Bashkimi Europian reagon para vendimit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Të respektohet verdikti i Speciales

Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bashkimi Europian ka lëshuar një thirrje zyrtare drejtuar të gjitha palëve dhe shteteve që të tregojnë përmbajtje dhe të respektojnë plotësisht vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Përmes një reagimi, Brukseli thekson se vendimi i pritshëm i datës 16 shtator nuk shënon fundin e procesit gjyqësor, pasi të dyja palët, si mbrojtja ashtu edhe prokuroria, kanë të drejtën e ankimit ndaj vendimit të shkallës së parë.

“Në prag të shpalljes së aktgjykimit… u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Mbështetje për institucionin dhe rëndësia e llogaridhënies

Bashkimi Europian ka riafirmuar mbështetjen e tij të kahershme për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), duke i cilësuar ato si një institucion gjyqësor të pavarur. Po ashtu, BE-ja ka kujtuar se kjo gjykatë u themelua përmes vendimeve dhe amendamenteve kushtetuese të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, me qëllim garantimin e një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë për pretendimet e krimeve të rënda gjatë dhe pas konfliktit. Sipas Brukselit, puna e këtij institucioni mbetet thelbësore për promovimin e llogaridhënies dhe njohjen e vuajtjeve të viktimave e familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet.

Konteksti i vendimit dhe zhvillimet në Kosovë

Thirrja e BE-së vjen në një moment tensioni dhe pritshmërie të lartë publike, ndërsa sot në Prishtinë po mbahet “Marshi për Liri”, një protestë paqësore e organizuar në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët përballen me një aktakuzë prej 10 pikash për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, është shoqëruar vazhdimisht me kritika të shumta në opinionin publik në Kosovë mbi mënyrën e funksionimit të Speciales. Gjatë muajve të parë të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkoi nga 45 vjet burgim për secilin prej të akuzuarve, para se çështja të hyjë tashmë në fazën e saj më kritike.