Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se ushtria ruse pësoi 54,400 humbje në njerëz gjatë muajit tetor, mes të vrarëve dhe të plagosurve rëndë.
Sipas kreut të shtetit ukrainas, kjo është shifra më e lartë e humbjeve ruse të regjistruara brenda një muaji që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Zelensky bëri të ditur se dita më e përgjakshme për forcat ruse ishte 21 tetori, kur, sipas pretendimeve ukrainase, 2,250 ushtarë rusë u vranë ose u plagosën brenda vetëm 24 orëve.
Ai foli gjithashtu për përparimet territoriale të ushtrisë ukrainase, duke deklaruar se gjatë tetorit forcat e Kievit çliruan 96.2 kilometra katrorë territor, ose 10.4 kilometra katrorë më shumë sesa arritën të pushtonin trupat ruse gjatë së njëjtës periudhë.
Në përfundim të reagimit, presidenti ukrainas i bëri thirrje Moskës që t’i japë fund luftimeve përmes diplomacisë.
“Për t’i dhënë fund këtyre humbjeve të pakuptimta, Rusia duhet vetëm të zgjedhë armëpushimin dhe diplomacinë”, deklaroi Zelensky.
Burimi:botasot.info
