Gjykata Themelore në Pejë e ka mbyllur për publikun seancën fillestare ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshorti I të ndjerës Arlinda Zekaj, në rastin për kanosje. Seanca fillestare që pritet të mbahet të enjten më datë 12 nëntor 2026, është bëtë e ditur se është e mbyllur për mediat. Në aktvendimin, të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se kjo është bërë me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare e të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve tjerë në procedurë.
Si nisi gjithçka?
Në arsyetimin e aktvendimin përmendet disa detaje.
“Gjykata fillimisht vlerëson se parimi i publicitetit të shqyrtimit gjyqësor përbën një nga parimet themelore të procedurës penale dhe garanton transparencën e veprimtarisë gjyqësore, si dhe besimin e publikut në administrimin e drejtësisë. Megjithatë, ky parim nuk ka karakter absolut, pasi që legjislacioni procedural penal parasheh mundësinë e kufizimit të tij në raste të caktuara dhe për shkaqe të përcaktuara me ligj, veçanërisht kur një gjë e tillë është e nevojshme për mbrojtjen e jetës personale dhe familjare të personave të përfshirë në procedurë. Në rastin konkret, gjykata ka marrë parasysh se vepra penale për të cilën është ngritur aktakuza, përkatësisht “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 2 i KPRK-së, dyshohet se është kryer në kuadër të marrëdhënieve familjare dhe ndaj një anëtari të familjes. Për rrjedhojë, gjatë shqyrtimit gjyqësor pritet të trajtohen rrethana që ndërlidhen drejtpërdrejt me jetën personale dhe familjare të të pandehurit, të palës së dëmtuar dhe të familjarëve të tyre. Po ashtu, nga përmbajtja e provave të propozuara për administrim rezulton se një pjesë e tyre përmbajnë të dhëna të ndjeshme lidhur me marrëdhëniet brenda familjes, deklarimet personale të personave të përfshirë në procedurë, si dhe informacione që kanë të bëjnë me fëmijën e mitur A.S.”, thuhet në arsyetim, duke dhënë detaje tjera.
“Në këtë drejtim, gjykata vlerëson se prania e publikut gjatë trajtimit të këtyre rrethanave dhe administrimit të provave të lartcekura do të mund të rezultonte në ekspozimin e panevojshëm të çështjeve që i përkasin sferës private dhe familjare të personave të përfshirë në procedurë. Një ekspozim i tillë do të mund të cenonte privatësinë, dinjitetin dhe interesat personale e familjare të tyre, veçanërisht duke pasur parasysh përfshirjen e një fëmije të mitur në këtë çështje penale, për të cilin kërkohet kujdes dhe mbrojtje e shtuar nga ekspozimi publik i të dhënave dhe rrethanave që lidhen me jetën e tij private dhe familjare.”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.
Tutje, aty përmendet edhe fëmija i qiftit.
“Gjykata, në këtë kontekst, i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe interesit më të mirë të fëmijës së mitur A.S., duke vlerësuar se mbrojtja e identitetit, privatësisë dhe mirëqenies së tij duhet të jetë një konsideratë me rëndësi të veçantë gjatë zhvillimit të procedurës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për faktin se në shkresat e lëndës gjenden raporte të bashkëbisedimeve me të miturin, raport psikologjik dhe materiale të tjera që mund të përmbajnë informacione të ndjeshme për jetën e tij personale dhe familjare”, thuhet në aktvendim.
Sylaj akuzohet nga Prokuroria Themelore e Pejës për kanosje ndaj Arlinda Zekaj, ish-bashkëshortja e tij, e cila dyshohet se u privua nga jeta nga kunati I saj, Albert Sylaj.
Aktakuza ndaj Jeton Sylaj për kanosjen e Arlinda Zekaj u ngrit më 23 tetor 2026, ku dy ditë më vonë më 25 tetor 2026 Arlinda Zekaj dyshohet se u vra në mënyrë makabër nga kunati I saj në Vitomericë të Pejës.
