Wednesday, May 6, 2026

Lajmi në kohë reale

Zhegrova fiton zemrat e tifozëve të Juventusit, gjest i veçantë në ‘Curva Sud’ pas ndeshjes me Veronën

Edhe pse sezoni i parë në Juventus nuk ka qenë ai që pritej, Edon Zhegrova po fiton diçka shumë të rëndësishme: respektin dhe dashurinë e tifozëve.

Anësori i Kosovës, i cili u transferua nga Lille verën e kaluar, ende nuk ka arritur të shfaqë versionin e tij më të mirë në Serie A, kryesisht për shkak të problemeve fizike që e ndoqën pas një dëmtimi serioz.

Në përballjen ndaj Hellas Verona në “Allianz Stadium”, Zhegrova u aktivizua vetëm në minutat e fundit nga trajneri Luciano Spalletti, por arriti të lërë gjurmë.

Me disa depërtime të bukura dhe krosime të rrezikshme, ai i dha ritëm sulmit të bardhezinjve dhe ishte shumë pranë golit të fitores, por portieri Lorenzo Montipò reagoi në momentin e duhur, duke devijuar topin në shtyllë.

Megjithatë, momenti më i veçantë erdhi pas ndeshjes. Sipas raportimeve, Zhegrova ishte i vetmi lojtar që shkoi drejt tribunës ikonike “Curva Sud” për t’i falënderuar tifozët.

Madje, ai i dhuroi fanellën njërit prej ultrasve – një gjest që nuk kaloi pa u vënë re dhe që forcoi edhe më shumë lidhjen e tij me publikun bardhezi.

Pavarësisht këtij raporti të mirë me tifozët, e ardhmja e tij në Torino mbetet e paqartë.

Statistikat nuk janë në anën e tij: Zhegrova ende nuk ka startuar asnjë ndeshje në kampionat dhe të gjitha paraqitjet në Serie A kanë ardhur nga stoli.

Më shqetësuese është mungesa e kontributit direkt në gola, me zero realizime dhe zero asistime deri tani.

Megjithatë, nëse vazhdon me paraqitje si ajo kundër Veronës dhe ruan këtë raport me tifozët, Zhegrova mund ta kthejë situatën në favorin e tij.

Ndonjëherë, mjafton një moment për të ndryshuar gjithçka – dhe duket se kosovari është duke e kërkuar pikërisht atë.

Latest Posts

Mos e humb lajmin