Mbyllen bisedimet në Abu Dhabi, Rusia dhe Ukraina drejt shkëmbimit të madh të robërve

Raundi i ri i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara, përfundoi të mërkurën në Abu Dhabi. Sipas mediave shtetërore ruse, të cituara nga Bloomberg, dita e dytë zgjati më pak se dy orë, ndërsa deklaratat e delegacioneve për ecurinë e negociatave pritet të bëhen më vonë gjatë ditës.

Ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta mes palëve ndërluftuese që nga shkurti. Delegacionin amerikan e udhëhoqën i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump. Ukrainën e përfaqësoi kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme, Rustem Umerov, ndërsa Rusinë ndihmësi i Putinit, Vladimir Medinski.

Marrëveshje për shkëmbim të madh të robërve

Dita e parë, e martë, zgjati rreth katër orë. Sipas burimeve të agjencisë Interfax-Ukraine, palët ranë dakord që në të ardhmen e afërt të bëjnë një shkëmbim të madh të robërve të luftës, prej 1.000 për 1.000 ose më shumë. Në qendër të diskutimeve ishin garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe për Evropën në tërësi, por u diskutuan edhe kërkesat e Rusisë për garanci për veten.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cilësoi nga Parisi bisedimet e ditës së parë si shumë produktive, pa dhënë hollësi. Sipas The Washington Post, Kushner ka propozuar një arkitekturë të re të sigurisë evropiane, me pjesëmarrjen e Rusisë dhe të vendeve evropiane, sipas modelit të ish-Këshillit NATO–Rusi.

Evropianët në Abu Dhabi, Moska i shmang

Umerov njoftoi se pas takimit trepalësh delegacioni ukrainas do të takohej veçmas me partnerët evropianë. Në Abu Dhabi ndodhen përfaqësues të Britanisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe të NATO-s dhe të Komisionit Evropian. Kremlini tha se delegacioni rus nuk ka pasur dhe nuk planifikon kontakte me ta.

Bisedimet u zhvilluan nën hijen e sulmeve të reja. Kryeministri ukrainas njoftoi se Rusia goditi gjatë natës gjashtë nënstacione të mëdha elektrike në katër rajone qendrore, ndërsa sipas agjencisë ruse TASS, mbetjet e një droni vranë dy persona në rajonin rus të Smolenskut. Moska dhe Kievi mbeten larg njëra-tjetrës, sidomos për çështjen e territoreve.

Burimi:botasot.info