Nxënësit në protestë, Berisha: Nis presioni ndaj prindërve! Nga nesër apeli sipas rregullores

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar atë që e cilëson si presion psikologjik ndaj prindërve të nxënësve që nuk po frekuentojnë mësimin në kuadër të protestave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha pretendon se mësues në shkolla të Tiranës dhe qyteteve të tjera po u dërgojnë mesazhe prindërve për t’i nxitur të rikthejnë fëmijët në mësim. Si pjesë të denoncimit, ai ka publikuar një mesazh që thotë se i është dërguar në rrjetet e tij sociale.

Në mesazh, dërguesja u drejtohet prindërve duke shprehur shqetësimin për numrin e lartë të nxënësve që mungojnë në shkollë. Ajo thekson se procesi mësimor vijon normalisht dhe u kërkon familjeve që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.

“Mosardhja e nxënësve, veç disa të tjerave, i penalizon me mungesa”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Berisha.

Më tej, dërguesja njofton se, duke nisur nga dita e nesërme, regjistrimi i mungesave do të bëhet sipas rregullores së brendshme të shkollës. Ajo shton se prindërit duhet të njoftojnë mësuesin kujdestar dhe të paraqesin raport mjekësor në rast se fëmija mungon për arsye shëndetësore.

Berisha e ka cilësuar mesazhin si formë presioni psikologjik ndaj familjeve, ndërsa e ka shoqëruar publikimin me akuza ndaj mësuesve që ai i quan “patronazhistë”.

Denoncimi i kreut të PD, Sali Berisha:

Mësueset patronazhiste terrorizojnë psikologjikisht prindërit e nxënsve grevistë!

Ky është terror psikologjik! Turp!

📩 Lexoni mesazhin e dërguar më poshtë!

Përshëndetje të gjithëve!

Në këto ditë aspak të lehta për të gjithë ne, së pari uroj me shpirt, të jeni sa më mirë me shëndet në familjet tuaja!

Burimi:botasot.info