GazetaMax
Uncategorized

Ringjallja e Korridorit të harruar!

-Është për t’u përshëndetur që Korridori 8 tash po vendoset në relacionet më të natyrshme dhe më të shkurtra, duke ia bashkangjitur edhe Korridorin 10-D, si një alternativë për një pjesë tjetër të Maqedonisë. Në këtë mënyrë evitohet çfarëdo konotacioni selektiv në baza rajonale e madje etnike, që është një meritë e madhe e kësaj garniture qeveritare.

/Editorial i portalit indeks.mk/

Shtatë dhe Tetë Marsi dhe viti 2023, doemos janë dy data historike. Nuk janë vetëm për shkak se kanë domethënien e tyre për mësuesit dhe statusin e gruas në shoqëri – sepse ato janë bërë pjesë e historisë kaherë – por për shkak të një projekti të rëndësishëm: Korridori 8 dhe atë 10D.

Më 7 Mars Qeveria i dha dritë jeshile e më 8 mars, u nënshkrua Marrëveshja e shumëpritur, si një fillim i projektit që ka nisur këtu e pothuajse tri dekada(saktësisht 29 vjet) më parë.
Një korridor i përmendur dhe stërpërmendur më me vite, por i mbetur nëpër fjalime politikanësh dhe nismash të mbetura në gjysmë rruge, tash po kthehet fuqishëm. Kësisoj, Korridori 8 dhe ai 10D, po hipin në binarë duke “u nisur” në cakun për të cilin këto tri dekada “udhëtojnë” dhe assesi të mbërrijnë në cak. Janë ndërruar qeveri, janë ndërruar ministra, jo që s’është bërë asgjë, është punuar diçka, por paradoksalisht, sikur u ndërrua edhe “traseja” e prioriteteve, ose nëse duam të jemi të saktë, sikur dhe u humb rruga, që në fund Korridori 8 të mbetej si titulli i dramës së njohur të Tenesi Uiliamsit “Treni i quajtur dëshirë”.

Një shprehje të ngjashme e kishte përdorur edhe kryeministri Kovaçevski më 29 nëntor(“hekurudhë e quajtur shpresë”), kur bashkë me kryeministrin bullgar Gallab Donev kishin shënuar rifillimin e punëve në trasetë e reja nga Lindja që lidhet me Bullgarinë(Kumanovë-Belakovc,Belkaovc-Kriva Pallankë).

Që në nismë ky projekt nuk kishte qenë një hekurudhë që lidh Maqedoninë me Bullgarinë, por diçka përtej linjës hekurudhore dhe përtej dy vendeve fqinje, sepse Korridori 8 prej fillimi ishte një kompleks infrastrukturor të vijave të transportit rrugor, hekurudhor, detar madje dhe liqenor që duhej të lidhte Italinë(nga Bari), Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë gjer në Det të Zi.

Gjithsesi, në këtë ngecje ka pasur shumë shkaqe, që nga faktori kronik – paratë, por dhe faktorët të tjerë si mungesë idetë apo vullneti, si diçka që iu ka munguar qeverive të deritashme të vendeve që lidhen me këtë korridor dhe të burokracisë së Brukselit, po ashtu.
Por, si thotë populli, më mirë vonë se kurrë. Që vitin e kaluar e këndej, Qeveria e Maqedonisë dhe të dy vendeve fqinje, në lindje dhe perëndim, u intensifikuan aktivitetet që çuan në përshpejtimin nga ideja e ringjalljes së projektit gjer te veprimet konkrete me formimin e Komitetit për Negociata për Ndërtimin e Korridorreve 8 dhe 10-D, në krye të të cilit u gjet zëvendëskryeministri i parë, Artan Grupi, që pasuan me zgjedhjen e konsulentëve dhe kompanive që do ta realizojnë projektin “më ambicioz pas pavarësisë”(A.Grubi). Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut mori hapat konkretë që në territorin e vet të realizojë gjer në vitin 2030 të gjithë infrastrukturën rrugore e hekurudhore që do t’i lidhte me dy vendet fqinje, për të vënë bazat e shëndosha për qarkullim të mallrave dhe për t’u bërë faktor zhvillimi të gjithmbarshëm ekonomik.

Nëse kthehemi në të kaluarën dhe vitet e humbura, do të mund të gjejmë edhe situata paradoksale, duke përfshirë madje dhe obstruksione të brendshme që Korridorin 8 ta devijojnë nga traseja e natyrshme dhe në vend se të lidhte qytetet Shkupin, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Strugën për Qafëthanë e tutje, sipas një ideje “gjeniale”, mëtonte të devijohej më në jug. Në kontekst të kësaj, është për ta përshëndetur faktin që Korridori 8 tash po vendoset në relacionet më të natyrshme dhe më të shkurtra, duke ia bashkangjitur edhe Korridorin 10-D, si një alternativë për një pjesë tjetër të Maqedonisë që lidh Ohrin, Manasitirin, Prilepin.

Në këtë mënyrë evitohet çfarëdo konotacioni selektiv në baza rajonale e madje etnike, që është një meritë e madhe e kësaj garniture qeveritare.

Gjërave të mira e të bukura me rëndësi për gjithë qytetarët, rajonin dhe madje BE-në që i sjellin këto korridore, marrin peshë edhe në kontekst të përplasjeve politike pushtet-opozitë dhe madje të përplasjeve të fraksioneve brenda partive. Kjo veçmas ka të bëjë me ndasitë e shfaqura në BDI kur ka një grup të pakënaqurish të cilët kanë apostrofuar “paaftësinë” e kuadrove të BDI-së dhe mungesën e llogaridhënies për përgjegjësitë që kanë marrë. Kështu, finalizimi i punëve paraprake për ringjalljen e Korridorit “të harruar”, si një projekt madhor, me bazë të shëndoshë financiare me para buxhetore dhe të fondeve ndërkombëtare, është edhe një betejë personale edhe zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubit, sepse ai u gjet në krye të këtij misioni që tash po finalizohet me sukses, edhe kundrejt kritikuesve të ashpër brenda partisë së vet. Sepse suksesi i Qeverisë si organ kolektiv, megjithatë ka dhe vulën e impenjimit personal të Artan Grubit, me çka mëtohet të dëshmohet se kuadrot e BDI-së kanë “përgjegjësi institucionale”, siç është shprehur shpesh ai dhe lideri Ali Ahmeti. Do të jenë në hall të madh opozitarët maqedonas dhe opozitarët brenda partisë që të gjejnë ndonjë argument kundër bartësit ideor dhe realizuesit kryesor të tij.

Përtej të gjithave, në këtë moment duhet ta kuptojmë ekzaltimin e krerëve shtetërorë pas 7 dhe 8 marsit, si ditë kthese, si ditë kur u ringjall projekti i harruar. Të mos harrojmë se Korridori Tetë ka emrin Korridori Panevropian(në një gjatësi 1220-1350 km), që ndryshe shënon simbolikë tjetër domethënëse në dritën e procesit eurointegrues, që pas Bullgarisë, edhe dy vendet që lidhen me të, Maqedonia dhe Shqipëria, të bëhen pjesë e familjes evropiane. Ai qe nisur si pjesë e Rrjetit Panevropian në Konferencën e Kretës në vitin 1994, dhe ishte paraparë të përfundonte për 15 vitet e ardhshme, por, gjërat morën kahe tjetër dhe prirorite të tjera ia morën krahun “8-shit”, duke e lënë në harresë: zhvillimi i rrjeteve Lindje-Perëndim pak më lart se Mesdheu, me investimet kineze në infrastrukturën e rrjetit rrugor Veri – Jug. Mu për këto arsye, ka rëndësi që po i rikthehemi realizimit të Korridorit 8 që konsiderohej si pjesë edhe e përcaktimeve gjeostrategjike të vendit./indeks.mk/

Related posts

Biden dhe 50 kriminelët e luftës ukrainase

e-max

Ish e dashura e Elon Musk del kundër Mark Zuckerberg

e-max

BE miraton rregulloren e internetit për gjigandët e teknologjisë

e-max