GazetaMax
Uncategorized

Një raport kundërshqiptar si ai i Dik Martit!

Një raport kundërshqiptar si ai i Dik Martit!

(Disa arsyetime e qëndrime ndaj shkrimit

”Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”,

nga kryetari i ASHAK, akademik Mehmet Kraja, në dhjetor 2022).

  1. Arsyetim

Të shfrytëzosh funksionin që ke dhe dijen që ke, të cilat i ke marrë nga populli yt, për ta sulmuar e përdhosur popullin tënd, për ta kriminalizuar historinë e popullit tënd, në emër të popullit tënd, nuk është as etike, as funksionale, as intelektuale, as profesionale, as logjike, as qytetare.

Të urresh është krejt normale, por të urresh atë që të ushqen, që të mban të sigurt dhe që të krijon perspektivën e jetës është djallëzore.

Një gjykatë naziste, që ka dalë nga shinat dhe rrokulliset në humnerën e kundërligjit për interesa të kundërpolitikës, po na e dënon historinë më të lavdishme të atdheut e kombit. Këtë e kam kuptuar, por që një akademik, të marrë atributet e një gjykate kundërkombëtare për ta kriminalizuar historinë e kombit të cilit i përket për nga vendlindja dhe gjeneralitetet, kjo është shumë e dhimbshme.

E, prej këtej lind pyetja: A kemi nevojë vërtet për një raport numër dy të Dik Martit, të shkruar tashmë jo nga serbët, por nga një akademik shqiptar, për të na e dënuar krejt historinë, sepse raporti numër një, na e ka dënuar veç Luftën Çlirimtare të Kosovës? Është shumë e dhimbshme të flitet me papërgjegjësi dhe me përbuzje e urrejtje për gjithçka, për një kohë, për një komb, për një popull, për një atdhe, të cilëve u përket, sikur je një gjysh analfabet që nuk kupton asgjë nga çfarë është vlerë dhe çfarë antivlerë, çfarë është interes dhe çfarë kundërinteres, çfarë është shkencore dhe çfarë është politikë e rrugës etj.

Në këtë pozitë vlerësojmë se ka rënë kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Dhe, po t’i referohemi titullit të shkrimit të tij dhe adresës, rezulton se nuk është e saktë. Aty shkruhet: Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor Analizë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. E, duke lexuar përmbajtjen e këtij shkrimi, gjithkush do të pyeste: Ku qëndron e reja në këtë shkrim? Cili është zbulimi? Cila është analiza? Çfarë është përftimi kombëtar nga ky punim? Po përftimi ballkanik, cili është?

Duke lexuar shkrimin kuptohet se thjesht janë renditur disa copëza historie, të cilat i ka vënë në evidencë gjithkush që ka shkruar diçka për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por edhe ato janë paraqitur sikur i paraqesin serbët. Janë paraqitur sikur synimi i tyre është të tremben shqiptarët dhe të rrinë larg serbëve, sepse mund të kenë pasoja. Çudi më duket të shkruhet me këtë frymë!

Po kështu, ky punim emërtohet analizë? Po ku është analiza këtu? Çfarë faktorësh analizohen, peshohen, ballafaqohen, arsyetohen, për të nxjerrë një përfundim? Çfarë avantazhesh dhe disavantazhesh paraqiten dhe si do të trajtohen ato për ta bërë situatën më të favorshme për shqiptarët? Për problematikat që duhet të shtrohen në një analizë e që nuk janë shtruar, duhet përcaktuar edhe cilat janë pikat e forta, cilat janë mundësitë, cilat janë dobësitë, cilat janë sfidat dhe si duhen zhvilluar të gjitha këto në interes të forcimit të sigurisë e të zhvillimit të vendit: Ku janë këto në atë shkrim?

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, analizë është: ”Një metodë studimi me të cilën e tëra zbërthehet në pjesët e veta përbërëse, me qëllim që të zbulohet ndërtimi i së tërës dhe lidhjet ndërmjet pjesëve. Shqyrtimi i një çështjeje duke zbërthyer dhe duke vështruar nga të gjitha anët me imtësi.[1]

Derisa analizoj është: ”Shqyrtoj një çështje duke e zbërthyer e duke e parë nga të gjitha anët.[2] Çka do të thotë se duhet të arsyetohet me përbërës konkretë dokumentesh, shqyrtimesh, përfundimesh, dëshmitarësh, studimesh, tezash, zbërthimesh, vështrimesh, shkaqesh, vetish, konsultash dhe ballafaqimesh, për të ardhur në një përfundim të pranueshëm dhe me vlerë për fushën në të cilën bëhet analiza përkatëse.

Ndërsa në punimin: Analizë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me titull: Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin perëndimor, nuk vërehet asgjë nga ato elemente të analizës dhe nuk ka asgjë që të mos jetë e njohur e botuar dhe e publikuar me dhjetëra herë.

Përveç që më ngjason si një kopje e dy memorandumeve të Beogradit: Memorandum i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve – i vitit 1986 dhe Memorandum i Kishës serbe për Kosovën – i vitit 2003. Këto dy memorandume dhe kjo analizë ngjasin si dy pika uji veçse me ndryshimet e domosdoshme për përkatësinë e autorëve dhe kohën “e deklarimit”. Kështu që kjo analizë mund të ishte një memorandum, që në kuptimin shqip do të thotë: qëndrim për një çështje të caktuar.

Por edhe ky qëndrim për çështjet e sigurisë, siç pretendohet, duket se është shumë i shpërqendruar, sikur të jetë punuar duke mos ditur çfarë të thuhet. Duket sikur është dëshiruar për t’u marrë me gjithçka e për të mos thënë asgjë. Sikur nuk është kuptuar as objekti i asaj për të cilën është dëshiruar të flitet e shkruhet.

 

  1. Shkrim që nuk thotë asgjë të re

 

Që në fillim thuhet: ”Ky dokument është një analizë e përgjithshme e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për t’ia tërhequr vëmendjen opinionit të brendshëm dhe faktorit ndërkombëtar se politikat e Serbisë ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor kanë njohur së fundi një trend riciklimi, duke u bërë gjithnjë e më agresive dhe destabilizuese për rajonin dhe duke krijuar një vazhdimësi të pakëputur të politikave që ndjek Serbia ndaj Kosovës, që nga vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar.[3] Referuar këtij citimi lindin pyetjet e thjeshta: Përse politikat e Serbisë qenkan bërë agresive në këtë kohë, a nuk ishte Serbia që diktoi katër luftëra vetëm në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të 20-të? Cilat janë arsyet që Kosova, Ballkani Perëndimor dhe rajoni, Europa e bota nuk e shohin dhe nuk e vlerësojnë këtë politikë agresive të Serbisë? Çfarë zbulohet me këtë studim diçka që nuk e dinë politikat e Kosovës e të gjithë Europës? Dhe, pse këto politika të Serbisë qenkan bërë agresive pas viteve ’80 të shekullit të kaluar, kaq paqësore e të sigurta paskan qenë këto politika para këtyre viteve?

Nëse ky shkrim do të kishte thënë diçka për këto çështje, duke dhënë argumente për ta vënë Kosovën, botën dhe gjithë shqiptarët përpara një pasqyre të asaj që ata nuk e njohin, do të kisha thënë se vërtet ia vlen.

Po kështu, në hyrjen e këtij punimi thuhet: ”Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti është krijimi i një pasqyre të përgjithshme të rrethanave të krijuara në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, duke analizuar shkaqet, rrënjët e konfliktit dhe prapavijën e tij në kontekst të politikave rajonale, duke dashur t’ia tërheqim vëmendjen bashkësisë ndërkombëtare se perspektivat e errëta që ofron Serbia për rajonin do të njohin përshkallëzim në ditët, muajt dhe vitet e ardhshme.[4] Duke u marrë me këtë shkrim nuk arrij të shikoj dhe të kuptoj se cilat janë rrethanat që qenkan krijuar e që kanë qenë të panjohura deri tani dhe që duhen të mësohen? Nuk arrij të kuptoj ku është analiza e shkaqeve, cilat konsiderohen rrënjët e konfliktit, si dhe cila konsiderohet prapavijë e kësaj situate, që qenka krijuar dhe e cila paska mbetur e panjohur deri tani.

Mesazhet e pasigurisë së politikave të Serbisë për fqinjët e njëkohësisht edhe për shqiptarët, i njohim prej vitit 1846 kur Ilia Garashanini përpunoi ”Naçertanian”, si dhe në programet e vijueshme e edhe prej kur në vitin 1986 është deklaruar Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, nëpërmjet të cilit na janë thënë të gjitha për atë politikë destabilizuese. Që në atë program është thënë se ”kriza politike i është afruar pikës kritike të destabilizimit të plotë të Jugosllavisë. Kosova është shenja më e dukshme e saj.”[5] Prej nga shihet se Kosova ishte barometër i ekzistencës së Jugosllavisë, sepse e kishin shumë të qartë se ishin në tokë të huaj dhe po sundonin një popull me të cilin nuk i lidhte asgjë, përveç faktit që e kishin të pushtuar.

 

  1. Përfundime pa arsyetime

 

Por pa dashur të zgjerohem më tej për këtë, më çudisin përfundimet që nxirren që në fillimet e këtij shkrimi kur thuhet: ”Ngecjet në reforma dhe në demokratizim, pastaj krizat e njëpasnjëshme politike, korrupsioni dhe krimi i organizuar në të cilat janë përfshirë shoqëritë ballkanike, në përgjithësi kanë krijuar ambient të përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia.”[6] Sepse për të ardhur në këtë përfundim kaq madhor, duhet të marrësh referencë studime të bëra nga institute e organizata të fuqishme shkencore jo vetëm në Kosovë e rajon, por edhe në hapësirat botërore, duhet t’u referohesh vendimeve  e organizatave ndërkombëtare, duhet të referohesh në vendimet e gjykatave për këto çështje, duhet të referohesh në bilance të shteteve e pasqyrave të veprimtarive ndërshtetërore, duhet të mbështetesh në konferenca, simpoziume e tryeza shkencore të vendit e të huaja etj. Por thjesht të thuash se kanë ngecur reformat dhe demokratizimi, se janë krijuar kriza të njëpasnjëshme politike, se korrupsioni dhe krimi i organizuar ka përfshirë shoqëritë ballkanike dhe të gjitha këto veç se them unë (siç thotë autori i këtij raporti në emër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës), më duket e paarsyeshme dhe humbje e rëndë e autoritetit të institucionit që merret me shpifje të tilla.

Dhe, më tej, për çudi qenka krijuar një mjedis i përshtatshëm për depërtim të papenguar të ndikimeve politike të financuara nga fuqitë me ndikim në rajon, siç janë Rusia, Kina dhe Turqia. Po pse ky përfundim? A ka fakte të arsyetuara që ka ndodhur një gjë e tillë? Pse nuk hiqet kjo perde të shohim edhe ne atë çfarë shikon kjo Akademi e shkencave dhe autori i raportit?

Unë di se në qershor të vitit 1999, forcat ushtarake ruse tinëzisht u futën në Kosovë dhe e pushtuan në një mënyrë Aeroportin e Prishtinës. Por brenda tri ditëve u detyruan të ikin nga sytë këmbët. Dhe, në atë kohë ishim shumë më të dobët se sot. Çfarë ka ndodhur, pra, që e ka trembur kaq shumë Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Nuk shoh asnjë rrezik të tillë.

Por raporti nuk ndalet me evidencimin e të këqijave të shoqërisë ballkanike e mëtej, pasi në vijim theksohet: ”Për shkak të mënyrës së keqe të qeverisjes, Ballkani Perëndimor gjithnjë e më shumë po largohet nga politikat e BE-së dhe të NATO-s dhe po bëhet pjesë e boshteve asimetrike që lidhen me Euro-Azinë. Po krijohen koalicione të panatyrshme, të cilat në mënyrë strategjike i kundërvihen BE-së në planin ekonomik dhe politik, kurse NATO-s në planin e sigurisë. Këto koalicione janë duke suspenduar reformat e BE-së, në të cilat kanë ngecur këto shtete dhe janë duke siguruar dominimin ekonomik dhe politik të Serbisë në rajon, për të realizuar politikat e saj strategjike, kryesisht të nxitura nga Rusia.”[7]

Nga nxirren përfundime të tilla? Sepse kështu si paraqiten ato, janë thjesht deklarata. Nuk është dhënë qoftë edhe një arsyetim apo ankesë nga BE-ja se keqqeverisja në Ballkanin Perëndimor po e largon atë nga politikat e saj. Po kështu dihet se Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare të BE-së, ndërsa Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë bërë kërkesa të jenë në përbërje të BE-së dhe po punojnë me intensitet për të përmbushur të gjitha kërkesat që kjo organizatë u ka vënë për të kryer si detyra paraprake për të mundësuar pranimin në organizatë.

Ashtu sikurse nuk është e mundur të mendohet e të deklarohet se shtetet e Ballkanit Perëndimor po i kundërvihen NATO-s në planin e sigurisë, kur dihet se NATO-ja sigurinë e ka për mision dhe në Ballkanin Perëndimor ka anëtarë të saj Shqipërinë, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, por edhe Slloveninë. Ndërsa po të merret si shembull Kosova, duhet thënë se ajo është akoma më e avancuar, pavarësisht se nuk është juridikisht anëtare e NATO-s, por Kosova NATO-n e ka ushtri të saj, sepse realisht sot ushtri e Kosovës është edhe KFOR-i, krahas Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila po merr përmasat e një ushtrie plotësisht sipas standardeve të NATO-s.

E, siç shihet, vetëm Serbia ende nuk është anëtare e NATO-s, megjithëse do të kishte shumë dëshirë të ishte, ashtu si do të kishte shumë dëshirë të ishte anëtare e BE-së, dhe këto shihen në lojën e saj politike.

 

  1. Frika e madhe prej Serbisë nuk ka bazë të qëndrojë

 

Pse, pra, gjithë ky shqetësim e gjithë kjo frikë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Mirë, ndoshta kanë frikë për vete, por, përse duhet të bëhen përpjekje të frikësohen shqiptarët? Çfarë borxhi u kanë? Nuk mendoj se me përpjekje për të bërë të diturin duhet të merremi me montime thashethemesh të kafeneve dhe me paragrafë të historisë se çfarë mendojnë serbët për shqiptarët e për trojet shqiptare, sepse ato janë të stërthëna. Me rëndësi është që ne të kemi një program të interesave kombëtare, ashtu siç i bën Serbia për vete, sepse kemi mbetur akoma në programin kombëtar të Sami Frashrit, ”Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, të publikuar para 120 vjetësh. Prandaj nuk e shoh të arsyeshme t’u themi shqiptarëve trembuni nga Serbia. Duhet t’u themi se Serbisë ia kemi parë bishtin në vitin 1999 dhe nëse do të guxojë, ne jemi ata që ia shohim bishtin përsëri e përsëri. Por raporti nuk ndalet duke bërë thirrje për t’u trembur nga Serbia! Dhe, këtë nuk e bën vetëm për shqiptarët, nuk e bën vetëm për Kosovën e Shqipërinë, por edhe për Bosnjën, Malin e Zi e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Duke vlerësuar se Serbia synon ”…të krijojë pasiguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në favor të Rusisë dhe Kinës, në politikat e tyre kundër NATO-s dhe BE-së…”[8] krijohet kështu ideja sikur të shpresojmë të mos dojë Serbia, se po iu shkrep në mendje asaj, ne kemi marrë fund. Jo kështu, nuk është serioze të bëjmë deklarata të tilla. Nuk ka fuqi as Serbia e askush tjetër të lëkundë a të kërcënojë politikat e BE-së apo të bëjë të pasigurt Ballkanin Perëndimor.

Dhe më tej në këtë raport lexojmë: ”Tashmë është bërë praktikë e njohur e Serbisë që, sa herë që krijohen “çarje” të mëdha ose të vogla me Perëndimin, ose të ketë ngecje në avancimin e marrëdhënieve me BE-në, përfshirë edhe ndonjë ngecje në ndihmat financiare që përfiton nga BE-ja, Serbia gjen mënyrë ta shantazhojë NATO-n dhe BE-në, duke forcuar aleancat me Kinën dhe Rusinë, veçmas me Rusinë, herë duke i bërë shtetit rus ndonjë koncesion ekonomik ose tregtar, por më shpesh me marrëveshje ushtarake ose kontrata milionëshe për blerje armësh. Në përgjithësi, të gjithë faktorët politikë rajonalë dhe europianë tashmë e kanë kuptuar se Serbisë i bëhen koncesione nga ana e BE-së dhe NATO-s për shkak të interesave të tyre strategjike, por tanimë është bërë krejt e qartë se këto koncesione kanë filluar të rrezikojnë seriozisht sigurinë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përreth tij.”[9] Përsëri befasi! Serbia ka fuqi jo vetëm të na fundosë ne shqiptarëve, jo vetëm të shkatërrojë Ballkanin Perëndimor, por ka fuqi të vlerësojë edhe problemet dhe hatërmbetjet brenda BE-së dhe pas kësaj me fuqinë e saj Serbia arrin të shantazhojë edhe NATO-n e edhe BE-në. Ore, seriozisht e keni këtë, zotërinj akademikë?

Unë e di se këtij raporti i ka dalë për zot kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademiku Mehmet Kraja, por po flas në shumës, sepse në internet akoma figuron si raport i asaj Akademie. Prandaj nuk dua të keqkuptohem a të keqinterpretohem, sepse qëllimi im është thjesht të sqaroj çështjet që vlerësoj se duhen parë me syrin e realitetit e jo me ndjenjën e frikës.

Është mirë të mos shkojmë me mendimin se Serbia mund të bëjë si të dojë me NATO-n e me BE-në, sepse nuk merremi seriozisht, pa folur që nuk ka asnjë argument për të arsyetuar deklarimet e këtij raporti.

 

  1. Të jemi të kujdesshëm me historinë

 

Ndërkohë duhet të jemi të kujdesshëm kur shkruajmë se bëjmë lapsuse të tilla, që pastaj na vjen turp nga vetja. Në raport ka një shënim ku deklarohet se ishin ”mbi 170 mijë shqiptarë të shpërngulur nga Serbia jugore pas Kongresit të Berlinit…;”[10] Pa u marrë me shifrën se për këtë ka të dhëna të ndryshme, por si mund të thuhet nga Serbia jugore, këtë nuk e kuptoj?! Ne kurrë nuk kemi pasur “fatin” të pushtojmë territore serbe. Përkundrazi, serbët kanë pushtuar territoret tona. Por mendoj se duhet të jetë një lapsus, ose një shënim i marrë nga ndonjë literaturë serbe. E ka përdorur këtë term gjenerali Klark, në librin e tij ”Të bësh luftë moderne”, për të cilën edhe i kam thënë se ka gabuar. Por atij i falet se nuk mund të pretendojmë të jetë njohës i historisë dhe i gjeografisë sonë. Ndërsa akademiku Kraja nuk ka vepruar mirë, duke na bërë pushtues të tokave serbe dhe prej të cilave na paskan shpërngulur.

Në raport ka një fjali që më tërheq vëmendjen kur thuhet: ”Marrëdhëniet shqiptaro-serbe shpesh janë përkufizuar si marrëdhëniet më të vështira mes dy popujve të Europës.”[11] Po, përse? A është normale kjo gjuhë vlerësuese? Cilat kanë qenë përgjegjësitë? Cilat kanë qenë përgjegjësitë e shqiptarëve? Përse zotëri na vë në balancë me Serbinë, duke na bërë të barabartë? Unë nuk di të kemi bërë diçka ne shqiptarët për të cenuar serbët. Përkundrazi, jemi masakruar prej tyre historikisht dhe natyrisht kemi luftuar kundër tyre për t’u çliruar, çka nuk e kemi realizuar ende plotësisht. E, këtu nuk ka asnjë barabarësi ndikimi në marrëdhëniet shqiptaro – serbe. Theksoni, zotërinj, çështjet ku shqiptarët janë përgjegjës që paskan krijuar vështirësinë e këtyre marrëdhënieve.

Në Memorandumin e Kishës Serbe për Kosovën thuhet: Pasi të lexohet ky Memorandum i Kishës Ortodokse Serbe askush nuk do të mundë t’i përsërisë fjalët keqdashëse të një diplomati të huaj të nivelit më të lartë, i cili para pak kohe ka deklaruar se serbët, me atë që e kanë bërë gjatë dhjetë vjetëve të fundit, e kanë nxitur te shqiptarët dëshirën tejet të madhe për hakmarrje. Nga dokumentet e theksuara këtu, secili lexues do ta shohë se gjithnjë ka pasur dhunë, sa herë që pas dëshirës së shqiptarëve për ta marrë atë që nuk është e tyre ka qëndruar ndonjë nga Fuqitë e Mëdha në botë, prej Perandorisë turke e deri me sot.”[12] Pra, shihet se na mjaftojnë shpifjet e serbëve, edhe të kishës së tyre për të justifikuar veprimet kundër shqiptarëve. Mendoj se nuk kanë nevojë për ndihmë as prej institucioneve tona shkencore e as prej shkencëtarëve tanë, qoftë edhe me tituj akademikësh, sepse vetë kanë bërë programe shumë intensive kundërshqiptare.

Prandaj kur thuhet në raportin në fjalë se marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë përkufizuar të vështira, është pikërisht fjala për atë që thotë kisha serbe në memorandumin e saj, se ka pasur dhunë, sa herë që ka pasur dëshirë të shqiptarëve për ta marrë atë që nuk është e tyre. Duhet qartësuar mirë çka shkruhet, sepse nuk është mirë që punimet tona të jenë kundër nesh, pasi mjaftojnë ato që shkruajnë serbët. Dhe, kam dëshirë të dihet se deri tani janë mbi 28 mijë tituj librash të shkruar nga autorë sllavë për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët kanë shkruar si është më zi. Nëse nuk e dini a besoni këtë shkoni dhe hulumtoni në bibliotekën e Vjenës. Atje do të mësoni edhe se shkencëtarët tanë që bëjnë të diturin këtu në atdhe, nuk kanë asnjë shkrim për të zhvleftësuar ata tituj sllavë librash kundërshqiptar.

 

  1. Nuk jemi bashkëfajtorë me Serbinë, prandaj nuk duhet shpifur shqip

 

Raporti nuk ndalet këtu. Në vijim thuhet: ”…të dy popujt kanë gabimet dhe fajet e tyre në të shkuarën, se ata kanë histori të përgjakshme dhe se e ardhmja duhet të ndërtohet duke i tejkaluar armiqësitë dhe animozitetet e kohëve të shkuara.”[13] A besoni se ka shqiptarë që mund të pranojë dhe të dakordohet me këtë? Cilat janë gabimet që paskan bërë shqiptarët ndaj serbëve? Çfarë duhet të kishin bërë ndryshe shqiptarët që historia të mos ishte e përgjakshme? Apo duhet të arsyetohet memorandumi i kishës serbe për Kosovën, ku thuhet: Me shqiptarizimin e popullit serb të Kosovës dhe të Rrafshit te Dukagjinit, i cili ishte pa të drejta. Kur Imperia turke ka filluar të dobësohet, atëherë islamizimi i dhunshëm është bërë gjithnjë e më shumë, kurse shqiptarët fatkeqësisht në atë proces janë bërë grusht kryesor goditës otoman dhe kamxhik i përgjakur për banorët e krishterë ortodoksë të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Ballkanit të gjerë.”[14] Besoj se është e qartë që edhe kisha që duhet të merret me punët e qiellit, ka vendosur të rregullojë punët e tokës, por nuk kuptohet përse ne duhet t’i ndihmojmë në këtë mënyrë, duke u përpjekur që të barazojmë historinë tonë me atë të Serbisë.

Ndërkaq se ne duhet t’i kalojmë armiqësitë, pajtohem plotësisht, por pasi të vendoset drejtësia. Tejkalimi i armiqësisë nuk është i njëanshëm dhe nuk bëhet për hatër të askujt. Atë e sjell në mënyrë krejt të natyrshme vendosja e drejtësisë dhe pranimi i të këqijave që janë bërë e kthimi i të drejtave që janë marrë e janë nëpërkëmbur. Nuk mund të ketë tejkalim të armiqësive nga shqiptarët për hatër të askujt. Shqiptarët nuk kanë treguar armiqësi ndaj askujt në gjithë historinë e tyre. Shqiptarët gjithnjë kanë luftuar të mbijetojnë dhe të çlirohen nga pushtimet. Kurse tani na del se ne i kemi shqiptarizuar edhe serbët! Ata që merren me çështjet e kësaj natyre është mirë ta arsyetojnë se si i pushtuari mund të shkombëtarizojë pushtuesin. Kur më tej në këtë memorandum të kishës serbe thuhet: ”Mirëpo, qysh në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit të 18-të, shqiptarët në mënyrë masive kanë zbritur nga malet e veta në vise më pjellore të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës dhe, duke i formuar çetat e njohura për krime, ose duke u paraqitur vullnetarisht si jeniçerë, me çka kanë fituar privilegje të veçanta te turqit, kështu pastaj i kanë plaçkitur dhe i kanë konfiskuar fshatrat e serbëve, kishat dhe manastiret e pastaj aty edhe janë vendosur.”[15] Pra, siç vlerësojnë ata, ne në ato treva kemi ardhur nga malet dhe paskemi ardhur rreth një mijë vjet pas serbëve e, megjithatë, i paskemi shqiptarizuar. Por kjo është gjuha serbe dhe është mjaft e ashpër, nuk kemi pse t’i ndihmojmë në mënyrat siç edhe u theksua më lart në këtë raport të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

A ka nevojë të bëhet përpjekje për një përafrim kriminal ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve? E, po të thuhet se ”shqiptarët dhe serbët nuk kanë histori të njëjtë dhune, nuk kanë histori të njëjtë pushtimesh e aktesh gjenocidale mbi njëri-tjetrin.”[16] Duket qartë që nuk ka njohje të nevojshme të historisë së konfliktit shqiptaro – serb. Kur mendojmë dhe deklarojmë se nuk kanë histori të njëjtë pushtimesh e aktesh gjenocidale, nënkupton që aty diku janë të dy palët njëlloj. Por unë nuk e di se si mund të jenë njëlloj gjyshi im, xhaxhai im, dy kushërinj të parë të babait tim, si dhe 93 burra të Kalisit në Lumë, atje rrëzë Korabi, të cilët as nuk e kanë ditur se ku është Serbia, kur në vitin 1913 janë masakruar në Kalis, vetëm pse në vitin 1912 kanë qenë pjesëmarrës në Luftën e Lumës, për të mos lejuar pushtimin e krahinës nga forcat pushtuese serbe. A mundet akademik Kraja të vërë shenjën e ngjashmërisë midis këtyre dy palëve, meqenëse po thotë se në peshë nuk janë të barabarta, të paktën, të na tregojë ngjashmëritë se unë personalisht nuk gjej asnjë ngjashmëri, e të tilla janë për mua të gjitha përballjet serbo – shqiptare.

 

  1. Nuk është e mundur të ndërrojmë fenë që të na duan nëse ajo është pengesë

 

Shumë interesant është fakti që akademik Kraja ka edhe një shqetësim tjetër. Dhe shqetësimi i tij vjen kësisoj: ”Të paktë janë ata nga bashkësia ndërkombëtare që arrijnë të kuptojnë se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Konvertimi i kosovarëve nga të krishterë në myslimanë ka qenë një proces i gjatë i pushtimit, i detyrimit dhe i dhunës sistematike të Perandorisë Otomane, në njërën anë, kurse më anë tjetër ka ardhur si rezultat i luftës së gjatë mes kishës së Lindjes dhe të Perëndimit, të cilat i lanë besimtarët e tyre në Ballkanin Perëndimor pa udhëheqës shpirtërorë.”[17] Prej këtej duket se ky shqetësim i akademikut Kraja është shumëplanesh: Së pari duhet bindur opinioni botëror se shqiptarët nuk e zgjodhën vetë fenë islame, por ua diktoi pushtuesi osman. Së dyti, islami nuk qenka fe e kohëve moderne, por një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Dhe, së treti, shqiptarët paskan mbetur në atë kohë pa udhëheqës shpirtërorë nga kisha e krishterë.

Çudia është se nuk e di pse feja Islame nuk qenka fe e kohëve moderne, ndërsa krishterimi qenka e tillë. Pse duhet të ekzistojnë mendime të tilla te intelektualë siç është zotëri Kraja, nuk arrij të kuptoj. Me sa di unë, si feja islame, ashtu edhe ajo e krishterë sot besohen secila prej rreth dy miliardë qytetarëve të kësaj bote. Kështu që më duket një kundërislamizëm primitiv dëshira për të kërkuar modernen te krishterimi dhe të prapambeturën te islami.

Për mua feja nuk ndikon për ta bërë njeriun më të zhvilluar ose më të prapambetur. Unë kam lexuar librin ”Historia botërore dhe qytetërimi”, në dymbëdhjetë vëllime, i cili është botuar edhe në shqip. Vepër e autorit Carl Grimberg, e cila edhe në gjuhën shqipe është konsideruar një vepër madhore, një enciklopedi e vërtetë që i rrok thuajse të gjitha fushat e jetës. Por që kur e lexon të lë shije të hidhur, sepse flet kryesisht për të fuqishmit, se për shqiptarët nuk flet fare, se gjen kohë e vend të shkruajë edhe për të dashurat e Luigjit të 14-të të Francës, por nuk gjen vend të shkruajë për luftën 25-vjeçare të shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Ashtu sikurse të gjithë shqiptarët e shpërngulur e të vendosur në Kalabri e në Sicili të Italisë, i quan grekë, sepse nuk ka asnjë ide se ata janë shqiptarë. Po kështu për këtë autor, që të jesh i ditur, që të jesh trim, që të jesh i zoti, që të jesh i bukur, që të jesh i fortë, duhet patjetër të jesh i krishterë. Ndërsa po je mysliman, duhet patjetër të kesh trup të imët, me fytyrë të shëmtuar, që nuk di as të vishesh, nuk di as të ushqehesh, nuk di as të organizohesh, je frikacak, nuk di të luftosh, nuk je i zgjuar etj.

Kjo histori është përkthyer në shqip nga akademikët shqiptarë, por nuk ka as parathënie prej tyre, nuk ka as një qëndrim për këto pasaktësi vlerësimi, nuk ka as një oponencë a reçencë prej një studiuesi a akademiku për mosqenien e shqiptarëve pjesë e kësaj historie, megjithëse në ato kohë që akademik Kraja i quan të errëta, kombi ynë i ka pasur të ndritura dhe ka mbrojtur Europën nga pushtimi i asaj perandorie “të prapambetur“ osmane.

Prandaj do të këshilloja që akademikët tanë të nderuar, të mos kërkojnë të na e errësojnë historinë, por të tregojnë para botës se ajo ka qenë e ndritur dhe se pa të ndoshta sot Europa do të fliste osmanisht.

Për fund, duhet të pranohet se asnjë komb në Europë nuk ka bërë aq luftë sa shqiptarët kundër pushtimit osman, megjithëse nëpër frontet e luftës përballë osmanëve kanë qenë shqiptarët myslimanë dhe deri edhe hoxhallarët shqiptarë. Për ta sqaruar këtë më mirë, lind pyetja: a e di akademik Kraja se sa dëshmorë hoxhallarë kanë rënë vetëm në Lutën Çlirimtare të Kosovës? Nëse nuk e di, është mirë të jetë i interesuar ta mësojë. Megjithatë, unë mund t’i them atij e kujtdo që mendon si ai, se janë 26 hoxhallarë që kanë rënë dëshmorë të atdheut vetëm gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, duke qenë luftëtarë të asaj ushtrie të lavdishme çlirimtare që barti këtë luftë. Ky është një tregues për të kuptuar se kur zotëri Kraja si kundërislam ikte nga sytë këmbët prej frikës së krismave të luftës, në Kosovë luftonte një popull me mbi 95 për qind i fesë islame bashkë me atë pjesë të shqiptarëve të fesë së krishtere, për çlirimin e Kosovës nga serbët modernë të krishterë.

Më bën përshtypje shumë gjithashtu shprehja e deklaruar në këtë raport të punuar nga akademiku Kraja, kur thotë: Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, në Kosovë myslimanizmi tradicional ishte praktikuar gjerësisht, ndërsa pas vitit 1999, për shkak të këtyre fondacioneve dhe të klerit mysliman kosovar që përfitonte prej tyre, situata u përkeqësua ndjeshëm. Në këtë kuadër, veçanërisht u reflektua negativisht në Kosovë qëndrimi i luhatshëm i Turqisë në raport me fundamentalizmin islamik.”[18] Shihet se zotëri Kraja për çudi shqetësohet që qenka përkeqësuar ndjeshëm situata me shtimin e myslimanëve pas vitit 1999. Po pse duhet të shqetësohemi? Siç duket Serbia që na kishte pushtuar deri në vitin 1999, nuk paska lejuar që të shtohen myslimanët në Kosovë dhe paska vepruar mirë. E, largimi i Serbisë i paska lënë rrugë të lirë Turqisë që të na prishë. Këtë besoj nënkupton akademiku Kraja me sa shprehet. Por kjo rrugë është e pakthyeshme. Ne shqiptarët kemi mbijetuar se unitetin tonë e kemi mbështetur te atdheu e kombi dhe jo te feja. Ne kemi mbijetuar dhe kemi fituar se armikun nuk e kemi vlerësuar i çfarë feje është, por e kemi luftuar si pushtues edhe kur kemi qenë në të njëjtën fe me të.

Dhe, çudia nuk përfundon këtu, sepse në vijim thuhet: ”Më anën tjetër, të nxitur nga ideja e kërcënimit nga islamizmi radikal që mund të vinte nga Kosova dhe Bosnja, disa shtete të BE-së, nga fundi i shekullit të kaluar, filluan ta projektonin Serbinë si “vijën e parë të frontit” kundër radikalizmit islamik.”[19] Një monstruozitet, që nuk mund të imagjinohet! Në përfundime të tilla dalin vetëm mendjet e sëmura. Unë nuk kam dëgjuar deri sot që Europa i ka shpallur luftë islamit. Përkundrazi, ajo çdo ditë e më tej po bëhet strehë edhe për të gjithë ata myslimanë që kanë nevojë për të jetuar në Europë. Fakt është që sot Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Anglia, Suedia, Norvegjia e mjaft shtete të tjera të Europës kanë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së tyre të përkatësisë islame, që shkon në 10 për qind e më shumë dhe nuk ndihen as të shqetësuara e as të kërcënuara. Pse, pra, duhet të shpifë zotëri Kraja ndaj Europës, duke e akuzuar se i ka shpallur luftë islamit dhe se paska projektuar Serbinë për të qenë vija e parë e frontit të kësaj lufte? Dhe, pse qenkemi radikalë ne myslimanët? Radikalizmi sipas fjalorit të terminologjisë së gjuhës shqipe është një rrymë dhe qëndrim politik, që kërkon ndryshime rrënjësore në programin e një partie a të një qeverie. Ashtu sikurse konsiderohet edhe një proces me të cilin individët kalojnë nga mbështetja e pikëpamjeve të moderuara të zakonshme, në mbështetjen e pikëpamjeve ekstreme ideologjike. Pra, radikalizmi është dukuri shoqërore, jo dukuri islame. Këtë duhet ta kenë të qartë intelektualët.

 

  1. Serbia kurrë nuk do ta mundë e nuk do ta destabilizojë Kosovën

 

A është normale t’i ftojmë shqiptarët të kenë frikë nga Serbia? Mendoj se jo. Por, zotëri Kraja duket se edhe për këtë ka menduar, kur shprehet: ”Serbia destabilizon të gjitha shtetet e rajonit me pretekste të ndryshme, por gjithmonë në funksion të hegjemonizmit serbomadh. Ajo e destabilizon Kosovën, sa herë që mund ta përdorë këtë rrethanë për politikat e brendshme, për të nxitur nacionalizmin, ose për t’i bërë obstruksion bashkësisë ndërkombëtare.”[20] Dëshira mund të ketë shumë Serbia. Por që të destabilizojë Kosovën këtë le ta harrojë se nuk ka për ta arritur e për ta bërë më kurrë. Prandaj, le të thotë akademiku a politikani, le të thotë ushtaraku a spiuni, le të thotë drejtuesi a intelektuali, nuk do të ndodhë. Shqiptarët duhet të jenë të vendosur për të bërë detyrën e tyre ndaj atdheut e jo të tremben se po i ha Serbia!? Kush të trembet, le të shkojë të jetojë e të jetë i qetë në Serbi. Është krejt e palogjikshme të shihet armiku si superior, se tremb qytetarët e vendit tënd. Për një mendim dhe deklarim të tillë ligjërisht duhet të mbahen qëndrime të rrepta.

Le të lexojmë në vijim: ”Pavarësisht ndryshimeve gjeostrategjike që kanë ndodhur në hapësirat ballkanike dhe më gjerë përgjatë tridhjetë vjetëve të fundit, Serbia ka vazhduar e patrazuar përpunimin dhe jetësimin e strategjive politike për dominim rajonal dhe rikthim të agjendave luftënxitëse. Ajo vazhdon të jetë faktor destabilizues në Bosnjë, në Mal të Zi dhe në Kosovë, madje edhe në Maqedoninë e Veriut (siç ishte rasti me zgjedhjet e fundit lokale, ku supozohet se pati ndërhyrje të Serbisë në fitoren e krahut nacionalist proserb të VMRO-së), duke tërhequr në anën e vet, përmes floskulave politike të kamufluara, edhe shtete të tjera të paqëndrueshme të Ballkanit, si Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Përmes nismave dhe aleancave rajonale të llojit “të mini-Shengenit” ose të projektit “Ballkani i hapur”, Serbia synon të  vendosë primatin politik dhe ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Këtë primat ajo nuk mendon ta arrijë përmes bashkëpunimit dhe zhvillimit, por duke destabilizuar shtetet përreth, duke shantazhuar BE-në dhe NATO-n dhe përmes aleancave subversive ekonomike dhe politike me Rusinë dhe Kinën.”[21] Edhe në këtë citim shihet se vijon të hiperbolizohet fuqia e Serbisë, duke e bërë atë zot të Ballkanit, pa dhënë asnjë argument për këtë, por veç thjesht se ka frikë akademiku dhe kërkon që frikën e tij ta çojë te shqiptarët dhe të tjerët në Ballkan. Mendoj se politikat e këtyre shteteve ballkanike nuk janë aq në nivel mediokër sa trajtohen në këtë raport, pasi ne jemi dëshmitarë të zhvillimeve dhe bëjmë vlerësime të ngjarjeve. Masat për sigurinë merren në çdo shtet dhe secili prej tyre ka një strategji të sigurisë. Nëse akademik Kraja do të kishte marrë në analizë këto strategji të sigurisë së shteteve ballkanike, duke bërë edhe krahasimet midis tyre e duke treguar se cila prej tyre ka më shumë avantazhe e cila jo dhe të kishte thënë se cila konsiderohet më e arrirë e çfarë duhet shtuar e saktësuar në ato strategji, do t’i bënte një shërbim të mirë shtetit të Kosovës, shteteve të tjera të Ballkanit dhe do të jepte një shembull se si mund të ndihmohet siguria e vendit. Por ai thjesht ka frikë dhe thërret kam frikë! Por unë nuk e di a ka vërtet frikë, apo i bën këto deklarata me porosi. Sepse mënyra si flitet në këtë raport është shumë zhvlerësuese për politikat e shteteve ballkanike krahasuar me politikën e Serbisë, e cila është një politikë që mund të shkatërrojë gjithçka në Ballkan, prandaj ne duhet të dridhemi nga frika e të nënshtrohemi se nuk ka rrugë tjetër.

 

  1. “Ballkani i hapur” – një çështje që kërkon analizë, jo akuzë

 

Në vijim kalohet në një fazë kur zotëri Kraja flet për nismën e ”Ballkanit të hapur”, për të cilin thuhet: ”Në këtë kontekst të përgjithshëm duhet parë edhe nismat e Serbisë njëherë për “mini-Shengenin” dhe pastaj për projektin “Ballkani i hapur”, si: i) obstruksion ndaj NATO-s dhe BE-së, ii) hapësirë për depërtime të reja politike dhe ekonomike të Rusisë dhe të Kinës në Ballkan, iii) fuqizim i mëtejshëm i Serbisë në rajon, dhe iv) anashkalim i Kosovës në të gjitha proceset politike dhe ekonomike rajonale. Për pikën e fundit, pra, për anashkalimin e Kosovës, kërkohet një shqyrtim i veçantë, por me këtë rast mjafton të themi se çështjen e Kosovës, që kur ajo ka marrë atributet e një problemi të mprehtë politik, Serbia është përpjekur ta zgjidhë përmes Shqipërisë, e nxitur nga një traditë e hershme, ashtu siç e ka ndihmuar pacifizimin e saj mbreti Zog përmes marrëveshjeve me Mbretërinë Jugosllave (Pashiqin), apo komunistët shqiptarë dhe jugosllavë përmes përkimeve ideologjike dhe organizimeve të përbashkëta politike. Në të vërtetë, lojaliteti i tanishëm i Shqipërisë ndaj të gjitha nismave rajonale të Serbisë, përveç përfitimeve të tjera, kanë në prapavijë edhe “nostalgjinë ideologjike” të Shqipërisë, e cila, në rrethanat e ndonjë krize të brendshme ose të krizës në marrëdhënie me Perëndimin, i kthehet lindjes ish-komuniste, pavarësisht faktit se Shqipëria që herët është dukur sikur është distancuar nga ky konstelacion politik, kulturor dhe botëkuptimor.”[22] Është befasues fakti që këtë nismë rajonale ky raport e konsideron si nismë të Serbisë.

Unë e di se Procesi i Berlinit është një iniciativë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë – për t’u mundësuar këtyre vendeve që t’i bashkohen BE-së. Kjo agjendë e lidhshmërisë u fillua si një komponent i rëndësishëm që synonte lidhjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e transportit dhe energjisë, që më vonë u zgjerua në shkëmbime rinore dhe marrëdhënie ekonomike etj.

Po citoj fjalën e Kancelarit të Gjermanisë Sholc në Samitin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, kur thotë: ”Ju, gjashtë vendet e Ballkanit i përkisni Europës së lirë dhe të plotë dhe anëtarësimi juaj në BE është në interesin tonë. Të gjithë ne duhet të shtojmë angazhimin tonë për të përmbushur pritshmëritë e ngritura gati njëzet vjet më parë në Selanik. Premtimi për të ardhmen europiane për qytetarët dhe vendet tuaja është punë jona për ta kthyer premtimin në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot. Më vjen mirë që ky vizion ndahet nga të gjithë ju… Së bashku jemi të bindur që procesi i Berlinit jo vetëm që do të ndihmojë në çlirimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do të përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor…[23] Duke u mbështetur edhe në arsyetimet e kësaj fjale të kancelarit të Gjermanisë, mendoj se “Ballkani i hapur” dhe Procesi i Berlinit nuk kanë ndonjë ndryshim. Po t’u referohesh marrëveshjeve, duket se thjesht bëhet shtrirja në praktikën e terrenit të atij procesi. Prandaj, do të doja që ky proces të merret si zhvillim. Dhe, të zhvillosh nuk do të thotë të mos kesh kujdes për të avancuar interesat e shtetit tënd. Kjo është normale. Por të shkruash se po të hapet Ballkani na ha Serbia, ky është mentalitet i kohës së luftërave ballkanike a të Perdes së Hekurt. Por ato kohë kanë ikur me gjithë mendësitë e tyre. Mbyllja e dha provën e saj me Shqipërinë e viteve 1980–1990, që solli atë masakërdemokraci, që na shkatërroi me gjithçka kishim. Po në Shqipëri në vitet 1991–1997 ligjin e kanë bërë agjenturat e huaja, edhe UDB-ja e Jugosllavisë dhe Asfalia e Greqisë. Por ata gjetën terren sepse depërtuan deri në çdo qelizë të politikës në kushtet e demokracisë, pasi demokracia u kuptua se mund të bësh çfarë të duash pa i dhënë llogari askujt, pa i dhënë llogari as ligjit. Kjo është arsyeja që edhe sot nuk po e merr fuqinë ligji, që të bëjë ligjin.

 

  1. Shqipëria kundër Shqipërisë – një shpifje e madhe

 

Ndërsa të paraqitesh sot me mendimin se Shqipëria qenka me mendësi komuniste dhe nostalgjike për Serbinë, duke anashkaluar Kosovën, do të thotë të jesh armik i tërbuar i shqiptarëve dhe i shqiptarizmit në përgjithësi. Mos qoftë e thënë të kemi të tillë ndër shqiptarët.

Por duket se zotëri Kraja e paraqet veten si kundërshqiptar, veçse për çudi, për të ka dy kategori shqiptarësh. Shqiptarë të Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarë të Republikës së Kosovës, por që ata shqiptarë të Republikës së Shqipërisë historikisht as kanë dashur të dinë për shqiptarët e Republikës së Kosovës. Kështu që zotëri Kraja është kundërshtar i egër dhe përçmues i asaj pjese të shqiptarëve që banojnë në Republikën e Shqipërisë, që i vjen keq për këtë pjesën e shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës, por që në fakt duke u përpjekur t’i ndajë, i bën një shërbim të madh Serbisë, se edhe ajo historikisht është përpjekur t’i ndajë në ’Shiftari’ dhe ’Allbanci’. Por le të lexojmë çfarë thotë zotëri Kraja për këtë: ”Në përgjithësi, politikat e Shqipërisë ndaj Kosovës që nga viti 1912 kanë qenë kontradiktore, jokonsekuente, në shumicën e rasteve të tilla që kanë sakrifikuar idealizmin e Kosovës për pragmatizmin  politik të shtetit shqiptar. Klasa politike e Shqipërisë ka qenë e vetëdijshme se potenciali i këtij shteti është i pamjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, por as aleancat e mundshme të Shqipërisë me fuqitë botërore nuk e kanë pasur ndonjëherë këtë synim. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta përfshijnë në memorien e tyre historike faktin se gjatë luftërave ballkanike dhe më pas (1913-1915), Serbia do të ushtrojë gjenocid jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës, por edhe në brendi të Shqipërisë, ta zëmë në fshatrat e Elbasanit, ku, siç thotë Tucoviqi, ushtria serbe dogji njerëz të gjallë. Shqiptarët e Shqipërisë nuk do ta kenë të lehtë ta kuptojnë se projektet e Garashaninit, Andriqit dhe Çubriloviqit nuk kishin të bënin në mënyrë specifike vetëm me Kosovën, por me krejt popullin shqiptar.”[24] Edhe unë nuk do ta kuptoj se cili ka qenë qëllimi i Serbisë, meqenëse jam qytetar i Republikës së Shqipërisë, që Serbia, vetëm pse kanë qenë luftëtarë kundër pushtimit prej saj, më ka vrarë gjyshin, xhaxhain dhe dy kushërinj të parë të babait! Pse këto akuza e fyerje? Zotëri Kraja, shtëpinë time të djegur nga Serbia në vitin 1913, pasi e i kishte vrarë të gjithë burrat e shtëpisë dhe që ishte mbajtur ashtu nga gratë e familjes me riparime të pjesshme, e kam prishur unë pas 53 vjetësh për ta bërë të re. Kjo ka ndodhur në vitin 1966. Kujdes zotëri Kraja, se deklarime të tilla përbëjnë krim kundërkombëtar.

Mendoj se nuk bën të bëhen ndarje të shqiptarëve sipas kufijve shtetërorë, sepse po të vlerësohen ashtu, duhet të ndahen edhe shqiptarët në Maqedoni, edhe shqiptarët në Serbi, edhe shqiptarët në Mal të Zi, edhe shqiptarët në Greqi e edhe shqiptarët në diasporë etj. Na bëhen kështu shtatë hapësira e kategori shqiptarësh. Këtë ka dëshirë zotëri Kraja, t’i copëtojë shqiptarët? Jo, zotëri, mendoj se shqiptarët janë shqiptarë kudo që janë. Nuk e quaj normale të mendohet, jo më të shprehet, se shteti shqiptar prej vitit 1912 e deri sot paska bërë veprime jo konsekuente duke arritur deri atje që të sakrifikojë idealizmin e Kosovës. Nuk mund ta kuptoj një deklarim të tillë të një intelektuali të Kosovës, siç është edhe zotëri Kraja, vetëm nëse këtë e ka shkruar dikush në Beograd.

Mbaj mend se në vitin 2005, kur në Gjenevë të Zvicrës, nën kujdesin e bashkatdhetarëve bëhej përurimi i librit tim ”Kosova dhe Ushtria Çlirimtare”, një nga pjesëmarrësit në promovim, kur unë mora fjalën, më bëri një pyetje: – Ne jemi të njoftuar se Enver Hoxha e ka shitur Kosovën, nga ti ta duash Kosovën e të luftosh për të, kur ti ke lindur dhe je rritur nën pushtetin e Enver Hoxhës?

Kurse përgjigjja ime ishte: – Enver Hoxha nuk dilte shtatëdhjetë herë në ditë në televizion siç dalin këta të sotmit. Ai dilte në televizion jo më shpesh se një herë në gjashtë muaj. Dhe, këto dalje bëheshin ose kur i thoshin duhet të dalësh në televizion se ka dëshirë populli të të shohë ose kur kishte për të dhënë ndonjë mesazh, që kërkohej të jepej drejtpërdrejt nga Enver Hoxha në sytë e popullit. Kështu që edukimi atdhetar nuk ishte detyrë e politikës, por e shkollës. Për këtë ishte i angazhuar gjithë sistemi arsimor që kishte ngritur politika e shtetit. Kështu që, në shkollë, unë kur bëja histori, shteti nuk m’i kishte hequr flamujt e shtrirjes së pushtetit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe në Ulqin, Tivar, Podgoricë, Plavë e Guci, Nish, Vranjë, Prokuple, Kumanovë, Shkup, Strugë, Ohër, Dibër e Madhe, Manastir e Tetovë, Gostivar e Kërçovë, Kostur, Janinë, Artë e Prevezë. Ashtu si në Tiranë, Durrës, Korçë e Shkodër. Prandaj unë gjithnjë e kam ditur ku është atdheu im dhe çfarë detyrimesh kam ndaj atdheut tim. E, Enver Hoxha kurrë nuk na tha që të shkulim flamurin nga ndonjë pjesë e hapësirës kombëtare se e kam shitur atë. Përkundrazi, me shumë forcë u bënë përpjekje ta dimë mirë deri ku është Shqipëri.

Ndërkaq, sot vjen zotëri Mehmet Kraja nga detyra e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e u thotë shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës të bëjnë kujdes e të ruhen nga shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë se ata e shpërdorojnë idealizmin e tyre dhe përftojnë për interesat e tyre nga ky idealizëm. Sinqerisht, befasohem! Nuk kam menduar se mund të ketë një shqiptar të zakonshëm që të mendojë kështu, jo të kemi një akademik me funksion epror që të deklarojë publikisht e botërisht përfundime të tilla përçarëse për kombin të cilit i përket.

Por të ballafaqohesh me vlerësimet e mëposhtme të këtij raporti, më duket se realisht deklarime të tilla nuk mund të bëhen nga ndonjë shqiptar sadopak i përgjegjshëm për kombin e tij. Të shohim çfarë thuhet tjetër në këtë raport: ”…në memorien historike të Shqipërisë edhe sot do të ushtrojë ndikim të madh fakti se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e ideve komuniste në Shqipëri. Ajo ishte themeluese e Partisë Komuniste të Shqipërisë, duke e përfshirë lëvizjen komuniste të Shqipërisë në agjenturat e Kominternit dhe duke ia caktuar Shqipërisë vendin në hemisferën lindore të ndarjeve ideologjike pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe pse marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën shumë shpejt (1948), komunistët shqiptarë e panë si ideal edhe për shumë kohë (madje me kompleks inferioriteti) Jugosllavinë e Titos dhe socializmin e saj vetëqeverisës. Historikisht është e njohur se afrimi i Shqipërisë në çfarëdo mënyre me Jugosllavinë ose Serbinë, doemos duhet të eklipsonte çështjen e Kosovës, madje shpesh ta sakrifikonte atë.”[25] Të njohësh historinë e Shqipërisë dhe të mendosh e deklarosh se Jugosllavia ishte eksportuesja kryesore e ideve komuniste në Shqipëri është vërtet për të ardhur keq. Por më keq akoma të deklarosh pa detyrim se Partinë Komuniste të Shqipërisë e kanë themeluar jugosllavët, kur dihet se lëvizja komuniste në Shqipëri ka filluar që në vitin 1925 me krijimin në Vjenë të ”Komitetit Nacional Revolucionar” (KONARE) nga Fan Noli dhe elementë të tjerë revolucionarë, si organizatë që mori kontakte dhe bashkëpunoi me Internacionalen Komuniste. Prandaj, ta quash lëvizjen komuniste shqiptare pjesë të agjenturave të Kominternit, duket sikur jemi duke u marrë me konspiracionizëm të kulluar, ku mund të thuash çfarë të të shkrepet mjafton ta artikulosh në mënyrë bindëse për të kënaqur vetveten pavarësisht nga vërtetësia historike. Për çudi, që sot po zbulojmë edhe diçka shumë interesante, të cilën nuk e paskemi ditur, se shteti – Republika e Shqipërisë paska qenë gjithnjë inferior ndaj Jugosllavisë së Titos dhe socializmit të saj vetëqeverisës. Dhe, më interesant del ”fakti” që Republika e Shqipërisë për hir të afrimit me Jugosllavinë ose Serbinë, paska eklipsuar çështjen e Kosovës e aq më rëndë e paska sakrifikuar atë.

Nuk e kuptoj çfarë interesi ka Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në veçantë kryetari i saj, të flasë me kaq përbuzje për Republikën e Shqipërisë. Përse nuk ka dëshirë ky institucion që të tregohet e vërteta, por shpif në një mënyrë të tillë që do ta kishin zili edhe akademikët serbë! Si ka mundësi të shprehen mendime të tilla sot, kur shqiptarët janë më të fuqishëm se kurrë në historinë e tyre? Pse e pengon këtë Akademi fuqizimi i shqiptarëve në Ballkan? Kurrë nuk kam për ta kuptuar pse deklarohet kështu, nëse këto nuk janë deklarime të formuluara në Beograd?!

 

  1. Një raport kundërshqiptar, më i rëndë se raporti i Dik Matit

 

Realisht unë kam kuptuar që ky është një raport kundërshqiptar, më i rëndë se raporti i Dik Matit, i cili merret me një periudhë të caktuar dhe të shkurtër akuzash kundërshqiptare dhe kryesisht kundër Luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse ky raport i dytë, që për fat të keq shkruhet nga një shqiptar në emër të institucionit më të lartë shkencor të Republikës së Kosovës, përpiqet të na e përbaltë gjithë historinë nga kohët e hershme deri në ditët tona. Nuk kishim nevojë për këtë raport alla Dik Marti, që e shumëfishon fuqinë goditëse kundërshqiptare!

Dhe, më tej, pa asnjë argument vijohet të thellohet pa kurrfarë nevoje hendeku imagjinar i zotëri Krajës për ndarjen e shqiptarëve nëpërmjet këtij paragrafi: ”Pavarësisht se shoqëria shqiptare gjatë këtyre tridhjetë vjetëve të fundit është shoqëri pa ideologji, recidivizmi ideologjik herë pas here rishfaqet në disa forma: si nostalgji, si majtizëm ekstrem, si lidhje klanesh, si refuzim ndaj Kosovës dhe, herë pas here, si lidhje më e ngushtë botëkuptimore me Serbinë dhe me proveniencën lindore.”[26] Kjo vjen thjesht si një cikël shpifjesh të nivelit më të ulët të mundshëm. Sepse nëse do të kishte argumente, që zakonisht përbëjnë një analizë të mirëfilltë shkencore, siç pretendon të jetë ky raport, do ta kishim duartrokitur. Por kjo mënyrë e ulët shpifjeje më çudit deri në atë masë, sa të pyes veten se si mund e duhet të jetë portreti i një akademie të shkencave a e një akademiku? Sikur edhe thjesht të ishte bërë shpjegimi i termave që janë përdorur, ky raport do të ishte më funksional. Por aty vetëm sa janë renditur me shumicë elemente të negativitetit shoqëror, politik, mjedisor dhe gjeopolitik, por që në asnjë mënyrë nuk mund të jenë askund në botë elemente të një kombi siç janë shqiptarët, të cilët zotëri Kraja paska alergji t’i shikojë bashkë, të mos themi për t’i parë të bashkuar që nuk di çfarë do të kishte bërë për t’i ndarë e copëtuar.

Madje arrihet deri në ekstrem: ”Më anë tjetër, në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë dhe me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe se përfitimet ekonomike të Shqipërisë nga këto marrëdhënie, po të mos ishte problemi i Kosovës, do të ishin shumëfish më të mëdha, veçmas në fushën e turizmit dhe të transportit. Prandaj, që 20 vjet e këndej, çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të vjetruar nacionaliste/”[27] O zot, deri ku shkon mendja e sëmurë njerëzore?! Vetëm kjo besoj se nuk i ka shkuar në mendje askujt përveç raportshkruesit. Mos mor zotëri, na lë more të bëjmë jetën tonë kombëtare siç dimë ta bëjmë ne shqiptarët. A ke parë ndonjë ëndërr zotëri që Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës kanë dërguar ushtritë e tyre në kufi përballë njëra-tjetrës? Se vetëm këtë ke lënë mangut pa e thënë në këtë raport!?

 

  1. Raport i zi për shqiptarët, që nuk duhet marrë seriozisht

 

Nuk mjafton që në këtë raport bëhet thirrje që Republika e Kosovës të bëjë kujdes e të ruhet nga rreziqet e kërcënimet që i vijnë nga Republika e Shqipërisë, por shkohet edhe më tej, duke vajtuar se Republika e Shqipërisë paska prishur edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e paska bërë të vajtueshme gjendjen e saj, madje deri edhe kundërshtare të Republikës së Kosovës prej kur nga ky shtet është larguar Gruevski. Vlerësoni çfarë thotë raportshkruesi: ”Rëndësia e pjesëmarrjes së gjerë të shqiptarëve në jetën politike të Shkupit, që mund të konsiderohej si një lloj katalizatori i stabilitetit, duke ruajtur balancat politike të brendshme dhe të jashtme të vendit, përnjëherësh u përmbys dhe u zhvlerësua. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më faktorë relevantë, as në politikat e brendshme, as në politikat e jashtme të këtij shteti, sepse peshën e tyre qeveria e Shkupit e ka zëvendësuar, ose synon ta zëvendësojë me një afrim të drejtpërdrejtë me Tiranën, duke e anashkaluar ose duke e bërë të parëndësishëm faktorin e brendshëm shqiptar. Pranimi në NATO i Maqedonisë së Veriut nuk u lexua në Shkup vetëm si forcim i sigurisë dhe i pozitës ndërkombëtare të këtij shtetit, por më shumë si mundësi për të bërë ndryshime strukturore në politikat e brendshme dhe të jashtme, siç është afrimi me Serbinë dhe anashkalimi i faktorit të brendshëm shqiptar, si përcaktues i konfigurimit politik të vendit. Në të vërtetë, që me largimin e Gruevskit nga Maqedonia përmes një marrëveshjeje Zajev – Ahmeti – Rama dhe më pas Vuçiq, u pa qartë se ky koalicion në të ardhmen do të forcohet edhe më shumë, duke e kthyer faktorin shqiptar të Maqedonisë së Veriut në shërbyes të tij.”[28] Ndërkaq, unë që mendoj se e njoh gjendjen edhe në Maqedoninë e Veriut, mund t’u them me siguri të plotë jo vetëm shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por të gjithë shqiptarëve në Ballkan dhe kudo ku jetojnë në mbarë botën, se shqiptarët më të fuqishëm se sot për të qenë me dinjitet dhe të sigurt në trojet e tyre nuk kanë qenë kurrë. Pavarësisht se nuk pretendohet se janë arritur majat, mund të them se shqiptarët në Ballkan, të cilët kanë një histori të pasur e dinamike, ndryshe nga errësira që përhap akademiku Kraja; në këtë kohë që jetojmë, historisë së tyre i kanë vënë kurora lavdie. Dhe, lavdi historike konsideroj Luftën Çlirimtare të Kosovës, që krijoi shtetin e Kosovës, duke i bërë të lirë dy milionë shqiptarë dhe duke bërë që Kosova të jetë një shtet i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës. Po ashtu një kurorë lavdie konsiderohet sakrifica e burrave të Kosovës Lindore, që bënë Luftën për Çlirimin e Kosovës Lindore dhe nëpërmjet së cilës bënë që bota të kuptojë përfundimisht se ato treva janë treva të banuara prej shqiptarëve historikisht. Kurora tjetër është Lufta Çlirimtare në Maqedoninë e Veriut, e cila i bëri shqiptarët autoritet në atë shtet, që deri dje i vriste vetëm pse protestonin për universitet. Prandaj, duhet të bëjmë vlerësime reale për zhvillimet historike dhe është madhështi t’u themi faleminderit të gjithë atyre që ndërmorën dhe udhëhoqën këto luftëra, që i bënë shqiptarët më të autoritetshëm se asnjëherë më parë.

Unë nuk mund të justifikoj faktin që zotëri Kraja, duke luajtur me modelin serb të viktimës, po përpiqet ta bëjë Kosovën viktimë të politikës shqiptare në Maqedoni, sepse sipas tij, Maqedonia e Veriut nuk e do Kosovën, mbasi ajo paska mundësi ta emancipojë kundërfetarisht, por që Maqedonia e Veriut qenka e interesuar t’i manipulojë me islamin, duke mos e lënë Kosovën të shkojë dhe t’i zhvillojë ata që të bëhen të pa fe. Por cila është arsyeja që ky zotëri mendon se Kosova është e pa fe nuk e kuptoj, dhe shteti i Maqedonisë së Veriut qenka shumë i interesuar ”…iv) të shmangë Kosovën nga agjenda politike, duke e identifikuar atë si burim të nacionalizmit, për ta relativizuar peshën e saj te faktori shqiptar i Maqedonisë së Veriut;  dhe v) të shmangë lëvizjet emancipuese nga Kosova, që ushtrojnë ndikim te shqiptarët, në mënyrë që t’i krijohet hapësirë e patrazuar manipulimit fetar islamist, duke vazhduar traditën e hershme të kohës së ish-Jugosllavisë.”[29] Por zotëri Kraja nuk na thotë se në cilën kohë jeton, pasi mendon se ende është koha dhe mendësia politike e Jugosllavisë. Për ta fuqizuar shkëputjen e Kosovës nga Maqedonia, duke i bërë shqiptarët në këtë shtet të çorientuar, të cilët duke u lidhur me Tiranën, siç shprehet akademiku, e paskan lënë anash Kosovën. Çudi! Por, për këtë të shohim më poshtë në këtë raport të zi: ”Mirëpo, shkëputja e lidhjeve tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Kosovën do të shkaktojë pashmangshëm disa pasoja të rënda dhe do t’i sjellë dëme të mëdha jo vetëm komunitetit shqiptar, por edhe vetë shtetit maqedonas, siç është shtrirja më agresive e radikalizmit islamik, i pabaraspeshuar dhe “i pakontrolluar” nga ndikimi emancipues i Kosovës; radikalizimi i një pjese të faktorit politik shqiptar, i cili nuk do të ndihet mirë nën ombrellën anacionale të Tiranës; përçarjet e brendshme të faktorit politik shqiptar (sipas modelit të Tiranës), që mund të çojnë deri te destabilizimi i Maqedonisë së Veriut etj. Për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë lidhje shpirtërore, që nuk mund të minimizohet, aq më pak të mënjanohet tërësisht.”[30] O zot, çfarë terroristi është ky zotëri, akademik shqiptar? Nuk di se si mund ta shprehë urrejtjen më rreptë një njeri. Nuk di se pse e sheh të keqen e shqiptarëve te shteti i Shqipërisë, pasi deri me gjithë informacionin që ekziston, me gjithë dokumentet historike, me gjithë veprimtarinë praktike, Shqipëria, pavarësisht nga problemet që ka pasur e ka brenda vetes, pavarësisht nga gjendja e saj edhe ekonomike, mbasi demokracia i ka sjellë disa pështjellime, Shqipëria për trojet shqiptare jashtë kufijve të saj dhe për shqiptarët që i banojnë ato, historikisht ka punuar dhe punon me përkushtim dhe deri tash, veç të mirave, asnjë të keqe nuk u ka sjellë as Kosovës, as Maqedonisë e as Malit të Zi dhe as Kosovës Lindore. A ka bërë sa duhet të bënte, nuk mund ta them po, por mund të them se edhe rrethanat nuk kanë qenë gjithnjë të favorshme. Por të bëhet thirrje publikisht që Kosova dhe Maqedonia nëse duan të shpëtojnë, duhet të shkëpusin çdo kontakt me Shqipërinë, këtë e bën vetëm zotëri Kraja nga pozita e kryetarit të Akademisë së Kosovës. Veprim i tmerrshëm, i turpshëm dhe kundërshqiptar!

Megjithatë, kam dëshirë që për të gjithë ata që kanë kuriozitetin të jenë të qartë ku mbështetet politika e shtetit të Republikës së Shqipërisë, dua të citoj preambulën e kushtetutës së këtij shteti të miratuar me referendum popullor në vitin 1998, ku thuhet: Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit.”[31] Vetëm këtë po të kishte lexuar e vlerësuar zotëri Kraja nuk do të kishte guxuar të fliste, të deklaronte e të shpifte aq ndyrë dhe armiqësisht ndaj Republikës së Shqipërisë.

 

  1. Njohjet nga shtetet dhe territoret e Kosovës, një shqetësim pa bazë

 

Zotëri Kraja edhe çështjen e njohjeve nga shtetet e tjera të Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur e vë në dyshim, pasi thekson se ”… zhvillimet brenda vetë Kosovës ndikuan negativisht në njohjet ndërkombëtare, veçmas qeverisja e keqe, korrupsioni dhe krimi i organizuar bënë që shumë shtete ta shikojnë me skepticizëm të ardhmen e Kosovës, ndërsa Serbisë i krijuan argumente lehtësisht të përdorshme për propagandën e saj kundër njohjeve…”[32] Nuk e kuptoj vërtet ky zotëri ende mendon se mund të kthehet Kosova në Serbi? Nëse ka këtë mendim, gabon rëndë dhe ia largoj unë merakun, se kjo nuk ka për të ndodhur kurrë sa të ketë shqiptarë në këto hapësira shqiptare.

Kurse për këto që thekson në vijim, se ”… hapja e çështjeve territoriale në dialog me Serbinë, që u pranua si opsion nga një pjesë e elitës politike të Prishtinës, ishte dëmi më i pariparueshëm për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, sepse nga një “çështje e mbyllur”, e bëri Kosovën “çështje të hapur”, posaçërisht për një numër shtetesh ende të pavendosura …”[33] Unë dua të shtroj një çështje për të gjithë ata që nuk di si e kuptojnë këtë proces. Por di se Kosova me Shqipërinë ka një kufi të njohur ndërkombëtarisht, me Maqedoninë e Veriut, mbas bisedimesh e debatesh të gjera, duke humbur një hapësirë tokësore, Kosova përfundimisht ka përcaktuar kufijtë e njohur ndërkombëtarisht; po kështu ka vepruar edhe me Malin e Zi, ku përsëri ka humbur hapësira tokësore, por ka vendosur kufijtë e njohur ndërkombëtarisht. Ndërsa me Serbinë ende nuk e ka bërë këtë, së pari se ende nuk është arritur në atë shkallë, por që do të shkohet edhe në këtë aspekt. Pas kësaj panorame, duhet bërë pyetja: Kur të fillojnë bisedimet me Serbinë për këto çështje, a do të fillohet përsëri të bëhet shaka nga zotëri Kraja e ndonjë tufë politikanësh?

Po kështu, duke folur për njohjet e shtetit të Kosovës prej shteteve të tjera, është befasuese akuza e akademikut Kraja, pasi ai shkurt e shqip thotë: ”Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive…”[34] Sinqerisht më duket se të bësh akuza të tilla për shtetin tonë, që jo vetëm nuk ka ditur e nuk di se si mund të korruptojë shtetet e tjera, por as nuk ka fuqi ta bëjë këtë, sepse nëse ekziston ky lloj korrupsioni, është korrupsion i rëndë, nuk kalohet me një kafe. Por këtë e di akademiku e do të ishte mirë ta bënte publike mënyrën se si korruptohen shtetet.

Ndërsa për sa i përket asaj që akademiku Kraja e quan ndarje të Kosovës, unë nuk e kam dëgjuar kurrë të dokumentuar këtë term, përveç në debatet politike dhe analizat mediatike, ku secili flet si i pëlqen dhe i jep vetes të drejtë.

Por unë kam dëgjuar qysh para çlirimit të Kosovës dhe pas çlirimit për ndryshim të kufijve të Kosovës për të kaluar në atë të ndryshuar nga Beogradi në vitin 1953, kur edhe Kosova Lindore ishte pjesë e Kosovës, dhe unë me dëshirë që nesër do ta bëja këtë ndryshim kufijsh, pa më shkuar fare në mendje se po gaboj kombëtarisht.

Por të deklarosh se është kërkuar e pranuar që të ndahet Kosova, duke thënë ”…u paraqitën ide, të cilat kishin synim ta zgjidhnin çështjen e Kosovës me një “prerje” radikale, duke e ndarë territorin e saj dhe duke e “pajtuar” Serbinë me humbjen e paevitueshme të Kosovës…”[35] Kjo më jep shije të hidhur. Dhe, është interesant, se këtë veprim kundër atdheut të tyre, po e bëkan luftëtarët që e kanë çliruar me armë, të gatshëm të japin edhe jetën për ta parë të lirë. Po e mbron zotëri Kraja, i cili kur në Kosovë luftonin ata që ky i akuzon, nuk dihet ku ishte, por vetëm në luftë e në Kosovë nuk ishte.

 

  1. A qëndron mendimi, që, sipas këtij raporti, është krijuar një grup armiqësor kundërshqiptar?

 

Ajo që të befason është fakti se akademiku ka aq guxim, sa të krijojë një grup kundër-Kosovë, në të cilin ndër të tjerë janë Çubriloviqi, Qosiqi dhe Hashim Thaçi. Se me çfarë logjike është folur në këtë çështje, nuk arrij të bindem se një njeri normal mund ta bëjë një vlerësim të tillë nëse nuk është nën ndonjë trysni të papërballueshme ose përballë ndonjë rreziku fatal.

Dhe, për ta korrigjuar raportin e tij, akademiku Kraja, meqenëse iu duk pak vetëm Hashim Thaçi në grupin kundër-Kosovë, pas disa ditësh që e publikoi këtë raport, do të shkruante: Pasi u kuptua se ish-liderët e UÇK-së mund të ishin objekt i Gjykatës Speciale, u intensifikuan edhe ecejaket e emisarëve “diplomatikë”, të cilët filluan të lëviznin me një shpejtësi në prapaskenat e qendrave politike vendimmarrëse, pothuajse në të gjitha shtetet që mund të kishin ndikim në këtë zhvillim.”[36] Pra, tashmë në këtë grup armiqësor kundër-Kosovë nuk është vetëm Hashim Thaçi, por të gjithë udhëheqësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Mbetet vetëm për të bërë evidencën, por nuk e di deri në çfarë niveli do të zbresë zotëri akademik Kraja. A do të përfshihen edhe komandantët e zonave e brigadave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo do të mjaftohet vetëm me anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nuk mund ta di. Të shpresojmë të mos i shkojë mendja për ndonjë ndryshim të ri, se mund të të akuzojë ndoshta edhe të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Por nuk më vjen çudi, pasi e di se Serbia na ka dënuar edhe dëshmorët me nga njëzet vjet burg në mungesë, një vit pas rënies së tyre në altarin e kombit. Shikoni aktgjykimet e Serbisë.

Po e njëjta gjë ndodh edhe me pjesën tjetër, atë të Maqedonisë së Veriut, pasi në variantin e parë ngarkon me përgjegjësi vetëm zotëri Ali Ahmetin, në variantin e korrigjuar nuk e lë as atë vetëm, prandaj thotë: ”Më anë tjetër, mbështetja që mori nga disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, se do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës, duke mos kërkuar që ata të bashkoheshin me Kosovën ose me Shqipërinë dhe duke mos e copëtuar këtë shtet, nuk kishte asnjë garanci se me një agjendë të këtillë nuk do të rrënohej njëkohësisht edhe paqja e brishtë në Maqedoninë e Veriut.”[37] Pra, edhe atje u duk pak vetëm Aliu dhe duheshin përfshirë edhe të tjerë, megjithëse ndoshta jo të gjithë. Kështu duket se në Maqedoninë e Veriut paska ndonjë që Akademiku nuk dëshiron ta akuzojë si pjesë e grupit armiqësor kundër-Kosovë.

Megjithatë, unë kam dëshirë t’ia heq merakun akademikut Kraja se Maqedonia e Veriut kurrë nuk do të shpërbëhet. Shqiptarët nuk do të jenë për asnjë arsye kërkues të shpërbërjes së Maqedonisë dhe nuk do të jenë shtojcë as të Shqipërisë, as të Kosovës. Ata kanë aq forcë dhe guxim sa ta shohin Maqedoninë e Veriut si shtetin e tyre dhe të kontribuojnë për ta zhvilluar atë sepse janë në tokën e tyre, në të drejtën e tyre dhe ndërtojnë shtetin e tyre. As mos u merr më me këtë çështjen e shpërbërjes së Maqedonisë së Veriut se nuk të dëgjojnë edhe sikur të jesh shumë i interesuar për këtë.

 

  1. Raport që tenton të ligjërojë akuzat kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës

 

Qëndrimi që i vë vulën gjithë kundërshqiptarizmit të këtij raporti është fakti që akademiku Kraja, nuk e di për çfarë arsyesh ligjëron akuzat ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës, në nivelin që i ngre ato raporti i Dick Marty-t. Dhe këtë akademiku Kraja e shpreh kështu: ”Megjithatë, sido që të ishte sistemi gjyqësor i Kosovës dhe pavarësisht nga fakti se në mënyrë jo të drejtë u vendos një shenjë barazimi midis agresorit (Serbisë) dhe viktimës (Kosovës), në periudhën e luftës dhe menjëherë pas saj u kryen krime, disa prej të cilëve mund të kualifikoheshin si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, vetëm se një pjesë e mirë e krimeve të kësaj natyre u kryen jo vetëm si hakmarrje ndaj serbëve lokalë, por edhe ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë.”[38] Duhet marrë në konsideratë se të gjitha këto që akademiku Kraja i ligjëron si krimet të luftës e krime kundër njerëzimit, në aktakuzën e gjykatës kanë rënë thuajse të gjitha, për arsyen e thjeshtë se ishin të montuara e të përpunuara nga prokuroria serbe në Beograd së bashku me ligjërues të tillë si akademiku Kraja. Tashmë, meqenëse këto akuza të formuluara nga Dik Marti kanë rënë, siç duket doli një dëshmitar i ri, i cili realisht duhet të shkojë në Hagë ta vërtetojë akuzën e tij. Ky është zotëri Kraja, i cili ndoshta ka informacione më të thelluara se prokuroria e Serbisë.

Po kështu, thuajse i vjen në ndihmë Memorandumit 2 të Akademisë së Shkencave të Serbisë, në të cilin, ndër të tjera, thuhet se synimi i këtij dokumenti: ”- Zvogëlimi i përgjegjësisë së Serbisë për krimet dhe shkatërrimet, akuzat, ndjekjet dhe proceset e montuara kundër shtetasve të BiH, Kroacisë dhe Kosovës dhe vendosja në pozitën e barabartë me shtetet përreth.

– Destabilizimi i qeverive të vendeve fqinje, provokimi i pakënaqësive të brendshme dhe trazirave dhe dobësimi i mprehtësisë se akuzave kundër Serbisë.

– Me aksione pendese vendosja e Serbisë në pozitën e njëjtë me të vuajturit dhe të dëmtuarit.[39] Dhe, besoj për gjithkënd është e qartë se sa mirë bën përpjekje raporti i akademikut Kraja për t’i barazuar krimet, duke deklaruar se edhe Kosova, më saktë Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime si Serbia.

Ndërsa në vijim akademiku Kraja thekson: ”Po ashtu, tashmë është krijuar bindja se Gjykata Speciale, e themeluar nën trysninë e faktorit ndërkombëtar, as do të formohej dhe as do të niste nga puna, …sikur nomenklatura politike e Kosovës, trashëgimtare e drejtpërdrejtë e UÇK-së, të mos e uzurponte pushtetin dhe institucionet vendore.”[40] Nuk e di përse partitë politike në Kosovë nuk janë distancuar nga qëndrime të tilla, mbasi sistemi politik në Kosovë prej çlirimit është sistem demokratik dhe nuk kam asnjë informacion se në Kosovë është bërë grushtshteti, por, përkundrazi, luftëtarët kur kanë mbetur në opozitë si rrjedhojë e votës së popullit, kanë qëndruar mjaft mirë në opozitë. Prandaj, mendoj se ky vlerësim në raportin e akademikut Kraja përbën precedent për të sotmen dhe të ardhmen që kush merr pushtetin të quhet ose hajdut votash ose puçist. Partitë politike nuk duhet të pajtohen me këtë raport se do të dëmtojnë veten dhe pushtetin e tyre në të ardhmen.

Ndërsa në një paragraf më poshtë të raportit të tij, akademiku Kraja bën një vlerësim të çuditshëm: ”Më anë tjetër, ish-krerët e UÇK-së u përpoqën disa herë ta zhbënin Gjykatën Speciale, synuan të përdornin fuqinë e tyre të votës në Parlament dhe, mbi të gjitha, të nxitnin opinionin publik kundër Gjykatës, duke u mbështetur te ndjeshmëria e popullit të Kosovës ndaj vlerave të UÇK-së dhe të luftës për liri.”[41] Dua t’i kujtoj zotëri Krajës se ajo gjykatë speciale u ngrit me votat e atyre që ai i akuzon se nuk deshën ta lejonin e se deshën ta zhbënin atë gjykatë.

Ndërsa dua të qartësoj për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjithë shqiptarët kudo që janë dhe të gjithë qytetarët e botës, që janë të interesuar të dinë se luftëtarët në politikë e në Parlamentin e Kosovës, që votuan themelimin e kësaj gjykate speciale, që në fillimet e veprimtarisë së kësaj praktike e kanë ditur se do të jenë të akuzuar prej saj. Por për hatër të pastrimit të historisë së Kosovës e të luftës që ka bërë për t’u çliruar, kanë pranuar të përballen me këto akuza dhe për ta pastruar veten dhe gjithë Kosovën nga llumi që përpiqen t’ua lëshojnë në shpinë të gjithë ata që u është prishur interesi duke u çliruar Kosova e duke u bërë shtet sovran dhe i pavarur.

Uroj që akademiku Kraja të mos e ketë deklaruar këtë raport të rëndë kundërhistorik për Kosovën dhe gjithë shqiptarinë i nxitur a i detyruar.

 

  1. Reagime ndaj këtij raporti nga intelektualë e politikanë shqiptarë

 

Duke lexuar disa nga reagimet ndaj këtij raporti alla Dik Marti, më tërheqin vëmendjen me mençurinë dhe kthjelltësinë e tyre disa intelektualë e politikanë, reagimet e të cilëve arrita t’i lexoj për të krijuar një ide të qëndrimeve që mbahen. Dhe, fillimisht u ndala te reagimi i prof. dr. Sabit Syla, në Institutin e Historisë, në Prishtinë, të titulluar: “Reagim lidhur me analizën politike të Mehmet Krajës, “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”. Këtë reagim, pasi e lexova, evidencova disa çështje të ngritura prej tij, me të cilat jam plotësisht dakord dhe nuk besoj se ka nevojë për komente shtesë. Në fillim të këtij reagimi realisht shkencor thuhet: ”… Mehmet Kraja do të duhej të synonte në bashkimin e kërkuesve dhe studiuesve të shkencave të disiplinave albanologjike, për të diskutuar, vlerësuar dhe ridimensionuar studimet tona të përbashkëta, që me argumente shkencore, të pavarura e neutrale, të dalim para botës me teoritë për vijimësinë iliro-shqiptare, trashëgiminë etnike dhe kulturore të shqiptarëve në hapësirat ballkanike, për studimet letrare, antropologjike, kulturore e muzikore, e hartimin e objektivave dhe platformave për zgjidhjen e çështjes kombëtare, apo të paktën me platformë për punën me shqiptarët jashtë atdheut gjatë periudhës së ardhshme.[42] Sa mirë do të ishte të kishim një angazhim të tillë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, por nuk lë mundësi akademiku Kraja, sepse ”…ai del me analiza politike tejet të dëmshme, siç është e ashtuquajtura analizë “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”. Sikurse dëfton emri i këtij dokumenti, qëllimi primar në thelb del ulja e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, e në linjë me këtë edhe të asaj politike e atdhetare.”.[43] Kjo është superabsurde. Një qëndrim të tillë nuk e gjejmë në asnjë dokument të shkruar diku për interesat kombëtare të një kombi.

Dhe në vijim profesor Syla thotë: ”Analiza politike e akademik Krajës, për Ilirët, Mesjetën e për shqiptarët në përgjithësi që flet prej shekullit XVIII e këndej, ka sjellë shumë pasaktësi në shkencë dhe në opinionin publik. Madje ka vazhduar t’i kultivojë e përterijë edhe disa nga teoritë historiko-politike të fushës së historiografisë serbe …”.[44] Dhe mund të them se për këtë jam plotësisht i bindur, pasi librin e Konstandin Jeriçek “Historia e Serbëve” e kam lexuar, sepse është i përkthyer edhe shqip pa asnjë lloj oponence pikërisht nga shkencëtarët që e kanë përkthyer, mbasi siç duket ka akoma të tillë që duan të instalojnë në memorien e shqiptarëve ato që thonë e deklarojnë serbët për shqiptarët.

Po kështu, profesor Syla qartëson dhe orienton, për paraqitjen e këtij raporti e vlerat e tij edhe kur vjen te vlerësimi në këtë raport i Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë që e bëri atë. Për këto lexojmë arsyetimet: ”Nga përmbajtja e materialit shikohet qëndrim mjaft i ashpër ndaj ish-drejtuesve të luftës çlirimtare. Tërheq vëmendjen edhe fakti, që analiza e Krajës del në momentet që siç dihet pritet gjykimi i drejtuesve të luftës çlirimtare. Andaj jo pa qëllim filloi kjo fushatë e ndërmarrë në këtë drejtim për të intensifikuar më tej, të gjitha veprimtaritë antishqiptare, për gjykimin e liderëve të luftës. Në vend që z. Kraja të punonte për të frenuar një proces të tillë, mbi bazën e fakteve dhe argumenteve shkencore, pasi në zhvillimet historike, në rrjedhën e viteve dhe shekujve, ka ngjarje që për domethënien e tyre, qëndrojnë si udhërrëfyese në udhëkryqet e mëdha të historisë e ajo që zë vend nderi në histori është Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja pavarësisht lëkundjeve nëpër kundërthëniet e kohës tashmë 23 vite me radhë, ka ngel projekti themeltar i shtetit modern shqiptar në Kosovë, shkëlqimi i së cilës nuk shuhet kurrë”.[45] Nuk besoj se gjendet dikush ndër shqiptarët e të gjitha kategorive që mund të arsyetojë të kundërtën e këtij qëndrimi, përveç shkruesit të raportit që merret në analizë.

Dhe, në vijim profesor Syla thotë: ”Mobilizimi dhe armatosja e serbëve vendorë kishte karakter masiv. Një raport nga mbledhja e Shtabit të MPB të mbajtur me datë 28 korrik 1998 thuhej se ishin formuar 243 njësi të policisë rezervë në të cilat bënin pjesë banorët e fshatrave/qyteteve përkatëse dhe ishin armatosur rreth 54.683 njerëz, 12.170 prej të cilëve u armatosën nga MPB kurse 34.716 nga UJ, derisa 7.797 ishin armatosur qysh më herët. Për më tepër raporti theksonte se në Kosovë kishin arritur edhe 5.070 armë shpërndarja e të cilave ishte duke vazhduar. U vlerësua se në këtë proces duhej të armatoseshin rreth 60.000 persona.[66] Kjo shifër prej 60.000 serbësh vendorë jep të kuptohet se ishin mobilizuar pothuaj të gjithë meshkujt serbë të aftë për armë. Këto të dhëna të mësipërme janë nga pala serbe, andaj për çfarë civilësh flisni, pasi ata ishin të armatosur?”[46] Është krejt e vërtetë, veçse dua të saktësoj se në numërimin përfundimtar, në Kosovë gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës kanë qenë 63 mijë civilë serb, banorë të Kosovës të armatosur dhe të organizuar ushtarakisht për luftë. Këta serbë të armatosur u shtoheshin rreth 70 mijë trupave ushtarake, 12 mijë trupave policore, 8 mijë trupave paramilitare dhe 5 mijë trupave kriminale vullnetare të liruara nga burgjet për të luftuar në Kosovë e për të bërë krime me kushtin e lirimit nga burgu pas përfundimit të luftës. Kështu që 158 mijë trupa të armatosura të pushtuesit në Kosovë nuk kanë lënë vend për të bërë UÇK-ja si të dëshironte, por vetëm mund të shfrytëzonte malet për të luftuar kundër pushtuesit e mbrojtur qytetarët që kishin braktisur shtëpitë e tyre dhe ishin strehuar në to për të shpëtuar prej masakrave.

Një tjetër reagues, Mirlind Behluli, shprehet se ”… gjuha e përdorur shpesh është politikisht jo korrekte, duke i ngjarë më shumë një fletërrufeje sesa analizës së mirëfilltë”.[47] Ky vlerësim më ktheu vërtetë në vitet ’70 në Shqipëri, kur funksiononte sistemi i fletërrufeve, që duke bërë përpjekje të korrigjoheshin të metat nxiheshin portretet e njerëzve dhe të institucioneve me deklarime pikërisht si të këtij raporti. Ashtu edhe akademiku Kraja, nën pretekstin e korrigjimit të të metave në jetën kombëtare shqiptare, e ndynë me sa fuqi ka historinë kombëtare, e nxinë gjithë jetën kombëtare, e pështynë gjithë politikën shqiptare nëpër kohë, e thyen gjithçka me vlerë dhe tenton të krijojë përçarje ekstreme kombëtare shqiptare.

Zoti na ruajt nga akademiku, sepse po të ketë më tepër fuqi nuk di çfarë do të kishte bërë mbi kombin të cilit ndoshta për fatin e tij të keq i përket, mbasi duket se ky komb nuk është i denjë për të pasur të vetin një figurë si e tij.

Se sa të rrepta janë përpjekjet përçarëse në këtë raport e thotë qartë edhe reaguesi në fjalë, kur shprehet: ”Për më shumë, dokumenti ka … gjuhë paranojake e paragjykuese ndaj Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Partisë Socialiste e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe fesë islame”.[48] Çka lë të kuptohet se Kosova vetëm nga shqiptarët nuk duhet t’i kthejë sytë dhe qytetarët e Kosovës duhet të largohen nga feja Islame. Uroj që Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës të distancohet nga mendime e deklarime të tilla të çartura. Sepse, siç thotë reaguesi i mësipërm në këtë raport ”…ASHAK-u i komenton edhe Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera. Për më tepër, ASHAK-u e akuzon edhe shtetin e Kosovës se “pranoi” njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.[49] Gjuha e përdorur është shumë-shumë e rëndë e problematike për historinë shqiptare. Veçse po të kishte të drejtë e të kishte bërë vërtet analizë për të nxjerrë mangësitë dhe sfidat, do të deklaroja me të madhe që ka të drejtë. Por ky punim është thjesht një raport kundërshqiptar.

Vërtet, gjëra nga këto që janë shkruar në këtë raport mund të fliten e përfliten në mjedise kafenesh nëpër Kosovë. Por një analizë shkencore nuk është dhe nuk mund të jetë një përmbledhje e fjalëve që thuhen nëpër kafene. Kështu që, akademiku Kraja mund të ketë evidencuar fjalë kafenesh, por nuk ka bërë një analizë shkencore. Ai thjesht ka bërë një evidencë tip raporti kundërshqiptar, pa e vrarë mendjen për analizë. Sepse aty nuk ka asnjë arsyetim, asnjë ballafaqim, asnjë dokument, asnjë analizë të mëparshme, asnjë pasqyrë debati për këto çështje, asnjë referim mbi debatet politike e diplomatike, asnjë akt gjyqësor të gjykatave të Kosovës a të gjykatave ndërkombëtare etj.

Ndërkaq, Armand Matoshi, në informacionin e tij, tregon qëndrimin e vetë Akademisë ndaj këtij raporti dhe autorit të tij, duke theksuar: ”Me qasjen e tij joakademike dhe veçanërisht me publikimin e këtij dokumenti joshkencor, të hartuar nga vetë ai, si drejtues i një institucioni prestigjioz shkencor, artistik dhe kulturor, sjell përçarje me pasoja të rënda për vetë Akademinë”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.[50] Evidencimi i kësaj komunikate ka rëndësi të madhe, sepse hedh hapa për ta pastruar institucionin nga qëndrimet personale qoftë edhe të vetë kryetarit të këtij institucioni, pasi e konsideron se me ato qëndrime dhe vlerësime Akademisë dhe publikut të gjerë i është shkaktuar dëm.

Ndërsa zotëri Memli Krasniqi këtë publikim do ta quajë një pamflet kundërshqiptar, me qëndrimin e të cilit pajtohem plotësisht. Pasi ai vlerëson se ”me këtë sulm të ulët nga teksti i dalë prej këtij institucioni, të paguar nga taksapaguesit e Kosovës, konfirmohen e noterizohen tezat serbe, duke sulmuar drejtpërdrejt lidershipin e UÇK-së, si dhe duke ushqyer albanofobinë kundrejt kosovacentrizmit ekstremist, por edhe retorikën neokolonialiste kundër aleatëve perëndimorë.[51] Ashtu sikurse vë në dukje se ”…teksti sulmon të gjithë aktorët dhe faktorët e rëndësishëm e mbështetës të Kosovës, duke filluar me akuza ndaj SHBA-së, BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, se kinse janë bashkëfajtorë për politikat hegjemoniste aktuale serbe, për të vijuar me akuza ndaj elitës politike të shqiptarëve të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut.[52] Kjo vërehet plotësisht në raportin e publikuar dhe krijon një atmosferë mbytëse për gjithçka që krijon vlerë kombëtare shqiptare.

Zotëri Behxhet Pacolli shprehet: ”Duke lexuar atë pamflet që ju e publikuat, u habita jashtëzakonisht se si një person që pretendon se e do vendin e vet, përmes një pamfleti politik dhe propagandistik bëhet zëdhënësi më i denjë i propagandës së Ministrisë së Jashtme të Serbisë.[53] Kjo mendoj se del e pasqyruar mjaft mirë në raportin në fjalë të akademikut Kraja, e ku zotëri Pacolli me qëndrimin e tij shkon edhe më tej kur vë në dukje se ”po shihet qartë se ju jeni profesionist në shqiptimin e qëndrimeve të shteteve që sfidojnë dhe luftojnë shtetësinë e Kosovës.[54] Është shumë interesant ky qëndrim, pasi dihet se kemi të bëjmë me qëndrimin e ish-Presidentit të Kosovës, ish-zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës dhe ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës. Prandaj mendoj se të vlerësohesh nga një personalitet i tillë, që ka njohje të plota për zhvillimet, me këtë notë negative duhet ulur dhe vënë gishtin kokës, sepse vërtet duket se janë bërë abuzime të rënda me të drejtën e fjalës dhe me funksionin që ushtrohet në emër të Kosovës. Më tej zotëri Pacolli, duke iu drejtuar akademikut Kraja, thotë: ”Është për t’u mërzitur sepse ju flisni pikërisht me narrativën e Beogradit dhe zyrtarëve shtetërorë atje. Njohjet e Kosovës që kanë ardhur bazohen në lobim të mirëfilltë dhe të mirëkoordinuar me partnerët tanë duke paraqitur të vërtetën dhe të drejtën tonë si shtet.[55] Ndaj shihet qartë qëndrimi i atij që merret me thashetheme përballë qëndrimit të zotëri Pacollit, që është marrë me këtë çështje prej 15 vjetësh dhe vijon të jetë i angazhuar për të. Më tutje zotëri Pacolli i tërheq vëmendjen akademikut Kraja duke i thënë: ”Nuk kam dëgjuar kryetarin e Akademisë sonë, një institucion që paguhet nga buxheti i Kosovës, të reagojë kur u dëshmua nga ambasadorët perëndimorë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, apo kur mediet në mbarë botën shkruanin për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, përfshirë raportet e Amnesti International për dërgimin e armëve në Afrikë. Nuk kam dëgjuar që ju u keni shkruar homologëve tuaj për diplomacinë e korruptuar të Serbisë, as nuk keni marrë mundimin të shkruani në mediet ndërkombëtare.[56] Artikulim më të qartë se çfarë duhet të kishte bërë akademiku Kraja dhe çfarë ka bërë nuk mund të ketë. Kjo është një pasqyrë ku secili duhet të shikojë portretin e tij. Zotëri Pacolli me shumë të drejtë i tërheq vëmendjen akademikut Kraja edhe për këto çështje. Pa folur për pretendimet dhe këshillimet e mëtejshme.

Më bën përshtypje edhe një vlerësim tjetër nga zotëri Behxhet Shala, i cili, ndër të tjera, shprehet: ”Raporti “analitik” i Mehmet Krajës, më i dëmshëm se raporti i Dik Martit! Ky “raport analitik”, sipas një miku tim të mirë është: “fund e krye antievropian”, antiperëndimor, konspirativ dhe pa asnjë argument shkencor, fjalë rrugësh e pallavra kafesh, pa fije turpi, njollosje njerëzish dhe moralizim publik..[57] Dhe, realisht më i dëmshëm se raporti i Dik Martit! Kemi folur më lart për këtë raport dhe përmasat që ka në krahasim me atë të Martit. Prandaj, edhe pajtohem me zotëri Behxhet Shalën kur vlerëson se ”… pamfleti politik që është edhe faqja tjetër e zezë e raportit të Dik Martit – varianti kosovar….[58] Një raport ky gjithëpërfshirës kundërshqiptar që e fuqizon raportin e Dik Martit do të arsyetoja unë dhe, siç duket, është punuar si ushqim për të, për të arsyetuar se jo vetëm aq sa thotë ai ne jemi të ndyrë, por e kemi të ndyrë gjithë historinë tonë dhe jetën tonë, se ne nuk mund të jemi një komb i bashkuar dhe se ne rrezikun e kemi nga vetvetja e jo nga pushtuesit e në veçanti nga Serbia.

Dhe në vijim evidencojmë reagimet e një profesionisti të ligjshmërisë, i cili ka dhënë prova se bën vlerësime ligjërisht të sakta për çdo qëndrim individual a kolektiv, di dhe për veprimet e vendimet e institucioneve. Ky është zotëri Enver Hasani, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili në reagimin e tij shprehet: ”… teksti ka pasaktësi, të cilat prodhojnë një orientim antievropian dhe antiperëndimor të autorit të tekstit.[59] Në vijim thekson: ”Interpretimet në esencë të Mehmetit sa i përket historisë aktuale të Kosovës dhe vendeve përreth karakterizohen me dy gjëra: e para, urrejtje e shfrenuar ndaj Shqipërisë si shtet, në të gjitha periudhat e zhvillimit të saj; dhe, e dyta, në portretizimin e atyre që janë në Hagë si njerëz të padenjë për politikë dhe potencialisht të inkriminuar në vrasje të njerëzve.[60] Po kështu juristi i mirënjohur Enver Hasani, që ka bërë emër në atë çfarë quhen vlerësime ligjore në Kosovë e më gjerë, do të saktësojë: ”Ajo që dikton tempon dhe përmbajtjen e politikës së jashtme të shtetit shqiptar nuk është dallimi veri e jug, por arsyeja shtetërore, që formohet dhe diktohet nga dinamikat ndërkombëtare të secilës kohë, e që Mehmeti nuk i merr vesh. Sikur t’i merrte vesh, do kishte një qasje tjetër ndaj interpretimit të idesë dhe praktikës mbi Ballkanin e hapur, që aktualisht përbën orientimin kryesor të politikës së jashtme të shtetit shqiptar.[61] Vetvetiu lind një pyetje: Përse akademiku Kraja duke qenë edhe në detyrën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, nuk ndërmori hapa për të thirrur në konsultë personalitete profesioniste të botës akademike siç është zotëri Hasani, për të bërë atë që është më e mira për Kosovën e gjithë kombin shqiptar të cilëve u detyrohet t’u shërbejë, por përpunoi një raport kundërshqiptar në një mënyrë të themi gjysmilegale dhe ta deklarojë, duke krijuar ide edhe që mund ta ketë marrë diku të gatshëm dhe vetëm ta ketë firmosur?

Më tej prof. Hasani vlerëson: ”Pasi konstaton se Hashim Thaçi akuzohet për kohën e të ashtuquajturës Qeveri e Përkohshme në Kosovë, që nuk është e saktë sipas aktakuzës kundër tij, Mehmeti nis e përpunon vetë aktakuzën. Për ata që nuk e dinë sikur Mehmeti, ata në Hagë akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, element i qenësishëm i së cilës është vazhdimësia e veprimtarisë kriminale të të akuzuarve. Kjo do të thotë se, cilësimi i Hashim Thaçit si autoritar dhe si lider efektiv i një strukture qeveritare që nuk njihet ndërkombëtarisht, nënkupton konfirmimin e elementit qenësor të veprës penale për të cilën ai dhe të tjerët akuzohen.[62] Duket, pra, keqdashja e akademikut Kraja ndaj heronjve të Luftës Çlirimtare të Kosovës, siç arsyeton zotëri Hasani. Duket sikur ai po hakmerret ndaj këtyre heronjve, por ata ndonjë borxh zotëri Krajës nuk i kanë, prandaj lind edhe një pyetje që realisht kërkon një përgjigje: Në emër të kujt po hakmerret zotëri Kraja dhe për interesat e kujt po i bën të gjitha këto akuza? Unë nuk mund të jap përgjigje për këtë konstatim që bën zotëri Hasani, që zotëri Kraja përpunon vetë aktakuzën.

Është e turpshme nëse vërtet do të ndodhë ajo që paralajmëron zotëri Hasani kur thotë: ”Eseja e Mehmetit, jam shumë i sigurt, do të merret si provë dhe si një dëshmi e prokurorisë për të vërtetuar natyrën autoritare të të akuzuarit kryesor, si dhe për veprimtarinë e tij kriminale në vazhdimësi.[63] Kjo do të ishte një vepër shumë e rrezikshme antikombëtare nëse vërtet edhe prokuroria speciale në Hagë do të binte në nivelin e marrjes në konsideratë edhe të një raporti si ai i Dik Martit, por të përpunuar shumë dobët, në interes të Serbisë prej një shqiptari. Më tej përsëri zotëri Hasani tërheq vëmendjen duke arsyetuar: ”E keqja e Mehmetit këtë radhë është se, me përdorim të narracionit konspirativ, ka ndikuar dukshëm në inkriminim të mëtejshëm të atyre që janë në Hagë. Këtë nuk ia ka pasur borxh Kosova Mehmetit, të cilin e ka edukuar, shkolluar dhe mbajtur  që nga dita e parë kur ka shkelur në të, por nuk ia kanë pasur borxh as ata në Hagë dhe familjet e tyre.[64] Ngelem pa fjalë pas këtij deklarimi të zotëri Hasanit.

Reaguesi i fundit që kam marrë për të sjellë në këtë qëndrim timin ndaj këtij raporti kundërshqiptar është zotëri Imer Topanica, i cili vë në evidencë se ky raport i akademikut Kraja ”…në veçanti targeton disa entitete, ndoshta më tepër për ta tërhequr vëmendjen nga problemet e mëdha me të cilat ballafaqohemi si shoqëri. Në këtë vazhdë, Turqia dhe myslimanët* janë dy ndër to.[65] Për të arsyetuar ky zotëri ndalet me shumë saktësi në të gjithë çështjet e këtij raporti, për të cilin trajton me saktësi dhe ashpërsi çdo element që është evidencuar për të sjellë dëme në arenën kombëtare shqiptare. Por unë po sjell vetëm një qëndrim të tij kur thotë me plot arsye: ”Po pse Turqia nuk është anëtare e NATO-s? Nuk është aleate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Patjetër që po, por, siç e thamë, ASHAK-u ka ngelur në vitet e komunizmit, sepse, si është e mundshme që një Turqi, duke i pasur synimet e njëjta me armiqtë e Perëndimit – Kinën edhe Rusinë, ta njohë Republikën e Kosovës, ta mbështesë atë në kauzën shtetformuese, ta ndihë atë në aspektin politik, ekonomik, ushtarak, shëndetësor, arsimor e kulturor? Mbi 40 marrëveshje të protokolluara janë nënshkruar ndërmjet Turqisë dhe Kosovës. Gatishmëria e saj për ta ndihur Kosovën, kurrë nuk është vënë në dyshim, përveç në raste përjashtuese (sikur ky nga ASHAK-u).[66] Kjo është e vërteta dhe ky akt e bën me turp këtë Akademi nëse nuk distancohet nga ky raport famëkeq kundërshqiptar, që e konsideroj vazhdimësi dhe kopje e keqe e Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave të vitit 1986.

 

  1. Përfundime

 

Pas përfundimit të këtij qëndrimi përballë këtij raporti të dëmshëm kundërshqiptar, kam arritur në këto përfundime:

 

  1. Ky raport i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i shkruar nga kryetari i saj, akademik Mehmet Kraja, duket se nuk zbulon asgjë, nuk analizon asgjë, nuk sjell asgjë të re, si dhe prej tij nuk mund të gjendet asnjë përftim kombëtar, shtetëror e ballkanik, siç pretendohet. Por thjesht janë paraqitur disa çështje, si të ishin paraqitur nga institucionet e Serbisë, me synimin për të trembur shqiptarët që të rrinë larg serbëve, sepse mund të kenë pasoja.

 

  1. Ky shkrim nuk jep asnjë arsyetim për të qartësuar përse politikat e Serbisë qenkan bërë agresive në këtë kohë dhe nuk ishin aq agresive kur ajo bëri katër luftëra në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të 20-të. Nuk tregon cilat janë arsyet që Kosova, Ballkani Perëndimor, rajoni, Europa e bota nuk e shohin dhe nuk e vlerësojnë këtë politikë agresive të Serbisë.

 

  1. Në përgjithësi ky raport bën deklarata, nuk nxjerr përfundime sipas arsyetimeve apo ankesë nga BE-ja se keqqeverisja në Ballkanin Perëndimor po e largon atë nga politikat e saj, kur një pjesë e këtyre shteteve janë pjesë e BE-së e pjesa tjetër janë kandidatë dhe në rrugëtim për në BE. Ashtu edhe me NATO-n janë të njëjtat raporte si me BE-në, kështu që gjithë pasiguritë duket se janë thjesht imagjinatë e paarsyetuar.

 

  1. Do të ishte mirë që sa merren me trembjen e shqiptarëve, Akademitë e Shkencave shqiptare dhe akademikët e nderuar, të mblidhen siç do të duhej të mblidheshin, të diskutonin, të analizonin, të nxirrnin përfundime dhe të bënin një program të interesave kombëtare shqiptare, sepse këtë e kanë për detyrë. Nëse do të bënin këtë, do të ishin vërtet akademikë, por siç po veprojnë si deri sot, ata kanë tituj akademikë, marrin edhe paga shumë të larta nga populli i tyre, por nuk bëjnë asgjë për të qenë të tillë e për të shpërblyer pagesën që marrin pikërisht për ta bërë këtë.

 

  1. Raporti është një thirrje për t’u trembur nga Serbia! Dhe këtë nuk e bën vetëm për shqiptarët, nuk e bën vetëm për Kosovën e Shqipërinë, por edhe për Bosnjën, Malin e Zi e shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Duke krijuar kështu idenë se duhet të shpresojmë të mos dojë Serbia, se po iu shkrep në mendje asaj, ne kemi marrë fund. Sepse Serbia paska fuqi të na fundosë ne shqiptarëve, të shkatërrojë Ballkanin Perëndimor dhe të shantazhojë NATO-n dhe BE-në.

 

  1. Marrëdhëniet shqiptaro–serbe vihen në një barabarësi, gjë që i intereson mjaft Serbisë, sepse pikërisht për këtë po punon fort, të krijojë mjegullën e saj të mashtrimit. Kështu ky raport nuk përcakton përgjegjësitë e kësaj barabarësie, por thjesht e deklaron si të vërtetë të padiskutueshme, duke u bërë palë me Serbinë përballë të vërtetave dhe interesave shqiptare.

 

  1. Thirrjen në këtë raport që ne duhet t’i kalojmë armiqësitë e pranoj, por jo siç e kërkon raporti, pa kushte. Pajtimi duhet dhe do të vijë, por pasi të vendoset drejtësia. E, drejtësia nuk është në barabarësi siç e trajton ky raport. Shqiptarët askujt nuk i kanë dhënë armiqësi, gjithnjë kanë luftuar të mbijetojnë dhe të çlirohen nga pushtimet e armiqve dhe mes tyre më agresivë dhe të dëmshëm kanë qenë serbët e Serbia.

 

  1. Gjuha e shpifjeve serbe është mjaft e ashpër, sa shkon deri atje, sa të pretendojë se shqiptarët i kanë shqiptarizuar edhe serbët. Megjithëse, siç vlerësojnë ata, ne në ato treva kemi ardhur nga malet, dhe paskemi ardhur rreth një mijë vjet pas serbëve, megjithatë, i paskemi shqiptarizuar. Por kjo është gjuha serbe, nuk kemi pse t’i ndihmojmë në mënyrat siç edhe evidencohet në këtë raport të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

 

  1. Nuk duket normale të pretendohet për të bindur opinionin botëror se shqiptarët nuk e zgjodhën vetë fenë islame, por ua diktoi pushtuesi osman. Se islami nuk qenka fe e kohëve moderne, por një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë. Shqiptarët paskan mbetur në atë kohë pa udhëheqës shpirtëror nga kisha e krishterë, pasi nuk mund të arsyetohet që feja islame nuk qenka fe e kohëve moderne, ndërsa krishterimi qenka e tillë. Kështu që duket një kundërislamizëm primitiv dëshira për të kërkuar modernen te krishterimi dhe të prapambeturën te islami. Për mua feja nuk ndikon për ta bërë njeriun më të zhvilluar ose më të prapambetur. Për të thënë në vijim se kombi ynë në mesjetë historinë nuk e ka pasur të errët, por të ndritur. Ashtu sikurse në gjithë historinë tonë luftërat kundërosmane i kanë bërë më së shumti shqiptarët myslimanë. Besoj se Akademia e Shkencave do ta njohë Abdyl Frashrin, Imer Prizrenin, Sylejman Vokshin, Iljaz pashë Dibrën, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin etj., që nuk besoj se duhet t’i konvertojmë në të krishterë e as t’i fshijmë nga historia pse ishin myslimanë. Ndërsa gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, përballë serbëve të krishterë modernë për çlirimin e Kosovës, kanë rënë në altarin e kombit 26 hoxhallarë duke u bërë dëshmorë të atdheut. Dhe, kjo sepse shqiptarët për të mbijetuar, unitetin e kanë mbështetur te atdheu e kombi dhe jo te feja. Armikun nuk e kemi vlerësuar se i çfarë feje është, por e kemi luftuar si pushtues edhe kur kemi qenë në të njëjtën fe me të. Gjithashtu vlerësoj se deri sot Europa nuk i ka shpallur luftë islamit. Përkundrazi, ajo çdo ditë e më tej po bëhet strehë edhe për të gjithë ata myslimanë që kanë nevojë për të jetuar në Europë. Fakt është që sot Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Anglia, Suedia, Norvegjia e mjaft shtete të tjera të Europës kanë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së tyre të përkatësisë islame, që shkon në 10 për qind e më shumë dhe nuk ndihen as të shqetësuara e as të kërcënuara.

 

  1. Pavarësisht nga dëshira që mund të ketë Serbia, kurrë nuk do të mundë të destabilizojë Kosovën. Shqiptarët duhet të jenë të vendosur për të bërë detyrën e tyre ndaj atdheut e jo të tremben se po i ha Serbia. Kush të trembet, le të shkojë të jetojë e të jetë i qetë në Serbi. Është krejt e palogjikshme të shihet armiku si superior, se tremb qytetarët e vendit tënd. Për një mendim dhe deklarim të tillë ligjërisht duhet të mbahen qëndrime të rrepta.

 

  1. Ky raport e hiperbolizon fuqinë e Serbisë, duke e bërë atë zot të Ballkanit, pa dhënë asnjë argument për këtë. Mendoj se politikat e këtyre shteteve ballkanike nuk janë aq në nivel mediokër sa trajtohen në këtë raport, pasi ne jemi dëshmitarë të zhvillimeve dhe bëjmë vlerësime të ndodhive. Masat për sigurinë merren në çdo shtet dhe secili prej tyre ka një strategji të sigurisë. Puna duhet përqendruar se si mund të ndihmohet siguria e vendit, jo si të tremben shtetet e Ballkanit me gogolin Serbi. Vlerësoj se mënyra si flitet në këtë raport është shumë zhvlerësuese për politikat e shteteve ballkanike krahasuar me politikën e Serbisë, e cila qenka një politikë që mund të shkatërrojë gjithçka në Ballkan. Prandaj, rekomandoj të mos merret seriozisht, sepse nuk është e vërtetë.

 

  1. Nisma për ”Ballkanin e hapur” nuk është dhe nuk mund të jetë nismë e Serbisë, siç e trajton ky shkrim, që, për fat të keq, e trajton Serbinë si zot të Ballkanit. Dihet që Procesi i Berlinit është një nismë e udhëhequr nga Gjermania me mandat për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë – për t’u mundësuar këtyre vendeve që t’i bashkohen BE-së. Kjo agjendë e lidhshmërisë u fillua si një komponent i rëndësishëm që synonte lidhjen e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në fushat e transportit dhe të energjisë, që më vonë u zgjerua në shkëmbime rinore dhe marrëdhënie ekonomike etj. Kështu, “Ballkani i hapur” dhe Procesi i Berlinit nuk kanë asnjë ndryshim. Po t’u referohesh marrëveshjeve, duket se thjesht bëhet shtrirja në praktikën e terrenit të atij procesi. Prandaj ky proces duhet të merret si zhvillim, kurse të zhvillosh nuk do të thotë të mos bësh kujdes për të avancuar interesat e shtetit tënd. Kjo është normale.

 

  1. Të paraqitesh sot me mendimin se Shqipëria qenka me mendësi komuniste dhe nostalgjike për Serbinë duke anashkaluar Kosovën, do të thotë të jesh armik i tërbuar i shqiptarëve dhe i shqiptarizmit në përgjithësi. Por, për fat të keq, ky raport përpiqet të paraqesë dy kategori shqiptarësh, shqiptarë të Republikës së Shqipërisë dhe shqiptarë të Republikës së Kosovës, por që ata shqiptarë të Republikës së Shqipërisë historikisht as kanë dashur të dinë për shqiptarët e Republikës së Kosovës. Kjo tregon një kundërshqiptarizëm të egër dhe përçmues i asaj pjese të shqiptarëve që banojnë në Republikën e Shqipërisë, që raporti shpreh keqardhje për pjesën e shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës. Vlerësoj se ky qëndrim është një shërbim i madh që i bëhet Serbisë, se edhe ajo historikisht është përpjekur t’i ndajë në ’Shiftari’ dhe ’Allbanci’.

 

  1. Përpjekjet në këtë raport për të krijuar përçarje midis shtetit të Shqipërisë dhe të Kosovës, duke pretenduar se prej vitit 1912, shteti i Shqipërisë paska sakrifikuar idealizmin e Kosovës, si dhe t’u thuhet shqiptarëve që banojnë në Republikën e Kosovës të kenë kujdes e të ruhen nga shqiptarët që banojnë në Republikën e Shqipërisë se ata e shpërdorojnë idealizmin e tyre dhe përfitojnë për interesat e tyre nga ky idealizëm, apo se në Shqipëri tashmë është ngulitur ideja se Kosova paraqet pengesë të bezdisshme për marrëdhëniet miqësore me Serbinë; ose se çështja e Kosovës për Shqipërinë politike dhe ekonomike kundrohet si sakrificë, të cilën ajo e bën në dobi të një ideje tashmë të vjetruar nacionaliste, siç deklarohet në këtë raport, vlerësoj se është kundërshqiptarizëm i kulluar.

 

  1. Sipas këtij raporti, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, në veçantë kryetari i saj, ka një përbuzje të theksuar për Republikën e Shqipërisë dhe ka dëshirë e nuk përton të shpifë në një mënyrë të tillë që do ta kishin zili edhe akademikët serbë!

 

  1. Ky është një raport kundërshqiptar, më i rëndë se raporti i Dik Matit, i cili merret me një periudhë të caktuar dhe të shkurtër akuzash kundërshqiptare dhe kryesisht kundër Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kurse ky raport i dytë, që, për fat të keq, shkruhet nga një shqiptar në emër të institucionit më të lartë shkencor të Republikës së Kosovës, përpiqet të na e përbaltë gjithë historinë nga kohët e hershme deri në ditët tona. Nuk kishim nevojë për këtë raport alla Dik Marti, që e shumëfishon fuqinë goditëse kundërshqiptare!

 

  1. Në këtë raport, përveç që bëhet thirrje që Republika e Kosovës të bëjë kujdes e të ruhet nga rreziqet e kërcënimet që i vijnë nga Republika e Shqipërisë, shkohet edhe më tej, duke vlerësuar se Republika e Shqipërisë, paska prishur edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e paska bërë të vajtueshme gjendjen e saj deri edhe kundërshtare të Republikës së Kosovës prej kur nga ky shtet është larguar Gruevski, që, siç duket, paska qenë i fuqishëm t’i mbrojë shqiptarët në Maqedoni nga Shqipëria. Ndërsa unë që mendoj se e njoh gjendjen edhe në Maqedoninë e Veriut, mund t’u them me siguri të plotë se shqiptarët më të fuqishëm se sot për të qenë me dinjitet dhe të sigurt në trojet e tyre nuk kanë qenë kurrë. Dhe, pavarësisht se nuk pretendohet se janë arritur majat, mund të themi se Shqiptarët në Ballkan, të cilët kanë një histori të pasur e dinamike, ndryshe nga errësira që përhap akademiku Kraja; në këtë kohë që jetojmë, historisë së tyre i kanë vënë kurora lavdie. Lavdi historike konsideroj Luftën Çlirimtare të Kosovës, që krijoi shtetin e Kosovës, duke i bërë të lirë dy milionë shqiptarë dhe duke bërë që Kosova të jetë një shtet i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve të botës. Po ashtu një kurorë lavdie konsiderohet sakrifica e burrave të Kosovës Lindore që bënë Luftën për Çlirimin e Kosovës Lindore dhe nëpërmjet së cilës bënë që bota të kuptojë përfundimisht se ato treva janë treva të banuara prej shqiptarëve historikisht. Kurora tjetër është Lufta Çlirimtare në Maqedoninë e Veriut, e cila i bëri shqiptarët autoritet në atë shtet, që deri dje i vriste vetëm pse protestonin për universitet. Prandaj, duhet të bëjmë vlerësime reale për zhvillimet historike dhe është madhështi t’u themi faleminderit të gjithë atyre që ndërmorën dhe udhëhoqën këto luftëra që i bënë shqiptarët më të autoritetshëm se asnjëherë më parë.

 

  1. Edhe zhvillimet brenda Kosovës, ky shkrim gazetaresk përpiqeet t’i pluhurosë. Duket sikur shpresohet akoma se mund të kthehet Kosova në Serbi. Nëse është ky mendim, duhet ta largojë menjëherë kush e ka, se luftëtarët që e mundën Serbinë në vitet 1997–1999 janë gjallë, e edhe kur të mos jenë, populli shqiptar do të ketë fuqi të mbajë veten të lirë.

 

  1. Tërheq vëmendjen deklarimi në këtë raport të një tentative për ndarje të Kosovës. Por në fakt deri sot nuk është parë i dokumentuar ky term, përveç në debatet politike dhe analizat mediatike, ku secili flet si i pëlqen dhe i jep të drejtë vetes. Ndërsa është dëgjuar qysh para çlirimit të Kosovës dhe pas çlirimit për ndryshim të kufijve të Kosovës për të kaluar në atë të ndryshuar nga Beogradi në vitin 1953, kur edhe Kosova Lindore ishte pjesë e Kosovës, dhe mendoj se që nesër do ta bëja këtë ndryshim kufijsh, pa më shkuar fare në mendje se po gaboj kombëtarisht.

 

  1. Ky raport arrin të ketë guximin të krijojë një grup kundër-Kosovë, në të cilin janë Çubriloviqi, Qosiqi dhe Hashim Thaçi. Pasi të korrigjohet raporti, zbulohet se nga shqiptarët nuk është vetëm Hashim Thaçi në grupin kundër-Kosovë, por futen të gjithë ish-liderët e UÇK-së, pra, të gjithë udhëheqësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës. Ashtu sikurse në këtë grup armiqësor kundër-Kosovë sipas këtij raporti, ka edhe në Maqedoninë e Veriut dhe fillimisht evidencohet vetëm Ali Ahmeti, por meqenëse siç duket u vlerësua se është pak vetëm emri i tij, u kalua në variantin e dytë, sipas të cilit disa liderë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, që do ta pranonin në qetësi ndarjen e Kosovës.

 

  1. Qëndrimi që i vë vulën gjithë kundërshqiptarizmit të këtij shkrimi gazetaresk është fakti se përpiqet të ligjërojë akuzat ndaj Luftës Çlirimtare të Kosovës, në nivelin që i ngre ato raporti i Dik Martit. Por duhet marrë në konsideratë se të gjitha këto që i ligjëron ky raport si krime të luftës e krime kundër njerëzimit, në aktakuzën e gjykatës kanë rënë thuajse të gjitha, pasi ishin të montuara e të përpunuara nga prokuroria serbe në Beograd me ndihmës shqiptarë e ndërkombëtarë. Prandaj, vlerësoj se, meqenëse këto akuza të formuluara nga Dik Marti kanë rënë, siç duket, duhej një dëshmitar i ri, i cili realisht duhet të shkojë në Hagë ta vërtetojë akuzën e tij. E ky është zotëri Mehmet Kraja, i cili ndoshta ka informacione më të thelluara se prokuroria e Serbisë.

 

 

Bibliografia

 

  1. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980
  2. Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie, Mehmet Kraja, dhjetor 2022
  3. Ligj nr. 8417, date 21.10.1998 – Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë – preambula
  4. Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (draft), vjeshtë 1986
  5. Memorandum i Kishës Serbe për Kosovën – koment i RADIO B-92, dt. 10.08.2003
  6. https://kosovapress.com/%e2%80%8bscholz-te-pershpejtohet-normalizimi-i-raporteve-kosove-serbi/ (20.01.2023)
  7. https://www.botasot.info/lajme/1319167/cka-permban-memorandumi-2-i-akademise-se-shkencave-dhe-arteve-te-serbise-sanu-per-kosoven/, 25.12.2022
  8. Prof. dr. Sabit Syla, Instituti i Historisë – Prishtinë, Reagim lidhur me analizën politike të Mehmet Krajës ‘Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, https://www.epokaere.com/reagim-lidhur-me-analizen-politike-te-mehmet-krajes-synimet-destabilizuese-te-serbise-ne-kosove-dhe-ne-ballkanin-perendimor/ 20 janar 2023
  9. https://nacionale.com/politike/analiza-e-krajes-ashak-u-percahet-pritet-deklarate-publike-rreth-akuzave, nga Mirlind Behluli
  10. ASHAK distancohet nga Mehmet Kraja për analizën “shkencore”, nga Armand Matoshi, 23 dhjetor 2022
  11. https://telegrafi.com/pdk-publikimi-ashak-ut-eshte-pamflet-anti-shqiptar/ nga Memli Krasniqi, 21.12.2022
  12. https://www.radiokosovaelire.com/behxhet-pacolli-reagon-kunder-mehmet-krajes-per-analizen-e-tij-antishqiptare-ne-emer-te-ashak-ut/ nga Behxhet Pacolli, 23.12.2022
  13. https://www.radiokosovaelire.com/behxhet-sh-shala-raporti-analitik-i-mehmet-krajes-me-i-demshem-sesa-raporti-i-dik-martit/ nga Behxhet Sh. Shala, 23.12.2022
  14. https://www.gazetaexpress.com/mehmeti-cfare-deshi-cfare-tha-mehmeti/, nga Enver Hasani, 23.12.2022
  15. https://nacionale.com/opinion/edhe-nje-skandal-i-radhes-i-ashak-ut-asgje-e-re-ne-horizont, nga Imer Topanica, 16.01.2023

 

 

Referencat

 

[1] Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, faqe 31

[2] Aty.

[3] Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie, Mehmet Kraja, dhjetor 2022, faqe 1

[4] Aty, 1

[5] Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (draft), vjeshtë 1986, faqe 12

[6] Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie, Mehmet Kraja, dhjetor 2022, faqe 1

[7] Aty, faqe 2.

[8] Aty, faqe 3.

[9] Aty, faqe 4.

[10] Aty, faqe 7.

[11] Aty.

[12] Memorandum i Kishës Serbe për Kosovën – koment i RADIO B-92, dt.10.08.2003

[13] Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie Mehmet Kraja, dhjetor 2022, faqe 7

[14] Memorandum i Kishës Serbe për Kosovën – koment i RADIOS B-92, dt.10.08.2003

[15] Aty.

[16] Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie, Mehmet Kraja, dhjetor 2022, faqe 7

[17] Aty, faqe 10.

[18] Aty, faqe 10-11.

[19] Aty, faqe 11.

[20] Aty, faqe 12.

[21] Aty, faqe 17.

[22] Aty, faqe 20-21.

[23] https://kosovapress.com/%e2%80%8bscholz-te-pershpejtohet-normalizimi-i-raporteve-kosove-serbi/ (20.01.2023)

[24] Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK, përpiluar nga kryetari i asaj akademie Mehmet Kraja, dhjetor 2022, faqe 21

[25] Aty, faqe 21.

[26] Aty, faqe 21-22.

[27] Aty, faqe 22.

[28] Aty, faqe 23-24.

[29] Aty, faqe 24.

[30] Aty, faqe 24-25.

[31] Aty, faqe 23-24.

[32] Ligj nr. 8417, datë 21.10.1998 – Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë – preambula

[33] Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie, Mehmet Kraja, dhjetor 2022, faqe 26

[34] Aty.

[35] Aty, faqe 30-31.

[36] Aty, faqe 31-32.

[37] Aty, faqe 31-32.

[38] Aty, faqe 33-34.

[39] https://www.botasot.info/lajme/1319167/cka-permban-memorandumi-2-i-akademise-se-shkencave-dhe-arteve-te-serbise-sanu-per-kosoven/, 25.12.2022

[40] Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, analizë e ASHAK-ut, përpiluar nga kryetari i asaj akademie, Mehmet Kraja, dhjetor 2022, faqe 34

[41] Aty, faqe 34.

[42] Prof. dr. Sabit Syla, Instituti i Historisë – Prishtinë, Reagim lidhur me analizën politike të Mehmet Krajës “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, https://www.epokaere.com/reagim-lidhur-me-analizen-politike-te-mehmet-krajes-synimet-destabilizuese-te-serbise-ne-kosove-dhe-ne-ballkanin-perendimor/ 20 janar 2023

[43] Aty.

[44] Aty.

[45] Aty.

[46] Aty.

[47] https://nacionale.com/politike/analiza-e-krajes-ashak-u-percahet-pritet-deklarate-publike-rreth-akuzave, nga Mirlind Behluli

[48] Aty.

[49] Aty.

[50] AShAK distancohet nga Mehmet Kraja për analizën “shkencore”, nga Armand Matoshi, 23 dhjetor 2022

[51] https://telegrafi.com/pdk-publikimi-ashak-ut-eshte-pamflet-anti-shqiptar/  nga Memli Krasniqi, 21.12.2022

[52] Aty.

[53] https://www.radiokosovaelire.com/behxhet-pacolli-reagon-kunder-mehmet-krajes-per-analizen-e-tij-antishqiptare-ne-emer-te-ashak-ut/  nga Behxhet Pacolli, 23.12.2022

[54] Aty.

[55] Aty.

[56] Aty.

[57] https://www.radiokosovaelire.com/behxhet-sh-shala-raporti-analitik-i-mehmet-krajes-me-i-demshem-sesa-raporti-i-dik-martit/ nga Behxhet Sh. Shala, 23.12.2022

[58] Aty.

[59] https://www.gazetaexpress.com/mehmeti-cfare-deshi-cfare-tha-mehmeti/, nga Enver Hasani, 23.12.2022

[60] Aty.

[61] Aty.

[62] Aty.

[63] Aty.

[64] Aty.

[65] https://nacionale.com/opinion/edhe-nje-skandal-i-radhes-i-ashak-ut-asgje-e-re-ne-horizont, nga Imer Topanica, 16.01.2023

[66] Aty.

Related posts

Telefonat fiks po rikthehen? Shteti ku përdorimi i tyre është rritur me 63%

e-max

Si ta kuptoni se dikush viziton shpesh profilin tuaj në Instagram

e-max

Fotot e fshehura në iPhone do të mund t’i hapni vetëm ju

e-max