GazetaMax
LAJME

Haraçi në gjak

Edhe përkundër rezistencës heroike, Ukraina, e lënë e vetmuar, zgjidhja në fund të tunelit është në  gatishmërinë e Zelenskit për t’u ulur e shqyrtuar në tavolinëpër të bërë kompromiset, të cilat gjithsesi neutraliteti i Ukrainës, është gjëja e parë më pak e dhimbshme, e deri te pranimi i faktit se Krimeja është e Rusisë, kurse për republikat separatiste ruse do të ishte sukses i madh nëse i ruan si pjesë të Ukrainës, me ndonjë autonomi të zgjeruar, sepse ato praktikisht janë të humbura

Nga Daut DAUTI

  1. DEKLARATAT E JAVËS…

Sergej Lavrov: Ne nuk kemi ndërmend të sulmojmë vende tjera, nuk e kemi sulmuar as Ukrainën…! Eh, kjo është deklaratë, me cinizmin dhe grotesken brenda. Ama Lavrov mundet ta thotë. Edhe të arsyetojë sulmin mbi spital, sepse aty qenkan vendosurforcat ukrainase!(Të paktën të kishte thënë se është qëlluar gabimisht, pa dashje, edhe pse prapë nuk do t’i besonte kush…)  Për nga idiotizmi, ndoshta mund t’i afrohet vetëm deklarata e Lul Bashës se ai deri tash nuk ka humbur asnjëherë, ama kjo e dyta është për të qeshur e për të qarë njëkohësisht, por ajo e Lavrovit është zëri i agresorit që flet sikur është viktimë. E lemerishme.. Dhe është cinike, groteske, absurde përtej gjithçkaje. Ai përfaqëson Rusinë që ka shkuar në Ukrainë për haraç: as do ta dijë sa do të jetë ky haraç për Rusinë(fëmijët e dikujt vdesin për këtë kauzë të marrë), e edhe më pak për fëmijët që lindin në maternitetin i cili u godit nga predhat ruse. Edhe pa lindur, ata fëmijë janë cak, edhe pse ishte thënë në fillim se caqet janë rigorozisht “selektive e precize”…Si materniteti, dhe dhjetëra spitale, caqe “legjitime”, të cilat vetëm agresori që s’ia di as për rregulla lufte, as për norma njerëzore, mund t’i arsyetojë paturpësisht.

  1. HARAÇI…

Pa e shfletuar fjalorin, të gjithë e dimëkuptimin e fjalës”haraç”, që s’është gjë tjetër, pos një tagër(sinonim) ose një çmim që “paguhet” në forma të ndryshme. Tagër, tatim, akcizë, TVSH…, mund të jenë vetëm variacione të një çmimi që paguhet në kategori të ndryshme të veprimtarisë ekonomike ose të obligimit qytetar për ta ndihmuar ekonominë ose buxhetin e një vendi. Të mos krijojnë lexuesit percepcion të gabuar, heq dorë nga shpjegime të  mëtutjeshme, se në atë fushë ka kush e nxjerr bukën për t’i sqaruar gjërat. Dikur ekzistonte një lloj specifik i haraçit, “haraçi në gjak”, i cili ishte një mashtrim terminologjik, sepse otomanët kështu e quanin kur i merrnin fëmijët e rajës së sunduar për t’i bërë jeniçerë e t’i kthenin pastaj të luftonin kundër etërve të tyre, e jo se duhej paguar “me gjak”. Gjaku është i pranishëm në mënyrë figurative. Ajo që ndodh në Ukrainë, fjalë për fjalë është një lloj haraçi në gjak, jo në kuptimin figurativ, por faktik. Dhe jo vetëm për shkak të agresionit rus, që është një mizori e paparë dhe ironike në sytë e botës, por dhe për shkak se është një çmim tepër tragjik edhe i gabimeve të botës perëndimore..

Nuk ka dilemë se kur një agresor hyn një shtet sovran, faji kryesor bie mbi të.Nga mallkimi i viktimave Putini nuk do të mund të ikë asnjëherë. Por, ajo që Trampi ia adresoi në lloj gjenialiteti Putinit (pastaj sikur u korrigjua), në të vërtetë fshihet ana tjetër e medaljes, se Putini shfrytëzoi dobësitë dhe gabimet trashanike të Perëndimit. Sepse, nëse Perëndimi ka dashur ta përfshijë në gjirin e vet një shtet si Ukraina, është dashur së pari të ketë parasysh realitetin e saj të brendshëm, që konsiston me mbi 8 milionë rusë në 44 milionë banorë(18 për qind, një faktor i brendshëm destabilizues në çdo kohë, i nxitur nga Rusia, kuptohet). Përderisa i ka inkurajuar forcat properëndimore të revolucionit “të portokalltë”, është dashur edhe  t’i qëndrojë prapa në të gjitha mënyrat, sepse, siç e shohim sot presidentin Zelenski, ka pritur jo vetëm përkrahje morale, por dhe ushtarake.

Bashkësia ndërkombëtare, ta kishte pasur vizionin e qartë, do t’ia hapte dyert Ukrainës si për BE, si për NATO që me kohë, ende pa u kthjellë Rusia, që të mos e linte sot vetëm. Perëndimi e mori leksionin në Gjeorgji, prandaj me Ukrainën duhej të ishte më e kujdesshme. Sepse, mënyra nxitëse e “përkrahjes” së forcave pro-perëndimore, Ukrainës i kushtoi me ndërhyrjen ruse brenda territorit(rebelimi i rajonit të Donbasit me dy republika separatiste) dhe me aneksimin faktik të Krimesë, kurse deklaratat e BE-së dhe SHBA-së se kurrë nuk do ta pranojnë këtë ndërhyrje në sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, është një satisfaksion i vogël kur e sheh se deklarativizmi faktikisht nuk ndihmon gjë. Edhe përkundër rezistencës heroike, Ukraina e lënë e vetmuar (faj kanë edhe udhëheqësit e saj që kanë pritur më shumë)kundrejt çmendurisë së regjimit të Putinit (i cili gjithnjë e më tepër, si për veprimet, si për retorikën, si për propagandën, si për kufizimin (censurën) medial(e), i ngjan gjithë asaj që tentoi të bënte Hitleri),zgjidhja është në  gatishmërinë e Zelenskit për t’u ulur e shqyrtuar në tavolinë kompromiset. Ato kompromise gjithsesi janë një kthim prapa, në neutralitetin e Ukrainës, që e kërkon Rusia, që është gjëja e parë dhe më pak e dhimbshme, e deri te pranimi i faktit se Krimeja është e Rusisë, kurse për republikat separatiste, do të ishte sukses i madh nëse i mban brenda me ndonjë autonomi të zgjeruar, sepse si në fushën e luftës, si në tavolinë, ato mund të humben përderisa Perëndimi nuk i qëndron mbrapa ushtarakisht Ukrainës!

Ky haraç po paguhet me çmim të lartë, pavarësisht humbjes morale, madje dhe ushtarake të Rusisë në planin afatgjatë.

  1. SANKSIONE RUSISË, E ÇMIMIN E MADH E PAGUAJNË VETË…

Bota perëndimore, në pamundësi t’i kundërvihet ushtarakisht Rusisë, zgjodhi mënyrat e sofistikuara, atë të sanksioneve. Të gjithë thanë se ato do ta gjunjëzojnë Rusinë. Katër pesë oligarkë, ose dhjetëra të tillë, pastaj bashkëpunëtorëve të Putinit dhe vetë atij, disa bankave ruse, pastaj gazit e naftës ruse…Kur përmendeshin kështu, dukej paksa qesharake. Do të shihni se çka do të ndodhë, thoshin… Edhe mund të gjunjëzohet ekonomia ruse, mund të varfërohet populli(që do ta paguajë çmimin e verbërisë së vet që mbështet një autoritar që ka dalë jashtë kontrollit), i cili nesër mund ta shtojë masën kritike dhe të kërkojë ikjen e “prijësit”…Por, gjithë këto, dikur e në ndonjë kohë…(Duhet të merret seriozisht tezae Ilir Kullës se asnjëherë nuk kanë dhënë rezultat sanksionet e këtilla)…Edhe sikur të mos jetë ashtu si thotë ai, edhe sikur kësaj radhe do të gjunjëzohet vërtet Rusia, është ana tjetër e medaljes që po e shohim. E po shohim në mënyrë të vrazhdë, në oborrin tonë…

Pra, derisa po presim ta paguajë çmimin Rusia, me ndaljen e gazit dhe naftës së saj dhe gjithçka që vjen nga ekonomia e saj që financon agresion e përgjakshëm,çmimin do ta paguajnë se pari vendet që i venë sanksionet! E Ai çmim aspak s’është naiv, është haraç i vërtetë. Bie fjala, prej nga  do ta kompensojë Shqipëria sasinë e grurit që 70 për qind e siguron nga Rusia? Po nuk është vetëm Shqipëria që është varur prej grurit të Rusisë… Po prej grurit të Ukrainës, në këtë situatë lufte,as që mund të mendohet. Kush ka mbjellë grurë në vjeshtë në arat e veta që i ka destinuar tashmë për rendimente të tjera, ose i ka braktisur fare(si në Maqedoni që lihen djerrë). Edhe po të duash, gruri në pranverë nuk mbillet, gjë që, derisa Rusia vazhdon me mizorinë e përgjakshme, shumë vende çmimin e kësaj do ta paguajnë me vuajtje për bukën.

Pikërisht këto aspekte të çmimit, sa e paguan Rusia për fajin e vet, e paguajnë gjithë ata që duke i vënë sanksione Rusisë, vendin e tyre e venë në  pozitë të vështirë. Askush deri tash nuk i ka kalkuluar dëmet që do të pësojë Rusia, por as këto që do t’i pësojnë vendet që i i kanë vënë sanksione. Shumica e vendeve evropiane varen nga gazi rus, edhe sikur ta sigurojnë nga dika tjetër, ai do të jetë më i shtrenjtë. Kjo pastaj e rrënon atë lloj uniteti të NATO-s e BE-së, që dukej se e ndihmoi agresioni rus. Disa shtete i shikojnë interesat e veta, as të Ukrainës as të Perëndimit, siç janë Turqia ose Hungaria, madje Holanda ose dhe të tjera(për qëndrimin e Serbisë në dy karrige as që duhet diskutuar), të cilat deklarativisht e dënojnë agresionin, por nuk i përkrahin sanksionet, sepse ato i dëmtojnë vetë ato. Te rasti i Turqisë(me një pretekst “kulturologjik”), është edhe një lloj hakmarrjeje indirekte ndaj BE-së dhe SHBA-ve, që Turqinë me dekada e mbajnë para dyerve të BE-së dhe s’e pranojnë. Sigurisht Turqia logjikon se përderisa Perëndimi taktizon, pse të jetë ndjekëse e verbër e gjithçkaje që vjen prej andej? Edhe shtete të Evropës po ngrenë zërin për pasojat, ende pa u vënë Putini atyre kundër-sanksione!

  1. EDHE-EDHE…

Si ishte ajo gjendja “as, as”, ose më saktë “edhe, edhe”? Hermafrodizëm? Me Perëndimin, por pa i prishur punët me Rusinë…Ka një shprehje edhe më “specifike”, por nuk ka nevojë për detaje…Se nuk është gjë e re. Mund të gjenden “argumente” përherë për arsyetim ose për t’u hedh pluhur syve të publikut. Një janë interesat, frikërat etj., e tjetër çështjet emotive, të cilat ndonjëherë shkojnë përtej logjikës.

Ja, një anketë që u publikua këto ditë nga IRI, nxori në pah se 64 për qind e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut pajtohen se marrëdhëniet e fuqishme me Kinën iu shërbejnë interesave të tyre, mbi gjysma, 60 për qind janë që të njëjtën gjë e mendojnë për Rusinë. Kjo është rritje prej njëmbëdhjetë për qind për Kinën dhe gjashtë për qind për Rusinë krahasuar me anketën e zbatuar në shkurt të vitit 2020.

Mos u ngutni në përfundime! Nëse keni menduar se meqë më shumë se gjysma janë për  marrëdhënie me Rusinë dhe Kinën, më pak se gjysma janë atë që mendojnë për marrëdhënie të mira me Amerikën?!Jo, gabim! Sepse, është e kundërta: përkrahja në krahun perëndimor është edhe më e fuqishme: 85 për qind e qytetarëve pajtohen se marrëdhëniet e fuqishme me BE-në më së miri ju shërbejnë interesave të Maqedonisë së Veriut, ndërsa 76 për qind e ndajnë të njëjtin mendim për SHBA-të!

Pra, ajo logjika e “asnjëanësisë” së Titos (ideator i lëvizjes së vendeve të painkuadruara), ende funksionon. Nuk mendoj se ky rezultat është ndonjë recidiv i asaj filozofie, por më tepër shprehje e një “pragmatizmi” mos me u prishë me asnjërën palë, ose më saktë, për me qenë të mirë edhe me Lindje edhe me Perëndim. Një logjikë e tillë në kushte normale edhe nuk është ndonjë qasje e gabuar(siç e shohim, edhe vendet perëndimore që janë aleate mes vete, kanë pas marrëdhënie të forta në shumë fusha me Rusinë), sikur të mos ishin këto sprova të rënda ku më shumë se gjeostrategjia, duhet të pozicionohesh edhe kundrejt të vërtetës. Ndoshta defekti i këtij rezultati të anketës është për shkak se ajo është bërë  nga 27 nëntori deri më 23 dhjetor 2021, shumë kohë para se të hapeshin “letrat” e Moskës, ndaj do të ishte më interesante të shihej disponimi pikërisht tash kur po zhvillohet drama e përgjakshme në Ukrainë. E kam fjalën për qytetarët e rëndomtë, se e dimë që ka disa persona publikë që janë kundër “komedianit Zelenski” e pro Putinit.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Related posts

Në Sofje po përgatisin një deklaratë të re për Maqedoninë

e-max

E fundit: Digjet një fabrikë në Tetovë

e-max

BDI: Mickoski kërkon rikthimin e vendit para 2001-shit, një Maqedoni pa shqiptar

e-max