Fatos Geci pas kërcënimeve me jetë ndaj tij dhe familjes: I drejtohem Kryeprokurorit të Shtetit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatos Geci, ka bërë të ditur se do t’i drejtohet me ankesë zyrtare Kryeprokurorit të Shtetit, duke kërkuar sqarime për mungesën e informacionit lidhur me kallëzimin e tij për gjuhë të urrejtjes dhe shpifje.

Geci ka deklaruar se, deri më tani, as Policia e Kosovës dhe as Prokuroria nuk e kanë njoftuar nëse kanë ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me rastin e tij. Sipas tij, nuk ka marrë informacion nëse personi që ai e cilëson si “gazetar” është thirrur për intervistim lidhur me një postim, pas të cilit, siç pretendon deputeti, ai dhe familja e tij kanë marrë qindra kërcënime me jetë.

Deputeti ka shprehur shqetësimin për mungesën e një përgjigjeje institucionale edhe pas tri ditësh, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën se si trajtohen rastet e gjuhës së urrejtjes, shpifjeve dhe nxitjes.

Në reagimin e tij, Geci ka rikujtuar edhe ngjarjet e vitit 2000 dhe vitit 2001, kur, sipas tij, në gazetën “Epoka e Re” publikoheshin shkrime në të cilat ata etiketoheshin si tradhtarë. Ai ka përmendur gjithashtu vrasjen e Besim Dajakut dhe gazetarit Bekim Kastrati, si dhe raste të tjera të vrasjeve me motive politike, duke theksuar se këto ngjarje përbëjnë plagë të rënda të së kaluarës.

Geci ka paralajmëruar se përmes ankesës zyrtare do të kërkojë sqarime se përse nuk është njoftuar për shqyrtimin e kallëzimit të tij dhe nëse janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Ai ka theksuar se nuk kërkon trajtim të privilegjuar për shkak të pozitës së tij si deputet, por zbatimin e barabartë të ligjit dhe reagimin e institucioneve përgjegjëse ndaj çdo rasti që mund të rrezikojë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

“Siguria ime dhe e familjes sime nuk është çështje politike. Është çështje e sundimit të ligjit dhe e përgjegjësisë institucionale”, ka theksuar Geci në reagimin e tij.

https://www.facebook.com/share/p/19h5yD5Bgr/