“Hape Derën Nanë” është një këngë që sjell mallin dhe gëzimin e kthimit te nana, familja dhe vendlindja. Përmes vargjeve të saj, kënga i fton mërgimtarët të kthehen pranë rrënjëve të tyre, për t’u bashkuar me njerëzit e dashur e për ta kthyer mallin në këngë, valle dhe festë. E patjetër që fjala është për artisten e dashur Nikoleta Vokrri, me origjinë nga Zadrima, Shkodër, e cila me interpretimin e saj të ngrohtë e përcjell këtë mesazh me finesë dhe emocion. “Hape Derën Nanë” quhet projekti i saj më i ri muzikor, i ardhur me një klip të përshtatur bukur me temën dhe interpretuar me shumë ndjeshmëri nga Nikoleta. Nikoleta Vokrri i ka rrënjët thellë në traditën dhe kulturën me vlera, ndërsa geni i saj artistik është kultivuar që kur ishte fëmijë. Sot vazhdon të jetë e dashur për publikun me një repertor të gjerë dhe elegancë muzikore, e pranishme në koncerte, festivale dhe evente familjare. Një vend të rëndësishëm në përditshmërinë e saj zë edhe puna si mësuese muzike në shkollat publike të qytetit të Nju Jorkut, ku njohuritë dhe përvojën e saj artistike ua përcjell nxënësve, duke i përgatitur ata për performanca dhe aktivitete të ndryshme muzikore. Për Nikoletën, arti nuk është vetëm interpretim, por edhe dije dhe përvojë që ndahet me brezat e rinj. Ajo ka gjithashtu shumë ftesa, sidomos gjatë verës, në gëzime familjare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali, Nju Jork dhe më gjerë në SHBA, ku bashkëpunon dhe ka marrëdhënie shumë të mira profesionale me artistë dhe këngëtarë shqiptarë në Amerikë. Artistja e kulturës dhe muzikës shkodrane, që nga viti 2012, numëron shumë pjesëmarrje në xhirime dhe klipe, ku kryesisht ka interpretuar këngë shkodrane. Ndërkohë, pesë janë këngët dhe projektet e krijuara posaçërisht për të, të cilat janë mirëpritur falë profesionalizmit të saj dhe artit skenik që ajo kultivon dhe përcjell prej vitesh. Për këngën e re “Hape Derën Nanë”, që po pëlqehet mjaft, Nikoleta ka bashkëpunuar me tekstshkruesen Ornela Pjetraj, ndërsa muzika dhe orkestrimi janë realizuar nga vëllai i saj, Zef Vokrri. Mix & Master është realizuar nga Klajdeejay. Në videoklip merr pjesë edhe grupi i valleve Traditional Art KK, ndërsa realizimi i videos është bërë nga Power Media Studio. Mjafton ta klikoni dhe ta dëgjoni “Hape Derën Nanë” për të kuptuar mesazhin që përcjell: dera e nanës dhe e vendlindjes mbetet gjithmonë e hapur. Është një këngë që nis me mallin e kthimit, të çon te familja dhe rrënjët dhe e shndërron këtë emocion në këngë, valle dhe festë.
Mesazhi i këngës dhe interpretimi nga Nikoleta Vokrri të bëjnë ta duash shumë “Hape Derën Nanë”
