Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha së bashku me kryetarin e Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, realizoi inspektim në projektet infrastrukturore që po realizohen në komunë, me vlerë të përgjithshme mbi 110 milionë denarë.
Mjetet janë siguruar përmes thirrjes së parë dhe të dytë publike të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa projektet përfshijnë rregullimin e shtretërve të lumenjve, ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik, zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit dhe ndërtimin e rrjetit të kanalizimit në Rrugën 11.
Në kuadër të inspektimeve u vizitua edhe Qendra e Selektimit të mbeturinave, e financuar nga Bashkimi Evropian, si pjese e projektit të bashkëpunimit ndërkufitar me Kosovën përmes programit IPA III.
Gjatë inspektimit të aktiviteteve për rregullimin e shtratit të lumit në Grushinë, investim me vlerë 15 milionë denarë, ministri Hoxha theksoi se këto projekte paraqesin kontribut të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës lokale, mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor vazhdon mbështetjen për projektet infrastrukturore që sjellin përfitime konkrete për qytetarët dhe zhvillim të qëndrueshëm të komunave.
