Një përplasje e fortë është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në studion e Top Story, mes Genti Tares, vëllait të ish-futbollistit Igli Tare, dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Genti Tare tha se mbi vëllanë e tij është duke u hedhur baltë vazhdimisht, dhe po përdoren informacione të pjesshme nga dosja, për të njollosur figurën e tij.
Tare e cilësoi këtë qasje si përdorim të “gjysmë të vërtetave”, duke argumentuar se një fakt i shkëputur nga konteksti mund të përdoret për të ngritur dyshime ndaj një personi edhe në mungesë të një prove se ai ka kryer shkelje.
Për të ilustruar argumentin e tij, Genti Tare iu drejtua drejtpërdrejt Agron Shehajt, duke sjellë në vëmendje disa çështje që, sipas tij, mund të paraqiten në mënyrë të njëanshme.
“Ja të të përdor unë ty një gjysmë të vërtete, të shoh si do të të djegë. Ke qenë ortak me Ilir Belerin te kompleksi i vilave në Petrelë. Je akuzuar nga opozita se i ke dhënë një vilë Erion Veliajt”, tha Tare.
Më tej, ai e çoi argumentin te marrëdhëniet profesionale dhe personale të Shehajt, duke pretenduar se e njëjta mënyrë interpretimi mund të përdorej për të krijuar një narrativë negative edhe ndaj tij.
“Është njësoj si të marr një gjysmë të vërtetë dhe të them që Agron Shehaj është i korruptuar, ka pasur edhe bashkëshorten e Endri Fugës në punë, i ka dhënë dhe vilë Erion Veliajt”, u shpreh ai.
Genti Tare argumentoi se publikimi ose interpretimi i informacioneve të pjesshme mund të dëmtojë rëndë imazhin e një personi përpara se të ketë një përfundim përfundimtar të organeve të drejtësisë. Sipas tij, dëmi ndaj figurës publike mund të jetë i pakthyeshëm edhe në rast se personi më vonë rezulton i pafajshëm.
“Igli Tares po i hidhet baltë dhe kur të dalë i pafajshëm, nuk ka më vlerë”, përfundoi Genti Tare.
Ndërkohë që vetë Shehaj u shpreh se ai në asnjë rast nuk kishte përmendur emrin e Tares, dhe se informacionet e servirura nga vëllai i tij për lidhje të së shkuarës nuk e intimidonin.
“Mua më vjen shumë keq, pse duhet të përdoret Igli Tare për të mbrojtur Belinda Ballukun, emri i Igli Tares nuk është përdorur në emision, pikërisht se është një figurë e shquar, dhe ka një diferencë shumë të madhe, Igli Tare nuk ka menaxhuar asnjëherë para publike. Unë bëja biznes, dhe bëja ortak, janë akuzat që ka thënë Flamur Noka për mua. Bashëshortja e Endri Fugës, nuk ka qenë bashkëshortja e Endri Fugës në atë kohë, ishte një vajzë e rë që kishte mbaruar shkollën, dhe ishte një nga mijë të punësuarit në zyrat e mia”, u shpreh Shehaj përballë Tares./SHEKULLI
