Brukseli: Mbyllja e negociatave të Shqipërisë me BE-në në 2027 është e arritshme

Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria ka bërë përparim në zbatimin e reformave dhe se synimi për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 mbetet i arritshëm.

Vlerësimin e dha sot komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, gjatë prezantimit të Paketës vjetore të Zgjerimit në Parlamentin Evropian. Sipas Komisionit, Shqipëria ka mbyllur deri tani katër kapituj negociues dhe vazhdon ritmin e reformave.

Para prezantimit, një burim diplomatik në Bruksel i kishte thënë Top Channel se Kos do ta paraqiste kështu planin: Shqipëria do të mbyllë 6 kapituj deri në fund të 2026-s dhe 25 kapitujt e mbetur deri në fund të 2027-s.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë në rrjetin X. „Doli Raporti Vjetor i Progresit. Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë”, shkroi ai. Rama e quajti raportin „një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane”.

Sipas tij, dera e BE-së është e hapur dhe mundësia e anëtarësimit është më reale se kurrë. Megjithatë, Rama pranoi se detyrat mbeten të shumta. Ai shtoi se vlerësimi pozitiv nuk i zbeh problemet e përditshme të qytetarëve, por e motivon qeverinë të bëjë më shumë.

Raporti e vendos Shqipërinë në grupin e vendeve që po ecin më shpejt drejt BE-së. Bashkë me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, ajo merr këtë vit një udhërrëfyes me afate konkrete. Mali i Zi, sipas Kos, mund të bëhet anëtari i 28-të i Unionit në vitin 2028. Kosova, ndërkohë, mbetet në grupin e vendeve më të ngadalta, kryesisht për shkak të bllokadës politike të vitit të kaluar.

Vlerësimi i Brukselit vjen në një kohë të vështirë për qeverinë në Tiranë. Studentët dhe grupet opozitare vazhdojnë protestat që kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Policia ka gjobitur 36 protestues me nga 5 mijë lekë të reja, pasi bllokuan bulevardin „Dëshmorët e Kombit” gjatë tubimit të djeshëm.

Burimi:botasot.info