Një lajm i hidhur ka tronditur futbollin, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut.
Bëhet fjalë për ndarjen e papritur nga jeta të ish-futbollistit të njohur shqiptar, Agron Memedi.
Lajmi për vdekjen tragjike të ish-futbollistit Agron Memedi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i KF Shkëndijës së Tetovës, Faton Zylbehari, për gazetën kombëtare “Bota sot”.
“Tragjedi në futbollin maqedonas. Agron Memedi kolapson në stërvitje dhe ndërron jetë rrugës për në spital.
Futbolli maqedonas është në zi pas ndarjes së papritur nga jeta të ish-futbollistit të përfaqësueses së Maqedonisë, Agron Memedi”, shkruan media maqedonase “Ekipa”.
Sipas raportimeve të mediave maqedonase, Memedi, i cili ishte pjesë e shtabit teknik të Shkëndijës së Tetovës, ishte i pranishëm në stërvitjen e sotme të skuadrës, kur papritur është alivanosur.
Ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Tetovës.
Gjatë karrierës si futbollist, Memedi kishte luajtur për skuadrat Renova dhe Metalurgu. Me Renovën kishte fituar edhe titullin e kampionit në futbollin maqedonas.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai iu përkushtua punës si trajner dhe për shumë vite ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovës.
Memedi kishte regjistruar edhe një paraqitje me përfaqësuesen e Maqedonisë, në vitin 2010.
Burimi: botasot.info
