të do të bëjmë çmos që qytetarët të ndjejnë sa më pak presionet nga koflikti ruso-ukrainas. Në fakt, këtë e dëshmuam me masat antikrizë gjatë pandemisë, të cilat amortizuan ndjeshëm efektet në ekonomi dhe për të cilat morëm vlerësimet më të mira nga institucionet financiare ndërkombëtare. Ndërkohë, në periudhën afatmesme dhe afatgjate, vijojmë të mbetemi të mirëvendosur në kornizën makroekonomike dhe fiskale, ku parashohim konsolidim fiskal dhe rritje të përshpejtuar, në drejtim të zhvillimit të ekonomisë tonë.

Monitorim vigjilent, përgjigje në kohë dhe me përgjegjësi ndaj sfidave në kohë pasigurie të madhe dhe nevojа për të menaxhuar me sukses pritshmëritë

Përkundër zbutjes së pritshme të efekteve të krizës së çmimeve dhe energjetikës me masat e marra nga qeveria, pasiguria mbetet e lartë, prandaj edhe mundësia e spekulimeve mbetet aktuale. Na pret një detyrë e vështirë dhe e përgjegjshme, të ndjekim nga afër zhvillimet, konsultimet e vazhdueshme dhe komunikimi transparent, për të ruajtur besueshmërinë e institucioneve dhe për të shmangur kështu spekulimet e mundshme dhe kështu për të menaxhuar më mirë pritshmëritë si përcaktues kyç për suksesin e politikave socio-ekonomike. Dhe kjo në kohë krize nuk është një detyrë e thjeshtë, por një mision i përbashkët i të gjithë aktorëve në shoqëri, politikëbërësve, establishmentit politik, komunitetit të biznesit, komunitetit të ekspertëve dhe akademikëve, mediave, sektorit të shoqërisë civile dhe thjesht çdo qytetari.

Related posts

Snapchat po rritet më shpejtë sesa Facebook dhe Twitter

e-max

Kufje që pastrojnë ajrin e ndotur

e-max

WhatsApp nuk ndalet, së shpejti 5 ndryshime të reja

e-max

Leave a Comment