Zhdukja biznesmenes kineze në Greqi, hetohen investimet në Bogovë dhe transaksionet e dyshimta
Zhdukja e 50-vjeçares kineze Yu Ting vijon të mbetet pa përgjigje, ndërsa autoritetet greke po zgjerojnë hetimet në disa drejtime. Në qendër të verifikimeve kanë hyrë edhe aktivitetet dhe planet e saj në Shqipëri, ku ishte pajisur me leje qëndrimi dhe po shqyrtonte mundësi investimi. Sipas mediave greke, Yu Ting u largua nga banesa e saj në Artemidë më 20 maj, rreth orës 10:05, me destinacion qendrën e Athinës. Familjarët kanë deklaruar se ajo do të mblidhte pagesat e qirave nga disa apartamente të dhëna me qira për shtetas kinezë. Pas zbritjes nga autobusi, gjurmët e saj humbën dhe çdo komunikim u ndërpre. Bashkëshorti i 50-vjeçares, Vasilis Karavasilis, ka përjashtuar mundësinë e një largimi vullnetar. Ai dyshon se gruaja mund të jetë rrëmbyer ose vrarë, por deri tani hetuesit nuk kanë publikuar prova që të mbështesin një skenar të caktuar. Gjatë verifikimeve ka rezultuar se Yu Ting kishte marrë më 17 janar 2026 një leje qëndrimi njëvjeçare nga strukturat e Kufirit dhe Migracionit në Vlorë. Dokumenti lidhej me interesin e saj për të zhvilluar investime në Shqipëri. Një nga projektet që ajo po shqyrtonte ishte ndërtimi i një impianti për prodhimin dhe ambalazhimin e ujit në zonën e Bogovës. Sipas dëshmive, biznesmenia kishte vizituar dy herë një burim uji dhe ishte prezantuar si përfaqësuese e një grupi investitorësh kinezë. Një agjente shqiptare e pasurive të paluajtshme, e cila kishte bashkëpunuar me të, ka deklaruar se interesi për projektin ishte real, por investimi nuk u finalizua. Lidhjet me Shqipërinë dolën sërish në pah përmes një takimi të zhvilluar vetëm katër ditë përpara zhdukjes. Sipas raportimeve, në takim ishin të pranishëm Yu Ting, agjentja shqiptare, një shtetas kinez, një prift dhe një ish-oficer policie. Prifti ka deklaruar se biseda ishte përqendruar te investimet dhe pasuritë e paluajtshme. Sipas tij, Yu Ting ishte prezantuar si përfaqësuese e investitorëve kinezë me interes për blerjen e tokave, hoteleve dhe pronave të tjera në Greqi. Agjentja shqiptare ka konfirmuar se bashkëpunonte me 50-vjeçaren që prej vitit 2022. Gjatë kësaj periudhe, sipas saj, investitorëve kinezë u ishin paraqitur më shumë se 20 prona, por asnjë negociatë nuk ishte mbyllur me marrëveshje konkrete. Edhe motra e Yu Ting ka dëshmuar se ajo planifikonte të udhëtonte drejt Shqipërisë për të parë parcela toke dhe se e kishte informuar për lejen njëvjeçare të qëndrimit. Paralelisht, policia greke po heton edhe një konflikt të mundshëm financiar në Athinë. Yu Ting dyshohet se ishte përfshirë në bisedime për blerjen e një pike karburanti. Një tjetër shtetase kineze pretendon se kishte investuar 100 mijë euro, por marrëveshja nuk u realizua. Autoritetet greke nuk kanë përjashtuar asnjë pistë. Ende nuk dihet nëse zhdukja lidhet me aktivitetet e saj të biznesit, me konfliktet financiare apo me rrethana të tjera. Rasti mbetet i hapur, ndërsa lidhjet e Yu Ting me Shqipërinë janë kthyer në një nga elementet kryesore të hetimit.