Ministria e Financave po bën përpjekje dhe po realizon aktivitete që synojnë implementimin e reformave në fushën e menaxhimit të financave publike dhe zbatimin e politikës fiskale të disiplinuar me ulje graduale të deficitit buxhetor, duke u kujdesur njëkohësisht që të mos rrezikohet rritja ekonomike. Kjo e çon vendin përpara dhe krijon kushte për standard më të mirë jetese për qytetarët. Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në takimet me përfaqësuesit e lartë të FMN-së në kuadër të takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilat po mbahen këtë vit në Bangkok, Tajlandë.
Në takimet me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, drejtorin e FMN-së për Evropën, Mateush Shçurek, drejtorin ekzekutiv të FMN-së, Jeren Klik, dhe zëvendësdrejtorin ekzekutiv Marniks van Raj, ministrja theksoi se prioritet kryesor për Qeverinë dhe Ministrinë e Financave është arritja e përcaktimit për konsolidim fiskal në periudhë afatmesme në përputhje me Strategjinë fiskale dhe në të njëjtën kohë inkurajimi i rritjes më të lartë ekonomike.
“Ministria e Financave aktualisht po përgatit Buxhetin për vitin 2027, kurse ribalanci i Buxhetit për vitin 2026 është tashmë në procedurë parlamentare. Veçanërisht jemi të kujdesshëm në menaxhimin e financave publike, duke pasur parasysh se po përballemi me pasiguri të madhe dhe me nevojën për të ndërmarrë masa për të mbrojtur standardin e qytetarëve, por edhe për të mbështetur bizneset. Në këtë drejtim, me ribalancin, po bëjmë ndërhyrje si në anën e të ardhurave poashtu edhe në atë të shpenzimeve, me qëllim të ruajtjes së disiplinës fiskale dhe për të mos shkaktuar presion mbi deficitin buxhetor”, tha ministrja.
Gjithashtu, ajo theksoi se deficiti buxhetor mbetet në kuadër të projeksionit dhe është destinuar drejt realizimit të politikave zhvillimore të Qeverisë, përkatësisht përkrahjes së projekteve të mëdha investuese.
Sipas ministres, kjo është veçanërisht e rëndësishme për përkrahjen e rritjes ekonomike dhe vazhdimin e trendit të rritjes me norma mbi 3% gjatë dy viteve e gjysmë të fundit.
Gjatë takimeve u theksua se në tremujorin e dytë të vitit 2026, PBB- ja shënoi rritje vjetore prej 4.3%, që paraqet normën më të lartë të rritjes në periudhën pas pandemisë COVID-19. Kjo dëshmon vijimësinë e ecurive pozitive ekonomike dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë vendase në kushtet e pasigurisë në mjedisin ekonomik global. Rritja në tremujorin e parë ishte 3.1%, me ç’rast në gjysmën e parë të vitit, ajo arriti në 3.7%. Veçanërisht e rëndësishme është se një nga faktorët kryesorë që nxiti këtë rritje është rritja e lartë e investimeve bruto, të përkrahura përmes buxhetit. Gjithashtu, në përputhje me Strategjinë fiskale 2027–2031, investimet bruto do të vazhdojnë të jenë një nga nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike.
Krijimi i parakushteve për ciklin e ri të rritjes ekonomike, përmes realizimit të nivelit më të lartë të investimeve kapitale, konsolidimit gradual fiskal dhe avancimit të menaxhimit të financave publike, paraqet objektivat kryesore të politikës fiskale për periudhën 2027–2031. Njëkohësisht, zbatimi i konsolidimit fiskal krijon bazën për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë drejtim, ministrja theksoi se, sipas projeksioneve afatmesme, deficiti buxhetor do të ulet në 2.8% gjatë vitit 2029.
Gjatë takimeve, trajtuam edhe sistemin e pensioneve në vend, me ç’rast FMN-ja shprehu interes për krijimin e shtyllës së dytë të pensioneve. Kjo çështje do të jetë në fokus të misionit të ardhshëm të FMN-së, të planifikuar për muajin nëntor në Maqedoni. Kjo është gjithashtu në drejtim të rishikimit të shpenzimeve publike (Spending Review) nga ana e Bankës Botërore, i cili përfshin edhe çështjen e sistemit të pensioneve, me qëllim të ofrimit të një analize më të detajuar të gjendjes dhe avancimit të qëndrueshmërisë së tij.
Në këto takime u përgëzuan përpjekjet e Qeverisë për zbatimin e konsolidimit fiskal dhe u theksua inkurajimi për të vazhduar me reformat që do të përforconin menaxhimin dhe do të rrisnin qëndrueshmërinë e financave publike.
