GazetaMax
Uncategorized

Shpenzim Beadini: Aktivitetet e fshehta ekonomike përbëjnë një fakt në jetën tonë të përditshme

Vlerësimin për aktivitetet e ekonomisë së fshehtë i konsideroj si një pasion shkencor për të njohur “të panjohurën”. Të gjithë ne njohim raste të prodhuesve të vegjël dhe të ofruesve të shërbimeve të cilët as që e mendojnë regjistrimin e aktivitetit të tyre. Ata shpesh angazhojnë në punë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes apo punësojnë të njohur të tyre, dhe çdo gjë rezulton e paevidentuar në institucionet kompetente shtetërore.

Organet shtetërore duhet të angazhohen për t’i zvogëluar në maksimum këto aktivitete me mënyra të ndryshme si: edukim e fushata ndërgjegjësimi, ndëshkim, investigim etj. Prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve të cilët nuk e kanë të regjistruar aktivitetin e tyre, janë çekuilibruesit kryesorë të tregut, pasi ofrojnë prodhimin apo shërbimin e vet me çmim konkurrues, në të shumtën e rasteve, kanë klientelë më të mirë sesa ata që janë të regjistruar dhe janë tatimpagues të rregullt.

Niveli shqetësues i ekonomisë informale në vendin tonë bën që ajo të trajtohet si një kërcënim i mirëfilltë për stabilitetin ekonomik, për shkak të pasojave negative që sjell. Ndikimet negative përcaktohen nga fakti nëse ato shkaktojnë probleme makroekonomike, mikroekonomike dhe sociale. Mendoj se efektet e ekonomisë së fshehtë duhen pasur parasysh edhe gjatë përcaktimit të politikave të taksave dhe, nga ana tjetër, prania e ekonomisë së fshehtë mund të çojë në një “hiperbolizim” të efekteve inflacioniste të nxitësve fiskalë apo monetarë. Në përgjithësi, ekonomia informale çon në një ulje të rritjes ekonomike. Arsyeja është lidhja shumë negative midis sektorit informal dhe treguesve të infrastrukturës publike.

Pasoja më e madhe negative e ekonomisë së nëndheshme duket në rastin e procesit të vendimmarrjes ekonomike. Një ekonomi e lartë informale krijon agregatë ekonomikë zyrtarë jo të saktë, si norma e papunësisë dhe niveli i të ardhurave. Një rritje në papunësinë zyrtare mund të mos sinjalizojë domosdoshmërisht një nevojë serioze për një stimul më të madh nga politika fiskale, por më tepër një zhvendosje të aktivitetit ekonomik drejt ekonomisë së fshehtë.

Një ndryshim në madhësinë e ekonomisë informale reflektohet në ndryshim të treguesve monetarë, p.sh. rritja e aktiviteteve në ekonominë e fshehtë shtyn kërkesën për monedhë të huaj, që më pas çon në rritjen e inflacionit; apo dhe statistikat e prodhimit: ndërsa rritet ekonomia e fshehtë, imputet e prodhimit, veçanërisht të punës, zhvendosen jashtë ekonomisë zyrtare. Kjo zhvendosje e ulë normën zyrtare të rritjes së ekonomisë.
Nga ana makroekonomike, ekonomia e nëndheshme krijon kushtet për konkurrencë të padrejtë mes kompanive. Kompanitë që operojnë në ekonominë e nëndheshme nuk kanë rregulla ligjore dhe vendosin çmime më konkurruese se kompanitë e regjistruara.

Kompanitë në ekonominë e fshehtë mund t’i shesin produktet dhe shërbimet e tyre në çmime më të ulëta se çmimi i përgjithshëm i tregut dhe mund të rrisin vëllimin e tyre të shitjeve dhe fitimeve. Ekonomia e fshehtë e përkeqëson pozicionin financiar të institucioneve të sigurimeve shoqërore apo ul të ardhurat nga taksat dhe kjo ulje shkakton kufizimin e ndihmës sociale tek njerëzit me të ardhura të ulëta. Kufizimet mbi transfertat sociale shkaktojnë standarde më të vështira jetese për njerëzit me të ardhura të ulëta dhe rrisin tensionet sociale në shoqëri.

https://www.facebook.com/photo/?fbid=6339638992753260&set=a.328074317243121

Related posts

Kur është koha më e mirë për të postuar në Instagram?

e-max

Sa ujë pi Inteligjenca Artificiale?

e-max

A duhet investesuar në Bitcoin gjatë këtij viti? Ja çka paralajmërojnë ekspertët

e-max