Shtetet e Bashkuara vendosën të premten sanksione ndaj miliarderit rus Viktor Vekselberg, tre anëtarëve të familjes së zëdhënësit të Presidentit Vladimir Putin dhe disa ligjvënësve në serinë e fundit të ndëshkimeve lidhur me agresionin ndaj Ukrainës.
Rusia është goditur nga disa raunde sanskionesh që kur filloi sulmin më të madh ndaj një shteti evropian që nga viti 1945 më 24 shkurt. Moska thotë se bëhet fjalë për një “një operacion special” për të çarmatosur fqinjin e saj dhe për të larguar udhëheqësit që i quan “neo-nazistë”.
Sanksionet e së premtes kanë në shënjestër 10 persona nga bordi i bankës VTB – VTBR.MM, huadhënësi i dytë më i madh në Rusi, dhe 12 anëtarë të Dumës, dhoma e ulët e parlamentit të Rusisë, tha përmes një deklarate Departamenti amerikan i Thesarit.
“Departamenti i Thesarit vazhdon t’i vërë para përgjegjësisë zyrtarët rusë e bënë të mundur për Putinin të ndërmerrte luftën e tij të pajustifikuar dhe të paprovokuar,” tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen.
Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov u bë objekt sanksionesh më 3 mars. Masat e së premtes përfshijnë gruan dhe dy fëmijët e tij të rritur.
Ata kanë “stile jetese luksoze që nuk përputhen me pagën e nëpunësit civil të Peskovit,” tha Departamenti i Thesarit.
Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të agjencisë Reuters për koment.
Në mes të shkurtit, Duma votoi për njohjen e pavarësisë së dy rajoneve separatiste të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore.
Njëmbëdhjetë anëtarë të saj dhe kryetari Vyacheslav Volodin u shtuan në listën e sanksioneve të premten.
“Përcaktimet e sotme vazhdojnë vënien para përgjegjësisë ata aktorë që ishin drejtpërdrejt përgjegjës për njohjen e paligjshme nga ana e Rusisë dhe mundësimin e preteksit të rremë të përdorur nga Putin për të justifikuar luftën e paprovokuar kundër Ukrainës,” tha Departamenti i Thesarit.
Duke justifikuar votimin e shkurtit, zoti Volodin tha:
“Kievi nuk po respekton marrëveshjet e Minskut. Qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Donbas kanë nevojë për ndihmën dhe mbështetjen tonë.”
Marrëveshjet e Minskut ishin nënshkruar në vitet 2014 dhe 2015 me shpresën për t’i dhënë fund dhunës mes separatistëve pro-rusë në Ukrainën lindore dhe qeverisë së Kievit.
Shtetet e Bashkuara vendosën po të premten sanksione të lidhur me Korenë e Veriut, duke vënë në shënjestër individë dhe kompani ruse, pasi zyrtarë amerikanë dhe koreano-jugorë thanë se Pheniani kishte përdorur sistemin më të madh të raketave balistike ndërkontinentale në dy provat e fundit.