GazetaMax
Lajme

“Fasulja e Tetovës” produkt drejt zhdukjes, kërkohet brendimi për të nxitur kultivimin në Pollog

Tetovë, 12 Tetor – Dikur ishte produkti më i njohur tetovar, i shquar për nga cilësia dhe shija unike, ndërsa sot, fasulja e Tetovës është gati të zhduket.

Në fushat e Tetovës gjithnjë e më pak gjendet “fasulja e Tetovës”, pasi kultivimi i saj zvogëlohet nga viti në vit për shkak të ndryshimeve klimatike, mungesës së fuqisë punëtore, çmimeve të larta të preparateve mbrojtëse.

Nëse më parë fasulja e Tetovës ishte një nga kulturat kryesore bujqësore në rajonin e Pollogut, sot gjithnjë e më shumë fermerë po heqin dorë nga mbjellja e fasuleve.

“Dikur, deri në dhjetë vjet më parë, kultivoja deri në 15 hektarë fasule, tani gjithçka është reduktuar. Përgatitjet, mjetet dhe makineritë bujqësore u shtrenjtuan, veçanërisht karburantet dhe kushtet e motit ndryshuan shumë. Për shkak të gjithë kësaj, ara jonë mbeti bosh, kështu që njerëzit filluan të heqin dorë nga mbjellja e fasuleve gjithnjë e më shumë”, thotë fermeri Sreçko Anteski, i cili është nga të paktët që ende merret me prodhimin e fasules së Tetovës.

Mungesa e fasules së Tetovës me mjeshtëri po e shfrytëzojnë tregtarët e papërgjegjshëm, të cilët fasulet e importuara i shesin në treg me emrin “Groshë Tetove”.

Ideja që fasulja e Tetovës të bëhet produkt i markës që të mos manipulohet emri dhe origjina e saj është një ide shumëvjeçare.

Tashmë, si ide është restauruar sërish nga organizata joqeveritare CED nga Tearca, e cila organizon manifestimin “Ditët e Groshës” për të 11-tën herë, pikërisht me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së këtij produkti të njohur nga rajoni i Tetovës.

“Fasulja e Tetovës mund të mbrohet vetëm duke e markuar. Është e vetmja mundësi mbrojtjeje që të mos keqpërdoret emri i fasules së Tetovës dhe të mos mashtrohen blerësit. Si organizatë kemi eksperiencën të jemi bartës të këtij procesi që të mos na ndodhë që dikush tjetër, nga jashtë, të brendojë produktin tonë si ajo që ndodhi me ajvarin dhe produktet tona të tjera. Pra, fasulja e Tetovës duhet të jetë e markës, me të gjitha specifikat e saj dhe në të ardhmen të jetë markë tregtare e Rajonit të Pollogut. Sigurisht që shteti duhet të përkrah dhe të ndihmojë në brendimin e këtij produkti, por edhe fermerët duhet të inkurajohen me subvencione që të mbjellin më shumë nga ky produkt bujqësor”, thotë Metin Muaremi nga Qendra për Edukim dhe Zhvillim nga Tearca.

Kujtojmë se në edicionin e fundit të manifestimit “Ditët e Groshës”, morën pjesë rreth 600 qytetarë, të cilët u shërbyen me fasule të gatuara sipas traditës tetovare.

Related posts

Besimi: FMN identifikoi politikat e Qeverisë

Gazetamax.mk

Ronela ka shtuar shumë peshë, kështu i dalin ‘tulat’ në këtë pamje

Gazetamax.mk

Shaqiri: Mbetemi partnerë në ndërtimin e sistemit arsimor më cilësor

Gazetamax.mk