Ahmad Vahidi, i kërkuar nga Interpol dhe një nga figurat më radikale të Gardës Revolucionare, po udhëheq vendimet e Teheranit ndërsa negociatat me Uashingtonin mbeten të brishta.
Ndërsa negociatat për luftën në Iran mbeten në një pikë kritike, një nga figurat më të forta dhe më kontroverse të regjimit iranian po merr rol kyç në përcaktimin e hapave të ardhshëm të Teheranit.
Gjeneral brigade Ahmad Vahidi, aktualisht komandant i përgjithshëm i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), mori detyrën pasi paraardhësi i tij, Mohammad Pakpour, u vra gjatë sulmeve amerikano-izraelite të 28 shkurtit, në ditën e parë të luftës.
Vahidi konsiderohet prej vitesh një figurë e linjës së ashpër në strukturën iraniane të sigurisë. Ai është nën sanksione amerikane për rolin e tij në shtypjen e protestave të brendshme në Iran dhe kërkohet nga Interpol për përfshirje të dyshuar në sulmin me bombë ndaj një qendre hebraike në Argjentinë tre dekada më parë.
Ekspertët thonë se ai është edhe më radikal se paraardhësi i tij dhe kundërshton çdo kompromis me SHBA-të.
“Ai ka ndikim të madh, por është pjesë e një sistemi ku vendimet merren në mënyrë konsensuale. Megjithatë, Vahidi ka padyshim një zë shumë të fortë në tryezë”, deklaroi Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në International Crisis Group.
Sipas analistëve, ngritja e Vahidit në krye të IRGC-së tregon se përpjekjet amerikane dhe izraelite për të dobësuar lidershipin iranian nuk kanë prodhuar një elitë më të moderuar politike apo ushtarake.
Nën drejtimin e tij, Garda Revolucionare ka intensifikuar presionin mbi trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Në të njëjtën kohë, Teherani ka paraqitur kërkesa më të forta ndaj Uashingtonit krahasuar me negociatat e mëparshme.
Danny Citrinowicz, ish-drejtues i degës iraniane në inteligjencën ushtarake izraelite, e përshkroi Vahidin si një figurë “shumë dominuese” dhe “radikale”, të përkushtuar thellësisht ndaj parimeve të Revolucionit Islamik.
“Nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje pa kaluar përmes tij. Ai është ndër njerëzit që thonë se nëse nuk marrim atë që duam dhe Trump dëshiron rikthimin e luftës, atëherë le të vijë”, tha ai për CNN.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë javë se SHBA-të janë pranë rifillimit të sulmeve ndaj Iranit nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje.
“Jemi në fazat finale me Iranin. Do të shohim çfarë do të ndodhë”, tha Trump para gazetarëve të mërkurën.
“Do të kemi ose një marrëveshje, ose do të bëjmë disa gjëra jo shumë të këndshme”, shtoi ai, duke paralajmëruar se “ora po ecën”.
Në reagimin e tij më të fundit, Vahidi paralajmëroi se çdo sulm i ri ndaj territorit iranian do të sillte një përshkallëzim të gjerë të konfliktit.
“Nëse kryhet ndonjë agresion tjetër ndaj tokës së Iranit, zjarri që deri tani ka mbetur brenda një lufte rajonale të kufizuar do të shpërthejë përtej çdo kufiri”, deklaroi ai në platformën X, sipas mediave iraniane.
“Do të merrni goditje shkatërruese”, shtoi komandanti iranian. /Përshtatur nga “CNN”
