Bizneset e prekura gjatë protestave, 90 subjekte të dëmtuara – humbjet arrin deri në rreth 200.000 euro

Rritet numri i bizneseve që kanë raportuar dëme materiale nga aktet e dhunshme gjatë protestave të kësaj jave në kryeqytet. Nga konstatimet e deritanishme të administratës tatimore, si në terren, ashtu edhe përmes portalit “Dëmi im” në e-Albania, rezultojnë rreth 90 subjekte të dëmtuara, shkruan RTSH.

Vlera e humbjeve të deklaruara nga subjektet e veçanta arrin deri më tani në 18 milionë lekë të reja (198.837 euro).

Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon ende, çka do të thotë se shifrat janë paraprake dhe mund të ndryshojnë në përfundim të verifikimeve.

Përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, bizneset mund të deklarojnë dëmet e pësuara, duke plotësuar të dhënat e kërkuara dhe duke bashkëngjitur fotografi të dëmtimeve, si dhe dokumente të tjera mbështetëse.

Pas përfundimit të verifikimeve do të hartohet regjistri zyrtar i dëmeve, i cili do të shërbejë si bazë për përcaktimin e masave të dëmshpërblimit.

Burimi:botasot.info