Masa “Shporta shkollore”, e cila ofron ulje prej 10 deri në 15 për qind për pajisjet shkollore dhe çantat, po zbatohet pa probleme, ndërsa Inspektorati po monitoron rreth 600 pika shitjeje në të gjithë vendin dhe nuk do të lejojë keqpërdorimin e masës.
Kështu deklaroi sot në Prilep zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, i cili theksoi se kjo është një nga masat e Qeverisë për mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve dhe ruajtjen e inflacionit në nivel të ulët.
Masa “Shporta shkollore” zbatohet për të tretin vit radhazi dhe këtë vit është në fuqi nga 25 gushti deri më 30 shtator.
Sipas simulimeve të Qeverisë, masa mundëson kursim në buxhetin familjar prej 500 deri në 1.500 denarë për një fëmijë, ndërsa për dy fëmijë kursimi mund të arrijë nga 2.000 deri në 3.000 denarë.
Uljet janë përcaktuar me vendim të Qeverisë: 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe 15 për qind në tregtinë me pakicë. Si bazë për zbritjen merren çmimet e produkteve më 1 qershor.
Pajisjet shkollore dhe çantat e përfshira në masë duhet të kenë etiketa të posaçme me mbishkrimin “Më pak shpenzime, më shumë për ju”, ku duhet të shënohet çmimi i 1 qershorit dhe çmimi pas uljes.
Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka angazhuar mbi 40 ekipe për kontrolle në rreth 600 pika ku shiten pajisje dhe çanta shkollore.
Sipas Risteskit, deri tani nuk janë konstatuar shkelje të mëdha. Problemet e para kanë qenë kryesisht të lidhura me vendosjen e etiketave, por pas paralajmërimeve të inspektorëve, ato janë korrigjuar.
“Nuk do të lëmë hapësirë që ky vendim të keqpërdoret. Aty ku do të konstatohen shkelje, do të pasojnë edhe gjobat përkatëse”, theksoi Risteski.
