Shpërthimi i pallatit në Elbasan, kryebashkiaku Llataj: 15 familjet e prekura do të përfitojnë bonus qiraje, në shqyrtim shembja e ndërtesës

Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka folur në një lidhje direkte në emisionin “Studio Live”, lidhur me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, ku një pallat 5-katësh shpërtheu në flakë, si pasojë vdiqën edhe dy persona.

Ai ka bërë me dije se familjet e prekura nga ngjarja u është ofruar mundësia që të akomodohen në strukturat e bashkisë. Po ashtu ai thekson se këto familje të prekura do të përfitojnë bonusin e qirasë, për të qëndruar në një banesë tjetër.

“Momentalisht familjeve u është dhënë mundësia që të akomodohen në strukturat e bashkisë, provizorisht. Zgjidhja tjetër provizore deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për ndërtimin e godinës së re për prishjen e saj ose marrjen e një vendimi përfundimtar, do të jetë bonusi i qirasë. Në bazë të legjislacionit shqiptar, këto familje do të përfitojnë bonusin e qirasë për t’u spostuar në një banesë tjetër. Bashkia do të mbështesë 15 familjet me bonusin e familjes gjatë periudhës provizore”, tha Llatja.

Gjithashtu Llataj është shprehur se aktualisht po konsiderohen dy variante për të ndërhyrë në pallatin e dëmtuar, shembja e pjesës së dëmtuar rëndë ose prishja e të gjithë ndërtesës dhe rindërtimi i saj nga e para.

“Momentalisht është varianti për demolimin e pjesës së dëmtuar totalisht, por do të shihet nëse pjesa tjetër e strukturës do të marrë përforcim, apo do të shembet dhe ndërtohet nga e para”, shpjegoi Llatja.

Ai ka bërë me dije se asnjë nga personat që morën ndihmë nuk ndodhen në spital, duke u shprehur se ata kanë qëndruar 30 minuta, ku kanë marrë ndihmën e parë. Llataj shprehet se pallati vijon të qëndrojë i izoluar nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet.

“10 personat që janë paraqitur pranë spitalit të Elbasanit kanë ndenjur mesatarisht 30 minuta për të marrë shërbimin e parë dhe bërë analizat përkatëse. Pas kësaj, nuk ka pasur më frekuentim nga banorët. Momentalisht pallati është i izoluar, është marrë në dorëzim nga forcat e Policisë për ta ruajtur sepse banorët kanë ende sende personale. Një pjesë e tyre i kanë marrë sendet, do të vijojë edhe nesër, e monitoruar nga forcat zjarrfikëse sepse kati i pestë i strukturës ka rrezikshmëri të lartë për dëmtimin dhe rrëzimin e saj, të shkaktojë dëme në njerëz dhe të jetë më problematike”, përfundoi Llatja.

Burimi:botasot.info