Ali Ahmeti ka rrëfyer detaje nga organizimi i lëvizjes së fshehtë shqiptare pas demonstratave të vitit 1981, kontaktet me Rexhep Malën dhe Nuhi Berishën, si dhe përgatitjet që po bëheshin për avancimin e rezistencës.
Në intervistën për ciklin “Dosjet” në Debat Plus me Ermal Pandurin, Ahmeti tha se pas goditjeve të vitit 1981 kishin nisur përpjekjet për krijimin e linjave të reja të organizimit.
Pas goditjes që e pësuam më 1981, ne filluam në kërkim të linjave të reja, për zëvendësim të radhëve. Në 1982-83 kemi rënë në kontakt me Rexhep Malën”, tha Ahmeti.
Sipas tij, kontakti i parë ishte realizuar përmes Shaban Shalës, ndërsa në rrjetin e komunikimit ishin përfshirë edhe Fehmi Lladrovci dhe Nuhi Berisha.
Ahmeti tregoi se organizimi ishte ndërtuar në atë mënyrë që komunikimi të vazhdonte edhe nëse ndonjëri prej veprimtarëve arrestohej.
Nëse goditej Shaban Shala, linjën me Rexhep Malën do ta vazhdonte Fehmi Lladrovci, kurse në rast se goditej edhe Fehmi Lladrovci, linjën do ta vazhdoja unë me Nuhi Berishën, me të cilin kishim kontakte gati javore”, deklaroi ai.
Ahmeti zbuloi se në atë periudhë brenda lëvizjes po zhvillohej edhe një debat për avancimin e rezistencës, ndërsa kishin nisur përgatitjet për një kongres.
“Filluan dokumentacionet për përgatitjen e një kongresi që mendohej të quhej ‘partia e luftës’”, tha Ahmeti.
Por, sipas tij, këto përgatitje morën një goditje të rëndë me rrethimin e Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe Kadri Osmanit.
“Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha rezistojnë dhe nuk dorëzohen. Vrasja e Rexhep Malës, Nuhi Berishës dhe burgosja e Kadri Osmanit, në të vërtetë, e dëmtoi goxha shumë lëvizjen”, deklaroi Ahmeti.
Ai tha se pas kësaj lëvizjes iu desh kohë për t’u riorganizuar, ndërsa një numër veprimtarësh u larguan jashtë vendit.
Ahmeti tregoi se edhe ai u arratis në vitin 1984, pas një vendimi të marrë nga grupi ku vepronte së bashku me Femi Lladrovcin dhe Shaban Shalën.
“Në ’84-ën, kur unë jam arratisur, grupi në të cilin vepronim dhe punonim, Fehmi Lladrovci dhe Shaban Shala, morën vendim që unë të kaloj jashtë për një periudhë të shkurtër dhe të kthehem sërish. Dhe kështu ndodhi”, përfundoi Ahmeti.
