Karrigia kalon, posti përfundon dhe titulli tretet. Ajo që mbetet në fund është vetëm gjurma që lënë veprat tona dhe pyetja që do ta presë secilin prej nesh: Çfarë do të gjejnë prej nesh ata që do të vijnë pasi ne të mos jemi më?
Nga Mr.Hasan BAFTIJARI
Ka njerëz që, kur ndërtojnë diçka, mendojnë vetëm se si do të duket ajo ditën e inaugurimit. Ka të tjerë që llogarisin me përpikëri sa do të zgjasë materialisht. Por ekziston një kategori e rrallë njerëzish: ata që, ndërsa djersitin për të sotmen, mendjen dhe zemrën i kanë te brezat që do të vijnë shumë kohë pas heqjes së emrit të tyre nga zyra. Këtu fillon ndarja e madhe midis atij që thjesht mbyll një orar detyre dhe atij që e kupton jetën dhe punën si një amanet të rëndë.
Një nga dëshmitë më mbresëlënëse të kësaj mendësie vjen nga arkitekti i madh osman me prejardhje shqiptare, Mimar Sinani. Gjatë restaurimit të Xhamisë Şehzadebaşı në Stamboll, inxhinierët bënë një zbulim të jashtëzakonshëm. Sipas një rrëfimi të publikuar nga A Haber (“Mimar Sinan’ın 400 yıl sonra camiden çıkan şişedeki notu”, 18 gusht 2015, ahaber.com.tr), duke çmontuar një nga harqet e dëmtuara mbi portat e murit rrethues, në gurin kyç u gjet një shishe qelqi me një letër të fshehur brenda, të shkruar me shkrim osman. Ishte lënë aty nga vetë Sinani, katër shekuj më parë. Ai parashikonte se gurët do të konsumoheshin dhe se mjeshtrit e ardhshëm, duke ndryshuar epokat dhe teknikat e ndërtimit, nuk do të dinin ta rindërtonin atë hark. Prandaj u kishte lënë udhëzime të detajuara se nga cili vend i Anadollit ishin sjellë gurët dhe si duhej rivendosur struktura.
Madhështia e kësaj historie nuk fshihet te shishja, as te letrat e vjetra, por te mënyra e të menduarit. Një njeri i madh kishte parashikuar hallin e dikujt që do të jetonte katër shekuj më vonë – një njeri pa emër, pa fytyrë, prej të cilit nuk priste as duartrokitje, as dekorata, madje as një falënderim. Sinani kishte kuptuar atë që ne sot rrezikojmë ta humbasim përditë: përgjegjësia e vërtetë nuk merr fund aty ku mbaron interesi ynë personal.
Këtu nis edhe pasqyra e realitetit tonë. Sot për përgjegjësi luftohet me çdo kusht. Për karrige e poste krijohen miqësi të rreme dhe armiqësi të hapura. Shumë duan të jenë të parët, të duken në dritën e projektorëve apo të kamerave, të kenë autoritet dhe vulë në dorë. Por jashtëzakonisht rrallë dëgjojmë pyetjen thelbësore: Çfarë do t’i lë atij që vjen pas meje?
Kur posti shihet si privilegj, njeriu përqendrohet vetëm te përfitimi, te statusi dhe te rehatia e çastit. Kur shihet si amanet, ai mendon për mundësinë e dhënë dhe për mënyrën se si do ta dorëzojë atë. Një institucion, organizatë apo kompani që lulëzon vetëm sa je ti në krye të saj, nuk është institucion i shëndoshë; është thjesht një krijim i ngritur rreth kultit të individit. Siç na kujton Ibn Halduni, kur analizon ngritjen dhe rënien e qytetërimeve, dobësimi nuk ndodh kurrë brenda një nate. Ai fillon gradualisht, atëherë kur përgjegjësia humbet kuptimin e saj moral, kur luksi, rehatia dhe interesi personal zënë vendin e sakrificës, dhe kur brezi që trashëgon një sistem fillon të konsumojë me arrogancë atë që tjerët e ndërtuan me mund e djersë (Ibn Haldun, Mukaddime, Logos-A, Shkup, botimi shqip).
Gabimi ynë më i madh kolektiv është se suksesin e masim vetëm me shifra të sipërfaqshme gjatë kohës së mandatit: sa projekte u nisën, sa mbledhje u mbajtën, sa fjalime u duartrokitën apo sa herë u shfaq diku. Por testi i vërtetë i një drejtuesi, mësuesi, profesori, imami, afaristi apo prindi nuk është se çfarë bëri ai vetë në skenë, por çfarë la pas kur u largua nga skena. A mbeti një sistem që vazhdon të funksionojë edhe pa praninë e tij, apo mbetën gërmadha, halle dhe probleme të pazgjidhura që brezi tjetër duhet t’i pastrojnë nga e para?
Mund të kalosh vite të tëra në një pozitë drejtuese dhe të mos lësh asnjë gjurmë pozitive pas. Por mund të kalosh edhe një kohë më të shkurtër dhe të ndërtosh diçka që u shërben brezave për dekada. Kohëzgjatja në një karrige nuk ka qenë kurrë dëshmi e suksesit. Përkundrazi, dëshmia më e madhe e suksesit është kur gjërat vazhdojnë të ecin dhe të përmirësohen edhe atëherë kur ti nuk je më aty për t’i kontrolluar.
Kjo filozofi nuk vlen vetëm për politikën apo administratën e lartë, por shtrihet në çdo qelizë të shoqërisë sonë. Drejtori i një shkolle apo institucioni nuk duhet të mendojë vetëm se si do ta kalojë mandatin e tij pa konflikte, por se çfarë standardesh morale dhe profesionale do t’i dorëzojë pasardhësit. Mësuesi ose profesori nuk duhet të mendojë vetëm se si ta mbajë orën e mësimit dhe ta mbyllë programin formal, por çfarë dashurie për dijen dhe çfarë karakteri do t’i lërë nxënësit. Prindi nuk duhet të mendojë vetëm se si t’ia plotësojë fëmijës tekat e së sotmes, por çfarë parimesh, dinjiteti dhe qëndrueshmërie do t’i lërë për sfidat e së nesërmes. Udhëheqësi i një komuniteti apo biznesi nuk duhet të mendojë vetëm se si të ruajë pozitën dhe ndikimin e tij, por se si të ndërtojë një sistem që meriton të mbijetojë.
Qytetërimet e vërteta kurrë nuk janë ngritur nga njerëz që kanë llogaritur vetëm kufijtë e mandatit të tyre apo interesin e ngushtë ditor. Ato janë ngritur nga njerëz që kanë mbjellë pemë, duke e ditur mirë se ndoshta nuk do të ulen kurrë nën hijen e tyre; nga ata që kanë ngritur shkolla për fëmijë që ende nuk kishin lindur; nga ata që kanë ndërtuar ura mbi lumenj ku do të kalonin njerëz që s’do t’i kishin takuar kurrë në jetë. Mendësia që pyet vetëm se çfarë fiton vetë nga kjo, mund të ndërtojë një karrierë të shpejtë apo një pasuri kalimtare, por ajo nuk mund të ndërtojë kurrë një të ardhme të qëndrueshme.
Prandaj, larg zyrës, larg kamerave, fjalimeve pompoze dhe duartrokitjeve të interesuara, çdo njeri duhet herë pas here të mbetet vetëm me ndërgjegjen e tij dhe t’i bëjë vetes këto pyetje të rënda, para se karrigja t’i kalojë tjetërkujt:
- Çfarë gjeta kur erdha në këtë detyrë apo ambient?
- Çfarë ndryshova për mirë ndërsa isha aty?
- Çfarë do të lë realisht pas kur të largohem?
Kjo është peshorja e vërtetë e njeriut.
Një ditë, emri ynë do të hiqet nga dera e zyrës. Dikush tjetër do të ulet në të njëjtën karrige, do të përdorë të njëjtën tavolinë dhe do të mbajë të njëjtin titull. Fotografitë në rafte do të zverdhen, fjalimet tona do të harrohen në arkiva dhe duartrokitjet do të fashiten plotësisht. Në atë çast heshtjeje, nuk do të flasin titujt e bujshëm, por vepra e lënë pas.
Mimar Sinani, sipas rrëfimit të njohur, la një letër në një shishe qelqi të fshehur në gurin e një harku për katër shekuj më vonë. Ne sot mbase nuk kemi nevojë të lëmë letër nëpër mure fizike, por kemi një detyrim shumë më të madh: të lëmë pas një amanet të pacenuar, institucione të shëndosha, vlera të pastra dhe një strukturë morale ku brezi tjetër nuk detyrohet kurrsesi ta nisë gjithçka nga gërmadhat e gabimeve tona.
Sepse karrigia kalon, posti përfundon dhe titulli tretet. Ajo që mbetet në fund është vetëm gjurma që lënë veprat tona dhe pyetja që do ta presë secilin prej nesh: Çfarë do të gjejnë prej nesh ata që do të vijnë pasi ne të mos jemi më?
