Gianni De Biasi zbulon prapaskenat e nënshkrimit të tij me Shqipërinë, i përmend edhe nga Kosova

Ish-përzgjedhësi i kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, ka rrëfyer prapaskenat e ardhjes së tij në krye të kuqezinjve, duke zbuluar se fillimisht nuk ishte i bindur për ta marrë drejtimin e Shqipërisë, por në fund vendosi ta respektonte fjalën e dhënë.

Trajneri italian ka treguar se pas një eksperience zhgënjyese tek Udinese nuk dëshironte të vazhdonte më karrierën në futbollin italian.

Megjithatë, oferta nga Shqipëria ndryshoi planet e tij, pavarësisht interesimit të Lecces, që e kërkonte në Serie A.

“Kisha eksperiencë dëshpëruese tek Udinese dhe thashë se nuk dua të punoj më në Itali. Dhe më pas mora ofertë nga Shqipëria. U takuam në Milano për marrëveshje.

Një gazetar më vonë më tha se më kanë zgjedhur, por nuk isha i gatshëm. Lecce më donte në Serie A, por u mbështeta pas fjalës së dhënë. Në fund, e arritëm marrëveshjen dhe e nisa rrugëtimin si përzgjedhës”, ka deklaruar De Biasi për “Tuttomercatoweb”.

Italiani ka kujtuar edhe fillimet e tij në krye të Shqipërisë, duke theksuar se kishte ardhur në një periudhë të ndërrimit të gjeneratave, por me kalimin e kohës arriti ta ndërtonte një skuadër konkurruese dhe t’u jepte futbollistëve besimin se mund të arrinin diçka të madhe.

“Mbërrita në kohën e ndërrimit të gjeneratës. Shkova pa e ditur se çfarë më pret, por doja të kthehesha në rrugën e duhur.

Në dy vitet e para bëmë mirë, dhe në dy vitet tjera, arritëm që ta ngremë nivelin. Arrita që në kombëtare të sjell kosovarët, të cilët ende nuk ishin të pranuar në FIFA. E rritëm sasinë dhe cilësinë dhe ia dola që t’ua fus në mendjet e tyre idenë se mrekullia ishte e mundur. Kulmi u arrit me kualifikim në Euro 2016”, ka shtuar ai.

De Biasi e mori drejtimin e Shqipërisë në vitin 2011 dhe qëndroi deri në vitin 2017. Gjatë kësaj periudhe, ai e udhëhoqi Kombëtaren në 51 ndeshje, duke regjistruar 19 fitore, 10 barazime dhe 22 humbje.

Arritja më e madhe e tij mbetet kualifikimi historik në Kampionatin Evropian të vitit 2016 në Francë, hera e parë që Shqipëria merrte pjesë në një Evropian.

Kuqezinjtë e mbyllën garën në fazën e grupeve, por fitorja ndaj Rumanisë (1-0) mbetet një prej momenteve më të paharrueshme në historinë e futbollit shqiptar.

De Biasi mbetet një prej trajnerëve më të rëndësishëm në historinë e kombëtares, pasi ishte njeriu që e udhëhoqi Shqipërinë drejt realizimit të ëndrrës së shumë gjeneratave.

Burimi: botasot.info