Informacionet e qytetarëve kanë ndihmuar Policinë e Kosovës në zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie armësh dhe municioni në një hambar në fshatin Kleçkë, në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, operacioni është realizuar më 31 tetor, pas informacioneve të pranuara nga qytetarët për dyshimet se në këtë lokacion mund të kishte armë dhe mjete të tjera ilegale.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar katër pushkë gjuetie, përfshirë një gjysmëautomatike dhe një dytytëshe, një armë automatike, një revole TT me karikator të zbrazët, 33 fishekë për armë të gjata, një këllëf me optikë dhe dy karikatorë të zbrazët për armë të gjata.
Policia ka bërë të ditur se deri në këtë fazë nuk ka persona të arrestuar, ndërsa Prokurori i Shtetit ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këtë rast, ish-hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se sekuestrimi i armëve dhe municionit është dëshmi se fenomeni i armëmbajtjes ilegale vazhdon të përbëjë shqetësim serioz për sigurinë publike dhe stabilitetin në vend.
Ai fillimisht ka përgëzuar Policinë e Kosovës për reagimin dhe profesionalizmin, por ka theksuar se institucionet nuk duhet të mjaftohen vetëm me operacione të izoluara.
“Së pari, dua të përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin dhe profesionalizmin e treguar, por në të njëjtën kohë dua të theksoj se raste të tilla nuk duhet të trajtohen vetëm si operacione të izoluara, por si një alarm që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe koordinim të të gjitha institucioneve të sigurisë”, ka deklaruar Rexhepi.
Sipas tij, armët ilegale nuk përbëjnë rrezik vetëm për shkak të vendit ku ruhen, por edhe për mundësinë që ato të përfundojnë në duart e personave të papërgjegjshëm apo grupeve kriminale.
“Armët ilegale nuk janë thjesht mjete të fshehura nëpër hambarë, shtëpi apo objekte të braktisura. Ato përbëjnë rrezik potencial për jetën e qytetarëve, për rendin publik dhe për sigurinë e përgjithshme të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.
Rexhepi ka kërkuar që institucionet e sigurisë të intensifikojnë kontrollet dhe hetimet, veçanërisht në zonat ku ekzistojnë informacione apo dyshime për mbajtje dhe depozitim të armëve ilegale.
Ai ka theksuar se këto veprime duhet të zhvillohen në bazë të ligjit dhe informacioneve të besueshme, pa dallime në trajtimin e personave që shkelin ligjin.
“Mendoj se institucionet e sigurisë duhet t’i intensifikojnë kontrollet dhe hetimet, veçanërisht në zonat ku ekzistojnë informacione apo dyshime për mbajtje dhe depozitim të armëve ilegale. Këto veprime duhet të zhvillohen në bazë të ligjit, inteligjencës policore dhe informacioneve të besueshme, pa dallime dhe pa kompromis ndaj askujt që shkel ligjin”, ka theksuar ish-hetuesi.
Një rëndësi të veçantë ai i ka kushtuar edhe bashkëpunimit të qytetarëve me organet e sigurisë. Duke marrë parasysh se edhe operacioni në Zubin Potok u realizua pas informacioneve të qytetarëve, Rexhepi ka thënë se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë dhe të inkurajohet edhe më tej.
“Qytetarët duhet të inkurajohen që të raportojnë çdo informacion për armët ilegale, duke pasur garanci për trajtimin konfidencial të informatave dhe sigurinë e tyre”, ka deklaruar ai.
Përveç kontrolleve policore, Rexhepi ka kërkuar edhe fushata vetëdijesuese dhe programe ligjore për dorëzimin vullnetar të armëve, në mënyrë që të ulet numri i armëve që mbahen pa autorizim.
Ai ka theksuar se qytetarët duhet ta kuptojnë se siguria nuk ndërtohet përmes posedimit të armëve ilegale, por përmes respektimit të ligjit dhe besimit në institucionet përgjegjëse.
Në përfundim, ish-hetuesi ka përcjellë një mesazh të qartë për institucionet dhe qytetarët, duke kërkuar që luftimi i këtij fenomeni të mos jetë vetëm reagim pas rasteve të zbuluara, por prioritet i vazhdueshëm.
“Kosova ka nevojë për më shumë siguri, jo për më shumë armë ilegale! Nuk duhet të presim që një armë e fshehur të përdoret në ndonjë krim apo tragjedi për të kuptuar rrezikun që paraqet ajo”, ka përfunduar Rexhepi.
Burimi: botasot.info
