Mbrojtësi i Kombëtares së Kroacisë dhe i Brightonit, Luka Vushkoviç, ka zgjuar interesimin e Barcelonës. Për shërbimet e tij po interesohen gjithashtu Real Madridi, Liverpooli dhe Bayern Munihu, shkruan mediumi TEAMtalk.
Megjithatë, Brightoni nuk ka ndërmend ta shesë futbollistin gjatë sezonit, në të cilin po lufton për një vend në Ligën e Kampionëve.
Sipas të njëjtit burim, Barcelona është ndër klubet më serioze për transferimin e Vushkoviçit, i cili brenda një kohe të shkurtër është shndërruar në njërin prej mbrojtësve të rinj më të mirë në Evropë.
Vushkoviç iu bashkua Brightonit në korrik të vitit 2026, duke ardhur nga Tottenhami, në një transferim me vlerë prej 54 milionë eurosh.
Ai nënshkroi kontratë pesëvjeçare, deri në vitin 2031, ndërsa klubi ka edhe mundësinë për ta vazhduar atë edhe për 12 muaj të tjerë.
Vëmendjen e madhe e kishte tërhequr që sezonin e kaluar, kur ishte i huazuar te Hamburgu dhe zhvilloi një sezon shumë të mirë në Bundesligë.
Përshtatja me futbollin anglez, i njohur për kërkesat e larta fizike, nuk zgjati shumë.
Kroati i ri ishte titullar në të dhjetë ndeshjet e Brightonit në kampionatin 2026/2027 dhe shumë shpejt u bë i pazëvendësueshëm në mbrojtje.
Dominimi i tij në duelet ajrore, qetësia me topin dhe fiziku i fuqishëm janë ndër bazat e mbrojtjes së fortë të skuadrës së trajnerit Fabian Hürzeler.
Brightoni aktualisht renditet në vendin e dytë me 22 pikë, pesë më pak se Arsenali kryesues.
Pasardhësi i mundshëm i Van Dijkut
Sipas TEAMtalk, Liverpooli po e përcjell me vëmendje Vushkoviçin, duke e parë si një pasardhës të mundshëm afatgjatë të Virgil van Dijkut.
Real Madridi po e monitoron zhvillimin e tij në kuadër të planifikimit për të ardhmen e repartit defensiv.
Interesim kanë shfaqur edhe gjigantë të tjerë evropianë, përfshirë Bayern Munihun.
Megjithatë, i njëjti burim thekson se Vushkoviç është i kënaqur te Brightoni, ku luan rregullisht dhe gëzon besimin e plotë të trajnerit.
Brightoni vështirë se do të pranonte largimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi synon kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Meqenëse kontrata e tij nuk përmban klauzolë largimi për verën e ardhshme dhe është afatgjatë, klubi anglez ndodhet në një pozitë shumë të favorshme negociuese.
Vlerësohet se vera e vitit 2027 është periudha më reale për një transferim të mundshëm, kur Vušković do të jetë 20 vjeç.
Në atë kohë, Brightoni mund të kërkojë një shumë dukshëm më të madhe se ajo që i kishte paguar Tottenhamit.
Burimi: botasot.info
