Rokas ia dorëzon raportin e KE-së Mickoskit, ndryshimet kushtetuese mbeten obligim

Kryeministri Hristijan Mickoski është i kënaqur me Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit. Ai thotë se raporti është më i mirë se ai i vitit të kaluar, ndonëse janë evidentuar edhe disa dobësi, veçanërisht në sistemin gjyqësor, megjithëse edhe në këtë sektor vlerësimi është më i mirë se në raportin paraprak. Sa i përket integrimit evropian, Mickoski tha se Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE, por theksoi se ky proces nuk mund të kushtëzohet nga kontestet dypalëshe.

Ambasadori Mihalis Rokas theksoi se Maqedonia mbetet partnere e besueshme e Bashkimit Evropian, me të cilin ndan prioritetet strategjike, por se nevojiten veprime më vendimtare për pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, për të cilën tha se nuk ka përparim. Sa i përket rrugës evropiane të vendit, ai nuk la pa përmendur se ndryshimet kushtetuese mbeten obligim kyç për anëtarësimin në BE.

Në Raport, Komisioni Evropian konstaton gjithashtu se Maqedonia ka ruajtur harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe ka shënuar aktivitete në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Përveç luftës kundër korrupsionit, kërkohet edhe përparim më i madh në reformën e administratës publike, forcimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e mediave.

Burimi:TV21