Një reagim i fortë ka ardhur nga Agron Dedivanaj, drejtor i shkollës shqipe në Michigan, pas debatit politik që ka përfshirë qëndrimet e tij lidhur me Kryeministrin e Shqipërisë dhe pritjen e tij nga komuniteti shqiptar.
Dedivanaj akuzon kundërshtarët e tij se kanë manipuluar deklaratat e tij dhe se, përtej përplasjes politike, kanë kaluar një vijë që sipas tij nuk duhet të preket: fëmijët.
“Fjalimi im kishte ma shumë kërkesa ndaj Edi Ramës sesa ju kishit argumente kundër tij. Ju nuk e kundërshtuat fjalimin tim. Ju e falsifikuat atë. Dhe kur nuk ju mjaftoi manipulimi, sulmuat fëmijët”, deklaron Dedivanaj.
Ai e cilëson përdorimin e fëmijëve në debate politike si një kufi të papranueshëm.
“Me i quejtë fëmijët tanë ‘pionierë të Enverit’ nuk është kritikë. Është rënie morale”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Dedivanaj e bën të qartë se respekti për institucionet shqiptare nuk duhet të ngatërrohet me mbështetjen politike për një qeveri apo kryeministër.
“Respekti për shtetin nuk është servilizëm. Mikpritja nuk është votë. Përshëndetja nuk është nënshtrim.”
Duke iu drejtuar kundërshtarëve politikë të Edi Ramës, Dedivanaj u kërkon që përballjen ta zhvillojnë përmes argumenteve dhe votës, e jo përmes sulmeve ndaj komunitetit apo fëmijëve.
“Bëhuni europianë me vepra, jo me fjalë. Kthehuni në Shqipëri. Organizohuni. Ndërtoni alternativë. Krijoni një opozitë të fortë dhe me vizion perëndimor. Bindeni popullin. Mundeni Ramën me votë. Kjo është demokraci.”
Një pjesë e veçantë e reagimit i kushtohet edhe diasporës, të cilën Dedivanaj e sheh si një forcë që nuk duhet të shndërrohet në terren për përçarje politike.
“Mos e ktheni diasporën në fushëbetejë të dështimeve tuaja. Diaspora e bashkueme është një fortesë. Diaspora e përçame është dhuratë për çdo armik të shqiptarëve.”
Dedivanaj ngre gjithashtu pyetjen se ku ishin zërat që sot flasin për patriotizëm kur komuniteti shqiptar protestonte ndaj Grenellit.
“Ku ishit kur protestonim kundër Grenellit? Ku ishte atëherë kjo stuhi patriotizmi? Apo guximi juaj ndizet vetëm kur përballë keni Kryeministrin e Shqipërisë?”
Në përmbyllje, Dedivanaj vendos theksin te ndarja mes politikës së ditës dhe interesit të përhershëm kombëtar.
“Qeveritë ndërrohen. Kryeministrat largohen. Partitë ngrihen dhe bien. Por Shqipëria mbetet.”
Mesazhi i tij përfundon me një deklaratë të prerë:
“Luftojeni Ramën sa të doni — me argumente, me alternativë dhe me votë. Por mos kërkoni prej nesh me poshtërue shtetin shqiptar. Sepse partitë janë të përkohshme. Shqipëria është e përjetshme.”
Ja postimi plotë:
SHTETI SHQIPTAR NUK POSHTËROHET PËR HESAPE PARTIAKE
Nuk e kam zakon me iu përgjigjë çdo zhurme politike. Qytetaria nuk ma lejon.
Por kur fjala ime manipulohet dhe fëmijët përdoren si municion politik, heshtja nuk është ma virtyt. Është dorëzim.
Fjalimi im kishte ma shumë kërkesa ndaj Edi Ramës sesa ju kishit argumente kundër tij. Ju nuk e kundërshtuat fjalimin tim. Ju e falsifikuat atë.
Dhe kur nuk ju mjaftoi manipulimi, sulmuat fëmijët.
Me i quejtë fëmijët tanë “pionierë të Enverit” nuk është kritikë. Është rënie morale. Është prova se keni prekë fundin e pusit dhe po gërmoni edhe ma thellë.
Fëmijët nuk janë dekor politik.
Nuk janë mburojë partiake.
Nuk janë tabelë ku shkruhen mllefet tuaja.
Ata janë pjesa ma e pastër dhe ma e bekueme e komunitetit tonë. Kush i përdor për luftë politike, e ka humbë betejën para se ta fillojë.
Ta keni të qartë: Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, cilido qoftë ai, do ta presim me respekt.
Jo sepse pajtohemi me çdo vendim të tij.
Jo sepse heshtim para gabimeve të tij.
Por sepse jashtë kufijve ai përfaqëson shtetin shqiptar.
Respekti për shtetin nuk është servilizëm.
Mikpritja nuk është votë.
Përshëndetja nuk është nënshtrim.
Ne nuk e presim vëllanë në besë. Aq ma pak për t’i ba qejfin një grushti njerëzish që patriotizmin e matin me britma dhe flamurin e përdorin si perde për dështimet e veta.
Ku ishit kur protestonim kundër Grenellit?
Ku ishte atëherë kjo stuhi patriotizmi? Apo guximi juaj ndizet vetëm kur përballë keni Kryeministrin e Shqipërisë?
Nëse nuk ju pëlqen Rama, thuajani në sy. Mos ua thoni fëmijëve. Mos ia faturoni diasporës. Mos u fshihni pas statuseve.
Bëhuni europianë me vepra, jo me fjalë.
Kthehuni në Shqipëri.
Organizohuni.
Ndërtoni alternativë.
Krijoni një opozitë të fortë dhe me vizion perëndimor.
Bindeni popullin.
Mundeni Ramën me votë.
Kjo është demokraci.
Gjithçka tjetër është zhurmë. Dhe zhurma, sado e madhe, nuk bëhet e vërtetë.
Mos e ktheni diasporën në fushëbetejë të dështimeve tuaja. Diaspora e bashkueme është një fortesë. Diaspora e përçame është dhuratë për çdo armik të shqiptarëve.
Mos na merrni për të verbër.
Mos na merrni për të gjymtuem.
Mos u paraqitni si shpëtimtarë të kombit me një telefon në dorë dhe një status në internet.
Qytetaria jonë nuk është dobësi.
Përmbajtja jonë nuk është frikë.
Mikpritja jonë nuk është kapitullim.
Kur preket dinjiteti i shqiptarëve, do të përgjigjemi.
Kur sulmohen fëmijët tanë, do të përgjigjemi edhe ma fort.
Kur tentohet përçarja e diasporës, do të qëndrojmë si mur.
Qeveritë ndërrohen.
Kryeministrat largohen.
Partitë ngrihen dhe bien.
Por Shqipëria mbetet.
Prandaj, luftojeni Ramën sa të doni — me argumente, me alternativë dhe me votë.
Por mos kërkoni prej nesh me poshtërue shtetin shqiptar.
Sepse partitë janë të përkohshme.
Shqipëria është e përjetshme.
