GazetaMax
Lajme

Komisioni Europian me një sërë kritikash në fushën e barazisë gjinore

Shkup/Bruksel, 15 tetor – Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e Mbrojtjes së konsumatorëve dhe shëndetit, vërehet në Raportin më të ri të Komisionit evropian. Mesatarisht e përgatitur apo pa përparim , janë kryesisht vërejtjet e Komisionit lidhur me këtë pjesë.

“Sektori shëndetësor në Maqedoni të Veriut ende po përballet me humbje të personelit mjekësor, sepse infermieret dhe specializantët të cilët largohen, zhvendosen në sektorin privat apo largohen të punojnë jashtë vendit. Kjo kontribuon për probleme me qasje drejt specialistëve, shpenzimeve për mbrojtje shëndetësore që sigurimi shëndetësor nuk i mbulon mbeten edhe më te të larta dhe akoma mungon trajnimi profesional për shfrytëzimin e pajisjes së avancuar shëndetësore2, noton Raporti i KE-së.

Komisioni evropian vëren se vendi ende nuk e ka ratifikuar Protokollin për eliminim të tregtisë s palejuar me prodhime të duhanit.

“Nuk ka përparim në kontrollin e duhanit, Sistematizimi institucional dhe juridik është vendosur edhe në pajtim me të drejtën e BE-së, por nuk zbatohet sistematikisht – konsumimi i duhanit në sipërfaqe publike dhe restorante duhet të sanksionohet në pajtim me të drejtën e BE-së”, thuhet në Raport.

Në pjesën e sëmundjeve ngjitëse, Komisioni vëren se Maqedonia e Veriut është pjesërisht e harmonizuar me të drejtën e BE-së.

Vërejnë se janë hequr shumica e masave preventive, Në pajtim me të dhënat, 75 për qind e popullatës është rikuperuar nga KOVID-19 dhe konsiderojnë se kanë përfituar imunitet natyror, 47 për qind e njerëzve kanë marrë dy doza të vaksinës kundër Kovid-19, ndërsa shtatë për qind kanë marrë tre doza.

Ceket se shëndetësia ende nuk është harmonizuar me të drejtën e BE-së në pjesën e të drejtave të pacientëve në mbrojtjen shëndetësore tejkufitare.

“Për pabarazitë shëndetësore, programi për mbrojtje aktive shëndetësore u mundëson disa grupeve targetore t’i qasen mbrojtjes shëndetësore, përfshirë edhe komunitetit rom, ndërsa njerëzit të cilët jetojnë në rajone të largëta mund të marrin vizita mjekësore”, thuhet në Raport.

Për Strategjinë nacionale 2021-2030, në Raport ceket se i përfshin aspektet e shëndetit mental, avancimin e shëndetësisë, ushqimin dhe aktivitetin fizik. Regjistrat nacional për sëmundje të rralla janë operativë, ndërsa definicionet relevante janë në pajtim me standardet e BE-së.

Në pjesën e mbrojtje së konsumatorëve thuhet se vendi për vitin e ardhshëm posaçërisht duhet ta harmonizojë kornizën juridike me të drejtën e BE-së për mbrojtje të konsumatorëve dhe përforcim të strukturave operative të cilat shërbejnë për mbrojtje të konsumatorëve.

Komisioni evropian rekomandon vendi t’i intensifikojë përpjekjet në kontrollin e duhanit, kështu që me efikasitet do të zbatohet e drejta e BE-së me ratifikimin e Protokollit për eliminim të tregtisë së palejuar me prodhime të duhanit. Raporti i KE-së noton se nevojitet të sigurohet edhe financim adekuat dhe njohuri e specializuar për zbulim të hershëm të kancerit dhe sëmundjeve të rralla në bazë të të dhënave nga regjistri.

Është vërejtur se inspektimet e Inspektoratit shtetëror të tregut janë rritur në periudhën e raportimit, në gjithsej 3.566 mbikëqyrje inspektuese. Ueb platforma për sigurim të informatave për mbrojtje të konsumatorëve ende duhet të zhvillohet.

Raporti thekson se është e një rëndësie të veçantë zbatimi i të gjitha dispozitave të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje.

Mund të vërehen përmirësime të vazhdueshme në integrimin gjinor dhe respektimin e të drejtave të grave, mirëpo zbatimi i  planit kombëtar të veprimit për 6 dispozitat e Konventës së Stambollit duhet të përmirësohet.

Aty theksohet se Ministria e Punës dhe Politikës Sociale vazhdon të investojë në shërbimet për komunitetet, duke përfshirë mbështetjen për viktimat e dhunës me bazë gjinore.

Gratë ende janë të nënpërfaqësuara në vendimmarrje në institucionet publike.

Sipas regjistrit të punonjësve të sektorit publik, i cili nuk përfshin stafin e institucioneve si ushtria dhe agjencitë ligj-zbatuese, në dhjetor 2021, 55.3% e të gjithë punonjësve të shërbimit publik ishin gra. Megjithatë, gratë janë shumë më pak të përfaqësuara në pozitat e larta drejtuese, duke përbërë 14% të të gjithë stafit drejtues në qershor 2022”, thuhet në raport.

Raporti thekson se pesë zëvendës avokatë të popullit duhet të emërohen nga Parlamenti.

Gjithashtu theksohet se bashkëpunimi me OJQ-të duhet të përmirësohet.

Raporti ka kritika edhe për mediat, pasi siç thuhet nevojiten masa shtesë për të promovuar barazinë gjinore në industrinë e medias.

Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga diskriminimi, sipas raportit është përballur me sfida të mëdha ku theksohet reduktimi i stafit administrativ si pasojë e shkurtimit të buxhetit, ku përbërja e re  sipas shoqërisë civile kishte mungesë të diversitetit sa i përket gjinisë.

Në raport thuhet se është bërë njëfarë progresi në barazinë gjinore duke zhvilluar një kornizë normative për përafrimin me Konventën e Stambollit dhe një kornizë politike për të integruar perspektivat gjinore dhe përafrimin e ligjit kombëtar me acquis-in e BE-së për barazinë gjinore.

“Me miratimin e Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2026, në korrik 2022, u arrit përparim i mirë drejt krijimit të një sistemi efektiv për integrimin gjinor. Megjithatë, miratimi i projektligjit për barazi gjinore është ende në pritje. Mekanizmat ndërinstitucionalë të krijuar për të zbatuar dhe monitoruar politikat që promovojnë barazinë gjinore kanë nevojë për forcimin, veçanërisht duke përmirësuar aranzhimet organizative, duke rritur kapacitetin teknik, buxhetin dhe profesionistët e trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare”, thuhet në raport.

Ministria e Drejtësisë ka ende nevojë të ndryshojë Kodin Penal në mënyrë që të sigurojë mbrojtje të plotë për viktimat nga të gjitha format e dhunës, përfshirë edhe femicidin.

Shërbimet për viktimat e dhunës me bazë gjinore duhet të zgjerohen dhe nevojitet një buxhet i duhur për të përmbushur standardet e Konventës së Stambollit, duke përfshirë qasjen për gratë me aftësi të kufizuara dhe respektimin e faktorëve të ndryshëm kulturorë, etnikë dhe fetarë kur raportojnë dhunën. Vendit i mungojnë protokollet e qarta ndërinstitucionale, policisë dhe punonjësve shëndetësorë i mungojnë kapacitetet për të vlerësuar plotësisht pasojat e dhunës dhe për të marrë masat e duhura”, vë në dukje raporti.

Buxheti i shtetit mbështet vetëm pesë strehimoret funksionale ekzistuese, një qendër krize dhe tre qendra për viktimat e dhunës seksuale.

“Ofrimi i shërbimeve psiko-sociale dhe të tjera parandaluese mbetet i pakoordinuar dhe i varur nga financimi nga vetëqeverisja lokale, donatorët e huaj dhe komuniteti i biznesit. Ekip i specializuar 24/7 për mbrojtjen urgjente të grupeve vulnerabël funksionon vetëm në kryeqytet. Për shkak të mbingarkesës së sistemit shëndetësor gjatë pandemisë, mungesës së stafit të trajnuar në mënyrë adekuate dhe numrit të kufizuar të objekteve strehuese, viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe në familje u përballën me sfida serioze në qasjen e shërbimeve shëndetësore”, thekson raporti.

Në mars 2022, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale hapi një qendër burimore për politikë-bërje dhe buxhetim të përgjegjshëm gjinor për të rritur kapacitetin e administratës publike për të zbatuar masat që lidhen me Direktivën e BE-së 2006/54/KE për zbatimin e parimit të mundësive të barabarta dhe trajtimin e barabartë mes burrave dhe grave në çështjet e punësimit dhe profesionit dhe përfshin integrimin gjinor në planifikimin, programimin dhe veprimet institucionale.

“Megjithatë, administratës i mungojnë planifikimi i duhur strategjik gjinor dhe mungojnë mjetet e buxhetimit, gjë që kufizon mundësitë për integrim efektiv gjinor në hartimin e politikave dhe për integrimin e perspektivës gjinore në dialogun sektorial dhe menaxhimin e financave publike”, thuhet në raport.

Mungesa e të dhënave të besueshme të ndara sipas gjinisë nëpër sektorë krijon kufizime të rëndësishme në zhvillimin e politikave dhe masave të bazuara në to.

“Indeksi i parë Kombëtar i Barazisë Gjinore u publikua në vitin 2019, por nuk është përditësuar. Mbledhja dhe analizimi i statistikave gjinore kërkon rritjen e kapaciteteve të institucioneve përkatëse dhe përmirësimin e koordinimit institucional.”

Boshllëqet dhe stereotipat gjinore sipas raportit mbeten të dukshme në jetën publike dhe politike.

Raporti nënvizon se ka ende boshllëqe në kuadrin ligjor përkatës pasi Kodi Penal dhe legjislacioni zbatues përkatës nuk janë duke u harmonizuar me Konventën e Stambollit. Ndjekja nga institucionet në rastet e përdhunimeve dhe dhunës në familje duhet të përmirësohet me protokolle të qarta ndërinstitucionale dhe shërbime të standardizuara të riintegrimit për viktimat.

“Është i nevojshëm zgjerimi i edukimit ligjor që u ofrohet gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë për çështje të tilla si diskriminimi në bazë të aftësisë së kufizuar, dhuna me bazë gjinore dhe seksuale ndaj grave dhe dhuna ndaj fëmijëve”, thekson raporti.

Gjithashtu më tej thuhet se promovimi i barazisë dhe dënimi i gjuhës së urrejtjes, krimit të urrejtjes, diskriminimit dhe jotolerancës ndaj lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve, intersekseve dhe queer-ëve (LGBTIQ) duhet të jetë sistematik.

“Pavarësisht se ka një kuadër ligjor që mbron nga diskriminimi dhe krimet e urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, zbatimi i këtyre ligjeve mbetet sfidues. Pas një vendimi të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (janar 2019), autoritetet përgatitën ndryshime në ligjin për gjendjen civile për të sjellë procedurën ligjore të njohjes së gjinisë. Megjithatë, projektligji u tërhoq nga procedura parlamentare në mars të vitit 2022, për ndryshime shtesë. Kuadri ligjor nuk lejon njohjen zyrtare të çifteve të të njëjtës gjini”, thotë raporti.

Mungesa e mbledhjes sistematike të të dhënave për krimet e urrejtjes bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor dhe ndjekja joefektive e tyre nga autoritetet mbetet një çështje serioze

Sa i përket barazisë ndërmjet grave dhe burrave në punësim dhe politika sociale, vërehet një hendek i dukshëm gjinor në tregun e punës. Në veçanti, shkalla e punësimit për burrat ishte 64,3 % krahasuar me 45,5 % për gratë në vitin 2021.

Të dhënat për incidentet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës ose një sistem për të hetuar të tilla nuk janë të disponueshme.

Ndër të tjera theksohet se kërkohet rritje shtesë e kapaciteteve veçanërisht në zonat urbane. Si stereotipat gjinore ashtu edhe hendeku gjinor i pagave vazhdojnë të mbeten të pranishme në vend.

Ndryshe, Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Related posts

Qytetarët ankohen për kontrata jotransparente nga “shitoret e parave”

Gazetamax.mk

Ankesa për mungesë insuline në Tetovë, ministria demanton

Gazetamax.mk

Blerim Latifi numëron ushtarët e UÇK-së zonë për zonë, i dalin “13 mijë e diçka”

Gazetamax.mk