42 vjeçari shqiptar e la të gjakosur para spitalit dhe u largua, del autopsia e 46-vjeçares italiane

Autopsia e kryer ndaj Ornella Forastefanos ka konfirmuar se 46-vjeçarja italiane humbi jetën si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj.

Gruaja u gjet gjatë natës pranë urgjencës së spitalit në Trebisacce, në provincën e Cosenza-s, në gjendje të rëndë. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Për të përcaktuar më qartë shkallën e dëmtimeve, viktimës i janë kryer edhe ekzaminime radiologjike. Rezultatet e këtyre analizave pritet të bëhen publike në ditët në vijim dhe mund të ndihmojnë hetuesit në rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Në lidhje me rastin, autoritetet italiane kanë arrestuar partnerin e 46-vjeçares, shqiptarin Elvis Metvelaj, 42 vjeç. Ai u ndalua teksa dyshohet se po përpiqej të largohej nga Italia drejt Shqipërisë dhe aktualisht përballet me akuzën për vrasjen e partneres.

Emri i Metvelajt rezulton të jetë i njohur edhe më herët për autoritetet italiane. Në vitin 2013, ai ishte përfshirë në një hetim të gjerë për trafik ndërkombëtar droge në Kalabri, ku po hetohej një grup prej rreth 20 personash.

Në të njëjtën dosje ishte përfshirë edhe këngëtarja shqiptare Liljana Kondakçi, e cila u dënua nga drejtësia italiane me 2 vjet e 8 muaj burg për transport droge. Kondakçi i kishte mohuar akuzat ndaj saj.

Hetimet për vdekjen e Ornella Forastefanos vijojnë, ndërsa autoritetet italiane pritet të analizojnë edhe rezultatet e ekzaminimeve të tjera mjekoligjore për të përcaktuar të gjitha rrethanat e ngjarjes.