Gazetari Elton Tozaj është dhunuar fizikisht pasditen e kësaj të enjteje. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një postimi në rrjetin social Instagram, ku ka ndarë me ndjekësit një fotografi ku shfaqet i mbuluar në gjak.
Deri në këto momente, Tozaj nuk ka bërë publike detaje rreth rrethanave se si ka ndodhur ngjarja apo identitetit të personave që mund të jenë përfshirë në këtë sulm. Megjithatë, foton tronditëse ai e ka shoqëruar me një mesazh të fortë dhe paralajmërues:
“Kushdo që e bëri këtë, do ta paguajë shumë shtrenjtë! Nuk më ndalni dot.”
Ky nuk është rasti i parë i dhunës ndaj gazetarit. Edhe më herët, Elton Tozaj është përballur me sulme fizike që i kanë shkaktuar dëmtime serioze. Tozaj është një figurë e njohur në rrjetet sociale dhe opinionin publik, kryesisht për shkak të denoncimeve të tij të forta dhe shpesh të bujshme.
Gjatë karrierës së tij, ai ka trajtuar çështje që variojnë nga bota e showbizz-it, si në rastin e shpërthimit të skandalit të Adi Hilës, e deri te aferat e mundshme të politikanëve të njohur.
Ngjarja e sotme vjen vetëm pak ditë pas zhvillimesh të tjera ligjore për gazetarin. Gjatë javës së fundit, Elton Tozaj është paditur për shpifje dhe cënim të figurës e dinjitetit nga zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Erlind Sulo, si dhe nga Gazmend Paja.
Autoritetet ende nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar mbi ngjarjen, ndërsa pritet zbardhja e plotë e rrethanave të këtij sulmi ndaj gazetarit. përcjell Zhurnal.mk .
