Dr. Burim Latifi në “ENERGETIKA 2026”: Tranzicioni energjetik nuk mund të realizohet pa një rrjet të fuqishëm dhe modern

“Tranzicioni energjetik tashmë nuk është më një zgjedhje. Sfida është ta zbatojmë atë pa rrezikuar stabilitetin dhe duke mundësuar në kohë përfshirjen e burimeve, teknologjive dhe konsumatorëve të rinj.” Kjo ishte porosia kryesore e drejtorit general të MEPSO-s, doc. dr. Burim Latifi, në konferencën ndërkombëtare “ENERGJETIKA 2026” të ZEMAK-ut, e cila këto dy ditë po zhvillohet në Strugë.
Sistemi elektroenergjetik po hyn në një periudhë ndryshimesh të shpejta. Prodhimi nga energjia diellore dhe e erës po rritet, po zhvillohen sistemet e magazinimit të energjisë, po shtohen nevojat e industrisë, ndërsa në horizont janë edhe konsumatorë të rinj të mëdhenj, përfshirë qendrat e të dhënave.
“Kapacitetet prodhuese dhe rrjeti i transmetimit duhet të zhvillohen së bashku. Nevojiten modernizimi, ndërtimi i linjave të reja të transmetimit dhe trafostacionet, rritja e kapacitetit dhe përmirësimi i menaxhimit. Nuk është e rëndësishme vetëm sasia e energjisë, por edhe vendi i kyçjes dhe dinamika e rritjes së konsumit. Përcaktimi në kohë i investimeve, kushteve teknike dhe fazave të kyçjes, për investitorin nënkupton parashikueshmëri; ndërsa për operatorin – detyrim që çdo kyçje të jetë teknikisht e arsyeshme dhe e qëndrueshme në afat të gjatë”, theksoi Latifi para përfaqësuesve të institucioneve, kompanive energjetike, rregullatorëve, komunitetit akademik dhe atij inxhinierik.
Në të njëjtën linjë të ndryshimeve u shpreh edhe kryetari i ZEMAK-ut, Borko Aleksoski, i cili theksoi se gjatë dy viteve të fundit fokusi është zhvendosur nga rritja e prodhimit nga burimet e rinovueshme drejt integrimit të tyre të mençur dhe të sigurt në sistem.“Sfida nuk është më vetëm të prodhojmë energji, por të krijojmë një sistem që mund ta integrojë atë në mënyrë të mençur dhe të sigurt.
Hapi tjetër kyç është që zhvillimi i rrjetit të ndjekë zhvillimin e prodhimit dhe konsumit, me fokus të veçantë te konsumatorët e rinj të mëdhenj, veçanërisht te qendrat e të dhënave. Një rrjet i sigurt dhe fleksibil është parakusht për investime të reja dhe për një industri konkurruese, veçanërisht në kushtet e dekarbonizimit evropian dhe mekanizmit CBAM.
Konferenca “ENERGJETIKA 2026” në ditët në vijim do të trajtojë çështjet që lidhen me zhvillimin e ardhshëm të sektorit energjetik në vend, me theks të veçantë te magazinimi i energjisë, mekanizmat e tregut, integrimi i burimeve të rinovueshme dhe krijimi i një sistemi elektroenergjetik më fleksibil dhe më rezistent.
https://www.facebook.com/share/p/1JUJapE9vW/