Estonia vendos ta mbyllë kufirin me Rusinë

Estonia do të mbyllë kufirin me Rusinë, pasi akuzoi Moskën zyrtare për një sulm të dyshuar ndaj një kompanie të teknologjisë së mbrojtjes.

Autoritetet bëjnë të ditur se tetë persona janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë tentuar t’i vënë zjarrin kompanisë gjatë natës së së shtunës. Nga incidenti nuk është raportuar për të lënduar.

Shërbimet estoneze të sigurisë kanë thënë se sulmi i tentuar është kryer me urdhër të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU-së.

“Nëse Rusia vazhdon operacionet e saj hibride në Estoni, dhe ne e dimë se shërbimet ruse të inteligjencës shfrytëzojnë pikat kufitare për të ushtruar ndikim mbi njerëzit, duhet të jemi të përgatitur për të zvogëluar rreziqet me të cilat përballemi”, ka thënë kryeministri Kristen Michal në një deklaratë të dielën.

“Mbyllja e kufirit do të zvogëlonte kërcënimin ndaj njerëzve në Estoni dhe do të dërgonte një mesazh të qartë se sulmet ndaj industrisë dhe kapaciteteve mbrojtëse të Estonisë janë të papranueshme”, ka shtuar ai.

Pikat e kalimit kufitar do të mbyllen nga 1 dhjetori, ndërsa Michal nuk bëri të ditur se kur do të rihapen.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i ka thënë agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS se kjo masë është pjesë e një modeli më të gjerë të asaj që ajo e quajti “rusofobi”.

“Do ta verifikojmë vërtetësinë e gjithë kësaj”, ka thënë Zakharova. “Por, nëse këto janë planet e tyre të vërteta, atëherë ato janë pjesë e një vale tjetër të rusofobisë agresive dhe të pakontrolluar”, ka shtuar.

Burimi:TV21