Alarm për një sëmundje misterioze, dhjetëra turistë rusë preken në Vietnam! Temperaturë e lartë dhe kollë që zgjat me javë

Shqetësimi për një tjetër emergjencë shëndetësore është ngritur në Rusi, pas raportimeve për një sëmundje misterioze që ka prekur dhjetëra turistë rusë gjatë qëndrimit të tyre në qytetin turistik Nha Trang të Vietnamit. Autoritetet shëndetësore kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e infeksionit, ndërsa rastet e raportuara kanë shtuar shqetësimin mes udhëtarëve. Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA, personat e prekur kanë shfaqur simptoma të forta, mes tyre temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke, rrjedhje hundësh dhe kollë të vazhdueshme e intensive. Kjo e fundit, sipas raportimeve, mund të zgjasë edhe për disa javë.

Mjekët vietnamezë që po trajtojnë pacientët ende nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të sëmundjes. Deri më tani, dyshimet lidhen me një virus gripi që qarkullon në zonë, ndërsa disa prej pacientëve kanë pasur nevojë të qëndrojnë në shtrat për shkak të gjendjes së tyre. Agjencia ruse për mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik, Rospotrebnadzor, ka konfirmuar se u ka dërguar kërkesa zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë së Vietnamit dhe Shoqatës Ruse të Agjentëve të Udhëtimit, duke kërkuar informacion të menjëhershëm dhe të dhëna mbi rastet e raportuara. Ky alarm shëndetësor vjen vetëm pesë javë pasi Rusia u përball me shqetësime lidhur me një rast të dyshuar të murtajës në Siberi. Në fillim të tetorit, një punonjës i një laboratori në Institutin e Kërkimeve për Murtajën në Irkutsk humbi jetën pas një pneumonie të rëndë me shkak të panjohur.

Pas ngjarjes, autoritetet vendosën në karantinë personat që kishin pasur kontakt me të, ndërsa mohuan raportimet për shkelje të masave të biosigurisë. Megjithatë, autoritetet ruse dhe përfaqësuesit e sektorit të turizmit po përpiqen të qetësojnë situatën. Shoqata Ruse e Industrisë së Turizmit deklaroi për RIA se nuk kishte marrë ankesa masive nga pushuesit, ndërsa konsullata ruse në qytetin Ho Chi Minh bëri të ditur se asnjë shtetas rus nuk kishte kërkuar zyrtarisht ndihmë për shkak të një sëmundjeje të panjohur.

Edhe ekspertët mjekësorë në Moskë kanë bërë thirrje për qetësi, duke theksuar se simptomat mund të lidhen me infeksione sezonale të rrugëve të frymëmarrjes ose forma të zakonshme të gripit, dhe jo domosdoshmërisht me një patogjen të ri. Ndërkohë, shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të një hetimi të mëparshëm mbi raste të mundshme të virusit Coxsackie te turistët rusë në Vietnam gjatë muajit të kaluar. Autoritetet janë në pritje të rezultateve zyrtare të analizave nga Hanoi për të përcaktuar natyrën e infeksionit. Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar se bëhet fjalë për një virus të ri apo për rrezikun e një pandemie të re.

Burimi:botasot.info