Hoxha u takua me ambasadoren çeke Gecova: Fokus te mjedisi jetësor dhe menaxhimi i mbetjeve

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, zhvilloi takim me ambasadoren e Republikës Çeke në Maqedoninë e Veriut, Irena Gecova, ku u shqyrtuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë në mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Në takim u theksua rëndësia e shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës, veçanërisht në fushat e menaxhimit të mbetjeve, përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe kontrollit të ndotjes industriale.

Ministri Hoxha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Çeke në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe për rolin aktiv të Ambasadës Çeke në Shkup në nxitjen e bashkëpunimit në fushën e mjedisit jetësor.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të partneritetit përmes bashkëpunimit institucional, shkëmbimit të njohurive dhe realizimit të aktiviteteve konkrete me interes të përbashkët.