Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti: Goditet grupi ndërkombëtar i trafikut të drogës, kapen 79kg drogë, arrestohen pesë persona

Pesë persona janë arrestuar në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të drogës, ndërsa ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve.

Aksioni është ndërmarrë pas informacionit të siguruar nga Departamenti i Inteligjencës, pas së cilës ekipet mobile kanë zhvilluar veprime operative në pikën kufitare Dojran, në dalje nga vendi.

Gjatë kontrollit është ndaluar një kamion, në të cilin janë zbuluar 79 kilogramë marihuanë, e cila dyshohet se ishte destinuar për tregun turk. Për transportin e drogës është arrestuar edhe shoferi i kamionit, shtetas i Bosnjë-Hercegovinës.

Sipas hetimeve, kamioni kishte hyrë në Maqedoninë e Veriut me një ngarkesë profile hekuri, të cilat duhej t’i transportonte drejt Greqisë. Megjithatë, në një lokacion të paracaktuar, pas marrëveshjes me persona nga Maqedonia e Veriut, në kamion ishte ngarkuar marihuana.

Pas ngarkimit të drogës, automjeti ishte vulosur dhe kishte vazhduar rrugën drejt Greqisë, por është ndaluar nga ekipet operative në pikën kufitare Dojran, ku gjatë kontrollit është zbuluar ngarkesa e paligjshme.

Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe ka për qëllim identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, e ka konfirmuar aksionin, duke theksuar se është goditur një grup ndërkombëtar i trafikut të drogës, ndërsa në operacion janë sekuestruar 79 kilogramë marihuanë dhe janë arrestuar pesë persona.