Sofje, 2 tetor – Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev deklaroi se Bullgaria është eksportuesi kryesor i energjisë elektrike në rajon dhe se është e gatshme ta rrisë eksportin e saj në Republikën e Maqedonisë së Veriut në përputhje me rregullat e tregu evropian-energjetik, legjislacionit bullgar, interesit të qytetarëve dhe bizneseve bullgare, njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja.
Radev deklaroi se së bashku me presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, kanë biseduar për mundësitë që BE-ja financiarisht t’i mbështesë mundësitë e Maqedonisë së Veriut që të shmanget kriza eventuale e likuiditetit në dimër lidhur me furnizimin me energji elektrike në vend.
Presidenti bullgar shfaqi shpresë se do të ketë avancim në këtë drejtim, por kjo varet nga vendimi i institucioneve evropiane, si dhe nga Republika e Maqedonisë së Veriut për t’i bërë kërkesat e duhura, për çka, thotë, Bullgaria tani më ndihmon. Radev tha se Bullgaria tani më ka formuar grup të përbashkët të punës me Maqedoninë e Veriut.
Bisedimet e mbetura politike midis dy vendeve, sipas Radevit, zhvillohen në një atmosferë normale të respektimit dhe miqësisë reciproke. Është shumë me rëndësi që në Republikën e Maqedonisë së Veriut të kuptohet, tha presidenti i Bullgarisë, se zbatimi i obligimeve bilaterale duhet të vazhdojë sa më shpejtë të jetë e mundur. Kjo është garanci për përshpejtimin e integrimeve evropiane për Republikën e Maqedonisë së Veriut, tha Radev dhe përkujtoi se negociatat reale për anëtarësimin e saj sipas kornizës negociuese nuk kanë filluar, por do të fillojnë kur vendi t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutën e tij. Duhet të zgjidhen të gjitha çështjet që janë vonuar për shumë vite. Është e pashmangshme biseda për historinë e përbashkët me Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Pres që liderët në vendin tonë mik të tregojnë mençuri politike dhe ta ndërtojnë të ardhmen evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut të lirë nga ideologjitë e së kaluarës”, tha presidenti bullgar Rumen Radev.
Gjatë qëndrimit në Sofje, dje, me rastin e lëshimit zyrtar në përdorim të interkonektuesit të gazit Greqi – Bullgari (IGB), Pendarovski pati takime me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursulla fon der Lajen dhe me presidentin bullgar Radev, në të cilat takime temat kryesore ishin kriza aktuale energjetike dhe pritjet për ndihmë nga BE-ja në përballjen me të. Në Bullgari sot mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të katërtat në dy vitet e fundit.