Këngëtarja Doja Cat ka treguar për herë të parë se vuan nga çrregullimi kufitar i personalitetit, duke e përshkruar si një përvojë “torturuese” dhe duke shtuar se ka luftuar me këtë çrregullim për vite me radhë.
Në një video që postoi në TikTok, këngëtarja 30-vjeçare foli hapur për shëndetin e saj mendor dhe trajtimin që ka ndjekur. Ajo rrëfeu: “Që në moshë shumë të vogël më mësuan të bëja sikur i pëlqejnë gjërat, të bëja sikur isha e lumtur dhe sikur gjithçka ishte mirë.”
Shtypja e vazhdueshme e emocioneve, sipas saj, ndikoi thellë dhe solli diagnozën. “Përfundimisht, kjo të kap. Dhe tani unë vuaj nga çrregullimi kufitar i personalitetit,” shtoi ajo.
Doja Cat theksoi gjithashtu se ka qenë në terapi për vite me radhë dhe vazhdon të ndjekë një rrugëtim personal të shërimit dhe vetëpërmirësimit. “Ndihem shumë e lehtësuar dhe krenare për veten time. Kam bërë një rrugë të gjatë, edhe pse ende bëj gabime,” tha këngëtarja.
